Sami Repishti: Zgjedhjet nuk bëhen kur do Rama. Qëndrimet e Metës janë logjike 

Intervistë për “Zërin e Amerikës”, Sami Repishti: Përsa i përket ndërhyrjes së tashme të qeverisë amerikane, (për krizën në Shqipëri) unë me keqardhje them, por nuk e aprovoj

Intervistoi: Ilir Ikonomi

 Sami Repishti, një ndër veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptaro amerikan dhe ish-i dënuar politik, i tha me telefon Zërit të Amerikës se dhuna nuk duhet të tolerohet në asnjë mënyrë nga asnjë palë. Repishti shprehu gjithashtu pikëpamjen se data e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit mund të ishte shtyrë.

Repishti thotë se Shqipëria ka nevojë për aleatë dhe ndihmën e ndërkombëtarëve, por nuk bie dakord me qëndrimin e DASH për mënyrën sesi zgjidhet kriza në Shqipëria. “Përsa i përket ndërhyrjes së tashme të qeverisë amerikane, unë me keqardhje them, por nuk e aprovoj. Nuk besoj se është çështja aq e thjeshtë sa të merret një vendim që të mbahen votimet më 30 qershor sepse kështu ka thënë Kryeministri. Kërkesa për ndryshimin e datës së votimeve që ka bërë Presidenti i Republikës, për mendimin tim është logjike dhe nuk do t’i kushtonte asgjë Partisë Socialiste sikur ta ndryshonte këtë datë”,- shprehet Repishti.

Zëri i Amerikës: Dr. Repishti, si erdhi Shqipëria në këtë udhëkryq?

Dr. Sami Repishti: Kjo krizë ka karakter artificial. Për mendimin tim është rezultat i konfrontimeve të vazhdueshme ndërpartiake në betejën e tyre për pushtet. Në filozofinë politike shqiptare, pushtet do të thotë pushtet absolut, nuk ka gjë tjetër. Atëherë cila është dilema? Partia Socialiste është trashëgimtare e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kërkon pushtetin që e humbi në vitin 1990. Partia Demokratike, që është viktimë e Partisë së Punës të Shqipërisë, kërkon pushtetin që i takon si kundërshtarë të komunizmit. Ky problem do të ishte zgjidhur me kohë, me zgjedhje të lira, por kjo nuk ngjau. Zgjedhjet u akuzuan si të vjedhura, vendi u zhyt në arbitraritet, në korrupsion, parlamenti u kthye në agjenci të ekzekutivit, gjykatat u korruptuan. Sot kemi Gjykatën Kushtetuese vetëm me një anëtar, kur duhet të ishin 11.

Zëri i Amerikës: Shumë njerëz janë të hutuar, nuk e dinë se si do të jetë e ardhmja, të tjerë e shohin zgjidhjen te dhuna. Çfarë mesazhi keni ju për këta njerëz?

Dr. Sami Repishti: Me thënë të drejtën edhe unë jam i hutuar. Nuk e kuptoj pse po krijohen këto situata. Por e para gjë që kam për të thënë është: Jo dhunë. Unë kam shumë frikë nga dhuna. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri të qytetëruar. Pikë!

Zëri i Amerikës: Zoti Repishti, ç’mendoni për qëndrimet dhe komentet e ndërkombëtarëve lidhur me këtë krizë?

Dr. Sami Repishti: Janë shumë me rëndësi. Dhe kjo është një e metë e madhe që po përsëritet në Shqipëri. Është krijuar mentaliteti në kohën e komunizmit se ne nuk kemi nevojë për botën e jashtme se ne i bëjmë të gjitha. S’është e vërtetë! Përsa i përket ndërhyrjes së tashme të qeverisë amerikane, unë me keqardhje them, por nuk e aprovoj. Nuk besoj se është çështja aq e thjeshtë sa të merret një vendim që të mbahen votimet më 30 qershor sepse kështu ka thënë Kryeministri. Kërkesa për ndryshimin e datës së votimeve që ka bërë Presidenti i Republikës, për mendimin tim është logjike dhe nuk do t’i kushtonte asgjë Partisë Socialiste sikur ta ndryshonte këtë datë.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”