Sali Berisha: Çfarë më tha Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, për pavarësinë e Kosovës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në TVSH lidhur me 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Berisha ka treguar detaje nga bisedat me Presidentin Busha para shpalljes së pavarësisë.

Zoti Berisha 10 vjet më parë, në fjalën e përshëndetjes me rastin e pavarësisë së Kosovës mes të tjerash keni thënë se mirënjohja më e madhe për miqtë dhe aleatët që bënë të mundur këtë, është përqafimi i vlerave perëndimore. 10 vjet më pas e ka bërë shoqëria shqiptare këtë përqafim?
Shoqëria shqiptare është shoqëria me trashëgiminë më të vështirë të të gjitha shoqërive në Europë. Shoqëria shqiptare trashëgon totalitarizmin më të egër, aparteidin dhe segregacionin në Kosovë, dhe pastaj duhet të pranojmë ndikimin e fuqishëm të Perandorisë Osmane. Pra, po ta shohim në këtë aspekt, rilindasit shqiptar dukeshin si ishuj apo si far në një det që ishte i ndryshëm nga psikologjia. Mund të themi një shoqëri, e cila dominohej në tërësinë e vetë nga feudalë me disa zhvillime të kapitalizmit por si sistem feudal të llojit otoman dhe jo të llojit të vendeve perendimore të cilat i kishin pranuar me kohë. Kështuqë shoqëria shqiptare, ata që e gjykojnë me shumë padurim duhet të kenë parasysh një gjë, që kjo shoqëri ka hipotekën më të hidhur, më të vështirë për ta kapërcyer. A po bën përpjekje në këtë drejtim? Të mëdha pa diskutim, dhe po bëhen përpjekje të mëdha për ta kapërcyer, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Por, a ka arritur në pritshmëritë? Jo nuk ka arritur në pritshmëritë dhe mundësitë që ka patur. Historikisht po të shohim, tendenca jonë për të fajësuar të huajt, që nuk është vetëm e jona është e Ballkanit në tërësi, në të vërtetë fsheh dhe maskon problematika të mëdha tonat të brendshme.
Si duhet të jetë raporti i Shqipërisë me Kosovën? Dy shtete vëllezër, shteti amë?
Dy shtete vëllezër me lidhje të pakufishme. Gjëja e fundit që duhet të bëjë Shqipëria është të marrë protagonizëm, të marrë paternalizëm ndaj Kosovës sepse kjo është jashtëzakonishte e dëmshme për Kosovën dhe interesin kombëtar në tërësi. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet e tyre. Është Serbia përgjegjëse, që me Mitrovicën e Veriut, me mos zbatimin e marrëveshjeve etj etj. Por ky ballafaqim duhet të jetë shtet me shtet, kryeqytet me kryeqytet.
Kanë kaluar 10 vjet, a kishit menduar se dhjetë vjet më pas do të ishte ky niveli i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku duket se me shumë integrohet aty ku nuk kanë dorë administratat përkatëse…?
Jam dakord që ka një ngecje të madhe. Përveç fotografisë që u bë në pallatin e kongreseve, për fat të keq nuk mund të numërohet progres tjetër. Dhe këtu, gjykoj unë, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Kjo qeveri ka zero investim nga viti 2013 deri sot në drejtim të bashkëpunimit kombëtar. Cfarë mund të bënte kjo qeveri?
Ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ju keni premtuar që porti i Shëngjinit do të jetë porti i Kosovës.
E kam premtuar por studime të mëvonshme kanë treguar se interesi Kosovës nuk është Porti i Shëngjinit por është Durrësi. Porti i Shëngjinit ka një ngushticë, bëhet edhe ai i madh por do investime shumë të mëdha ndërkohë që Durrësi është pothuajse i gatshëm. Dhe Durrësi, për shkak edhe të Porto Romanos, që ai mund të bëhet ndofta porti energjitik ndër më të mëdhenjtë në rajon, është leverdia më kryesore.
Kosova për të marrë liberalizimin e vizave ka si kusht shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Në raport me Serbinë shikoni ndonjë cedim tjetër që duhet të bëj Kosova në mënyrë që të progresoj drejt anëtarësimit?
I vetmi qëndrim që duhet të mbajë Kosova ndaj Serbisë është që nuk duhet të pranojë asnjë metër katror lëvizje të kufinjve. Asnjë lloj pazari në kufi me Serbinë nuk duhet të bëj. Disa njerëz tregohen pak naivë kur thonë që janë vetëm tre komuna. Nuk janë tre komuna po është sherri. Serbia do me çdo kusht të mbajë sherrin me Kosovën për prespektivën e saj. Serbia duhet të njohë kufirin ndërkombëtar të Kosovës të cilin e ka shpallur komuniteti ndërkombëtar, e kanë njohur 120 vende dhe kjo është rruga. Po të jetë puna për territore, Pazari i Ri ka qënë shqiptar në tërësinë e tij, por duhet ti lëmë këto tani. Tani duhet të merremi me kufinjtë ekzistues dhe të respektojmë njëri tjetrin.
A mund të quhet në një farë mënyre e rehatuar çështja e shqiptarëve në Ballkan?
Dy shtete shqiptare, por ky nuk ishte vullneti i shqiptarëve. Ideali i bashkimit të shqiptarëve është i përjetshëm. Kjo nuk mund të ketë mëdyshje për sa kohë shqiptarët i thonë vetes shqiptarë. Por, duke thënë këtë, nëse një zgjidhje maksimale nuk u arrit, mund të themi se u arrit një zgjidhje optimale e shkëlqyer. Kjo zgjidhje optimale, e dakortësuar me ata që luajtën rol përcaktues në këto procese, obligon shqiptarët ti qëndrojnë besnikërisht ligjit ndërkombëtar. Do thoni ju çdo bëhet me bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar duhet të imagjinohet vetëm si bashkim i dy vendeve sovrane, të lira, në dakortësi të plotë me partnerët që luajtën rol përcaktues, dhe natyrisht në një situatë ku fqinjët tanë albanofobë deri në palcë në qarqet e tyre, do çlirohen nga frika e shqiptarëve dhe do kuptojnë që një shtet shqiptar i bashkuar i trevave shqiptare nuk është një kërcënim për ta por është një shtet mik e bashkëpunues, paqeje dhe stabiliteti. Duke thënë këto them dhe që nuk është një proces i thjeshtë dhe nuk mund të merret si një proces i lehtë. Ndaj duhet të ndjekim ndërtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e standarteve, proceseve integruese. Pra unë e parashikoj një proces të gjatë.
A i bashkon shqiptarët procesi i zgjerimit të BE?
Në fakt, aq sa i bashkon Brukseli shqiptarët mund ta realizojnë, po të kenë vullnetin e tyre, për një kohë shumë të shkurtër. Asgjë si pengon shqiptarët të njësojnë çdo ligj në të dy vendet.
Dëshironi të ndani ndonjë moment memorie apo kujtese nga 17 shkurti i vitit 2008. Ka qenë data që u shpall pavarësia e Kosovës, por ka qenë një proces i tërë i paraprirë që bëri të mundur që të mbërrihej në këtë pikë?
Momenti që dua të ndalem ishte vizita e presidentit Bush dhe takimi me të në zyrën time, në të cilën ai, në prani të delegacionit tonë dhe delagacionit të tyre më kërkon ti thoja cilat ishin mendimet e mia mbi Kosovën dhe rajonin.
Më falni t’ju ndërpresë. Edhe gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me babain e Xhorxh Bush e njëjta bisedë është bërë në mos gaboj në lidhje me dinamikën e rajonit?
Gjatë takimit me babain e Xhorxh Bush biseda është filluar jo me Shqipërinë, por me Kosovën. Ai mori një atlas ku u ul dhe pastaj më tha më fol pak tani për Kosovën dhe hapi atlasin dhe gjeti Kosovën në hartë.
Po me presidentin Bush gjatë takimit në Tiranë në 2007?
Bush mu drejtua haptaz duke më thënë si mendon, kur mendon ti për pavarësinë e Kosovës. Unë i thashë se vetëm pavarësia është zgjidhja dhe ja shpjegova. Pastaj mu kthye dhe më tha: “Kur thua ti”. Kur më tha kur thua ti, ç’është e vërteta anëtarët e delegacionit të tij u shtangën dhe po më shihnin….
Lidhur me problemin me Rusinë?
Jo me Rusinë e kishin zgjidhur ata. I kishte thënë në Berlin “Vladimir, Kosova do bëhet e pavarur, e kuptoj që ti s’do por Kosova do bëhet.” Por ai më pyet dhe më thotë kur. Ata menduan se unë do i thoja pas dy javësh dhe ra një heshtje e madhe. Unë i them: Zoti president, meqë ju e keni ndarë mendjen unë u them që të merrni gjithë kohën që ju duhet për të arritur në një ujdi sa më të madhe të mundshme me partnerët sepse pjesën tjetër, pra udhëheqjen e Kosovës ata me këtë do jenë jashtëzakonisht mirënjohës kur t’i informojë, dhe ai më tha do ti informosh sa më shpejt. Ai e tha pastaj dhe në konferencë shtypi.
Si e shikoni Shqipërinë dhe Kosovën në 10 vitet e ardhshme, pra në 2028?
Në 2028 Shqipërinë dhe Kosovën i shoh shumë më të bashkuara se tani, kam besim që hekurudha do bëhet, kam besim që doganat do të hiqen. Kosova tani ka ekonominë më vibrante në rajon, ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Shqiptarët do çlirohen nga kjo qeveri e cila është një lloj problemi shumë i madh qoftë në marrëdhënie me Kosovën qoftë në problemet e brendshme të zhvillimit. Kështu që unë i shoh të shkëlqyera marrëdhëniet pas 10 vitesh.
Marrë nga “TVSH”