Sandër Prosi, rolet e tij janë gravura e qëndisur me fije shpirti

Nga Albert Vataj

Sot 98 vite më parë lindi Sandër Prosi, ndër personalitetet më të rëndësishme të artit skenik. Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920 dhe do të shuhej më 25 mars 1985.

Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike. Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Dhaskal Todri dhe Ismail Qemali s’mund të përsëriten më, por ne jemi të pasur pasi Sandër Prosi na i ka skalitur në dublat e fimave këto figura. Të gjitha rolet e tij janë ajo gravura e qëndisur me fije shpirti. Pasi çdo gjë dilte prej zemrës së tij e cila kurrë nuk reshi së rrahur për teatrin, e fryma e tij ndjehej edhe në ato minuta të tëra në sallën e teatrit.

“Çdo fjalë e thënë për të nuk është shumë, dhe jo të gjitha fjalët nuk mjaftojnë për të”.  Por ajo çka është e sigurtë, çdo fjalë e thënë është një penel më shumë për të ravijëzuar portretin e Sandër Prosit, kontit të hijshëm të skenës dhe ekranit shqiptar.

Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël!

Rolet në teatër janë të shumta, por seç i pati më shumë hije filmi! Nderojini artistët! Janë rrënjët e kombit tonë.

Ai ishte i madh edhe në rolet e vogla, pasi për të nuk kishte role të mëdha e të vogla, ai punonte që t’i bënte të mëdha edhe rolet e vogla dhe ja arrinte.

Stomatologo që lindi për skenë

Diploma e stomatologut në xhep nuk e ka stepur aspak Sanër Prosin. Pasioni që kishte për skenën e bëri që ndonëse i sapokthyer nga studimet në Austri, dhe vetëm pak kohë punë në profesionin e tij që diploma i diktonte, nuk mundi ta linte indiferent teksa dëgjonte për konkursin e Teatrit Komëbtar. Për të vijuar me rolet e tij të paarrira në kinematografi. Pasi Dhaskalin plak askush nuk mund ta shlyejë nga kujtesa.

Ndërsa roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film si drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985. Dhe pranvera i hidhur ishte vërtet për të.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e mëse 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmëndjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vënd të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit. Prandaj krijimet filmike të Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran,por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje.

 

Filmografia

Kush vdes në këmbë – (1984)

Dora e ngrohtë – (1983)

Nëntori i dytë – (1982)

Plaku dhe hasmi – (1981)

Yjet mbi Drin – (1979)

Gjeneral gramafoni – (1978)… Sefedini

Udha e shkronjave – (1978) (TV)

Njeriu me top – (1977)

Përballimi – (1976)

Fije që priten – (1976)

Shtigje të luftës – (1974)

Shpërthimi – (1974)

Yjet e netëve të gjata – (1972)..Vrana Vlonjati

I teti në bronz – (1970)

Plagë të vjetra – (1968)…Babai i Veres

Horizonte të hapura – (1968)

Oshëtim në bregdet – (1966)

Vitet e para – (1965)

Detyrë e posaçme – (1963)

Debatik – (1961)