Samiti i Dytë Diasporës, Kryeministri Edi Rama: Aty ku shqiptarët bashkohen, fitojnë

TIRANË, 1 mars/Maela Marini/ “Aty ku shqiptarët bashkohen janë më të mirët dhe fitojnë gjithmonë”.

Ky ishte mesazhi që përcolli sot Kryeministri Edi Rama në Samitin e Dytë të Diasporës, ndërsa foli veçanërisht për rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni.

“Nuk ka nevojë t’ju them se sa të rëndësishëm jeni dhe sa e rëndësishme është diaspora, por besoj se është e nevojshme të ndaj me ju vëllazërisht disa mendime që besoj i vlejnë vëllazërisë sonë shqiptare, pavarësisht nëse jetojmë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi apo jugun e Serbisë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nga koha e organizimit të Samitit të Parë, deri më sot kanë ndodhur disa gjëra dhe e them me bindje se nga kjo kohë Shqipëria është më mirë dhe shqiptarët në tërësi janë më mirë”.

“Nga koha e organizimit të samitit të shkuar deri në në këtë Samit, në Kuvendin e Maqedonisë është folur shqip. Nëse ka nevojë t’ju freskoj kujtesën, ishte jo 100 vjet, as 10 vjet më parë, por midis këtyre dy samiteve momenti kur shqiptarët, në atë që sot është Maqedonia e Veriut u vendosën në shënjestër si të ishin qytetarë të kategorisë së dytë dhe iu fry zjarrit të një konflikti që mund t’a kishte kthyer atë vend shumë vite prapa”, tha Rama.

Pikërisht falë ndërveprimit vëllazëror me përgjegjësi kombëtare, por edhe me vetëdije të lartë politike mes nesh këtu në Tiranë dhe liderëve në Maqedoni, Rama tha se, “jo vetëm që shqiptarët sot janë shumë më mirë se sa ishin dje, por ajo që për Presidentin e Maqedonisë quhej e papranueshme, gjuha e Nënë Terezës, u bë gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut”.

“E përshëndes përzemërsisht dhe jo për protokoll Ali Ahmetin, sepse pa shqiptarët nuk ka Maqedoni të Veriut, nuk ka Marrëveshje të Prespës dhe Maqedoni të Veriut në NATO apo në BE”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jemi më të interesuarit që ai shtet të përparojë dhe të jetë modeli i harmonisë dhe bashkëjetesës mes dy popujve që e formojnë atë dhe jemi të lumtur të shohim se sot shqiptarët në atë shtet janë më mirë se sa ishin kur ne u takuam në Samitin e Parë”.

Po ashtu, Kryeministri i drejtoi një apel shqiptarëve në Tuz që të bashkohen. “Kudo ku shqiptarët bashkohen, shqiptarët janë më të mirët dhe fitojnë. Historia e ka treguar dhe e sotmja e tregon se armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët. Kudo ku ne bashkohemi nuk na mund dot askush. Shqiptarëve në Tuz u them: Bashkohuni dhe jepini vetes mundësinë që ta drejtoni atë komunitet me dinjitet dhe të mos lejoni që të humbni vetëm për shkak të ndasive të kota me njëri tjetrin”, – tha Rama.

“Sot Kosova dhe shqiptaria përmes Kosovës është përballë një sfide historike. Është sfidë që vendoset sot por përcakton se si do të jetojnë pas 30 vitesh ata që sot nuk kanë lindur akoma. Nuk ka pasur, s’ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të rrezikshme dhe penguese për shqiptarët, se sa kur ju dalin përballë shqiptarët dhe kur për hesapet e vogla të katundit, klubit apo mjedisit politik e marrin flamurin dhe e kthejnë në një armë për të luftuar me njëri-tjetrin se kush është patrioti dhe kush është tradhtari, kush është i miri dhe kush është i keqi, kush është ëngjëlli dhe kush është djalli”, – tha Rama.

Historia e Kosovës, sipas tij, “është historia e bashkimit të mbi gjysmë miliardi euro që njerëzit jashtë Kosovës, diaspora shqiptare, të pasur dhe jo të pasur, milionerë dhe rrogëtarë të zakonshëm, kontribuan për të çliruar Kosovën”.

Këtë solli bashkimi, tha Rama, “Kosovën që kemi sot”. “Por Kosova që kemi sot nuk është ende Kosova që duam, Kosova që ulet në OKB dhe në NATO dhe bashkë me të tjerët në BE. Dhe kjo është një sfidë për të cilën të gjithë duhet të japin kontributin e tyre. Por askush që flet shqip nuk duhet të guxojë t’i thotë një tjetër shqiptari unë jam patrioti, ti je tradhtari. Kush e bën këtë është kërcënimi kryesor për të fituar sfidën”, – tha Rama. /j.p/ ATSH