Samiti i NATO-s, rreziqet e reja dhe roli i Shqipërisë

Traktati i Varshavës pushoi së ekzistuari më 1 korrik të vitit 1991, thuajse 25 vite më parë, me rënien e Bashkimit Sovjetik. Por tashmë, një çerekshekulli më vonë, Rusia është sërish e fortë dhe është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të sigurisë, sidomos për vendet e aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo është edhe një nga arsyet pse ky samit i rëndësishëm u spostua kësaj radhe në Varshavë.
 Traktati i Varshavës u krijua në maj të vitit 1955. Ishte krahu i armatosur i aleancës së vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik brenda të ashtuquajturit bllok të lindjes. Megjithëse NATO dhe Traktati i Varshavës nuk u përballën kurrë ushtarakisht, veshja ushtarake e luftës ideologjike kontribuoi edhe më shumë në ashpërsimin e Luftës së Ftohtë.

Traktati i Varshavës pushoi së ekzistuari më 1 korrik të vitit 1991, thuajse 25 vite më parë, me rënien e Bashkimit Sovjetik. Por tashmë, një çerekshekulli më vonë, Rusia është sërish e fortë dhe është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të sigurisë, sidomos për vendet e aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo është edhe një nga arsyet pse ky samit i rëndësishëm u spostua kësaj radhe në Varshavë.

“Ne nuk duam një Luftë të re të Ftohtë. Lufta e Ftohtë i përket së shkuarës dhe aty do të mbesë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një dialog konstruktiv dhe kuptimplotë me Moskën për t’i bërë qëllimet tona të qarta, për të daravitur çdo keqkuptim dhe për të reduktuar rrezikun që incidentet ushtarake të dalin jashtë kontrollit. Rusia është fqinji ynë më i madh dhe pjesë përbërëse e sigurisë së Evropës. Për këtë arsye, mbështetja e dialogut është thelbësore”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

I vetmi aksion ushtarak i Traktatit të Varshavës ishte pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968. Në këtë aksion nuk morën pjesë Rumania dhe Shqipëria. Ky ishte edhe viti në fakt kur vendi ynë deklaroi daljen nga ky traktat. Por tashmë kohërat kanë ndryshuar. Shqipëria ishte pjesë e aksioneve ushtarake të aleancës vite përpara anëtarësimit të tij.

Tashmë pjesë aktive e NATO-s, vendi ynë do të marrë pjesë edhe në dislokimin e batalioneve strategjike në zonën e Baltikut dhe në kufirin me Rusinë.

“Është përgatitur disa vite më parë që të jetë pjesë aktive e saj. Ne do të marrim pjesë me një kompani të cilën e kemi të dislokueshme dhe të gatshme për të lëvizur nga pika A në pikën B, në çdo moment që të kërkohet. E kemi pranuar si angazhimin tonë serioz për vitet 2016-2018, e do të vazhdojmë në këtë drejtim”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Por, ndërkohë, bota paraqitet dhe përballet me rreziqe të reja. Rreziqet e terrorizmit dhe për më tepër edhe natyrën e re të tij. NATO është mësuar që të mbrohet nga uji, nga ajri dhe nga toka. Por tashmë i duhet të ruhet edhe nga interneti.

“Angazhimi i ushtrive dhe forcave të armatosura të vendeve të NATO-s, qoftë politikisht apo edhe ushtarakisht, është diçka që duhet bërë pavarësisht dhe pa i hequr asgjë uljes në tryezë dhe bisedimit me Rusinë. Bisedime këto të shkëputura dy vite më parë”, shtoi më tej ministrja Kodheli.

Rreziqet e reja kërkojnë shpenzime të mëdha. Ky samit pritet t’u kërkojë të gjithë anëtarëve të rrisin buxhetin e shpenzimeve ushtarake drejt dy përqindëshit. Por a mundet Shqipëria të përballojë ritmet që kërkon bashkëpunimi i ri me aleatët?

“Në fakt, Shqipëria është në nivelin e një përqindëshit, që do të thotë se është në mes të vendeve përsa i përket harxhimeve. Duhet racionalitet, e sigurisht Shqipëria ndihmohet edhe nga aleatët me mjete dhe mënyra nga më të ndryshmet, përfshi edhe buxhetet ekstra. Ne si Ministri e Mbrojtjes ndihmohemi vet nga të ardhura dytësore të cilat nuk janë pjesë e buxhetit. Një gjë tjetër që do të ketë një harxhim të vazhdueshëm por gjithsesi do t’ia vlejë ta bëjmë, është pjesëmarrja për herë të parë në një mision detar të NATO-s. Do të dërgojmë një anije në detin Egje me baza rotacioni. Besoj që ne i kemi tejkaluar pritshmëritë tona, por edhe të angazhimeve në NATO”, shpjegoi ministrja e Mbrojtjes.

Bota po bëhet një vend gjithnjë e më i pasigurt. Ditën e hapjes së samitit amerikan, dy Koretë dhe Kina u përfshinë sërish në një përplasje për sistemin e ri raketor që Uashingtoni kërkon të vendosë.

Megjithë premtimet e Samitit të Parisit dhe takimet miqësore edhe në Varshavë mes kryeministrave Merkel dhe Rama, më të frikësuarit duhet të ndihen vende të vogla si Shqipëria. A do t’i mbrojë ata “vëllai i madh”?

“Sa iu përket vendeve të vogla, mund të themi që ne do të marrim një vendim të rëndësishëm sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, që deri në Ministerialin e dhjetorit të kemi një vlerësim të qartë nga pikëpamja politike, por edhe nga pikëpamja strategjike, sesi do të zhvillohet më tej angazhimi dhe bashkëpunimi i përforcuar i NATO-s me të gjithë hapësirën e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaron ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në këtë samit të NATO-s, i cili mbahet pikërisht në stadiumin ku u zhvillua finalja e Europianit të 4 viteve më parë. Ai Europian u bashkorganizua nga Polonia dhe Ukraina. Ukraina, një pjesë e së cilës sot është përfshirë në një konflikt drejtpërdrejt të armatosur me Moskën. Në një shenjë sesa ka ndryshuar bota sot dhe sesa duhet të nxitojë NATO, që të përshtatet me të.