Rrushi kallmet, diamanti që i la Shqipërisë dhe agrikulturës, Todo Gjermani, mjeshtri që i solli përvojën franceze vreshtarisë

Sinopsis për mbajtjen e një premtimi dhe implementimin e një projekti ambicioz

Ishte dhe mbetet, ka gjasa për shumë kohë pas publikimit të këtij shkrimi, violina e parë e vreshtarisë shqiptare, përkrah Taso Ninit e Petraq Sotirit. Nuk i druhem kësaj të thëne si shpalim promocional, se e pata idhull në ngasjen e formimit tim agrikultural, por sa kohë diamanti që i la Shqipërisë, bëhet i gjallë në këto vite të jetësimit të bujqësisë shqiptare. Diamanti po skalitet me durim. Unë them se ka rënë në duar mjeshtrash e teknicenësh me adrenalinën e ndryshimit që u pulson ndër damarë. Ani se duhet bërë kujdes. Miku im i hershëm dhe i përhershëm, na përgjon me vëmendje në se ne do të mundemi t’ja fshijmë djersët diamantit që na la trashigim e blasfemi njëherësh. Është diamant, mos harroni njerëz!

I përkiste shkollës frënge, njërës nga përformimet e shkëlqyera të vreshtarisë botërore. Autoriteti i Mbretërisë Shqiptare në emër të krijimit të këmbëve të Anteut për ekonominë e këtij vendi, u përkujdes të shkollonte në Francë, djemtë impulsivë të tij. Në krye të listës, merret me mend se do të ishte djaloshi pasionant e i vullnetshëm, për të kuruar plagët e agrikulturës shqiptare nga zaptues shovenë, osmanë e pasosmanë. Është rasti ta bëj me dije lexuesin tim se në Francë u shkolluan liceistë e joliceistë. U përgatitën personalitete të bujqësisë, si teknicenë e si inxhinierë, të tokës e të bimëve. Këta individë krijuan “dyshemenë” e agrikulturës shqiptare, qyshkur ajo lindi e hodhi shtat përskaj pickimeve të panumërta nihiliste të progresit galopant. Miku im, doemos do të synonte kreun e vistrës. Ndodhet në podin e kreut se ka përkrah liderët sojli të shkencës bujqësore, të sotëm e të nesërm.

Po kush është diamanti që na ka lënë për prikë, Todo Gjermani? Pohohet me sinqeritet nga gjenerata e brezit tim, se është sorti “Kallmet” i hardhisë tradicionale shqiptare. Këtë tip hardhie e huajtën vende europiane si Austria, Hungaria, Mali i Zi e ndonjë tjetër. Franca që nuk përjashtohet nga kjo listë e kësaj huaje, ka prodhuar një verë të mrekullueshme, mbase në një kombinim përmanent me “Shardone” që është një lloj tipik francez. Kjo ka ndodhur dhe në Vjenë e Budapest për të mos e bërë më të gjatë lakun e lançimit. Kjo është një dukuri që na fisnikëron si komb, por ndërkohë na nxit të sendërtojmë mjeshtrinë e kultivimit të sortit “Kallmet”. Them se dëshira e autoriteteve të agrikulturës shkodrane, përfshij Rudolf Rashën, Guri Beshin, Ismet Lloshin e Simon Gjeçaj-n, është në moshën e impresioneve që disiplinohen me vështirësi. Asetet janë ende dëshmi e traditës së suksesshme.

“Kallmeti” që na la Todo Gjermani është Kloni 65/1, i cili prodhon 25 kuintalë për dynymë me përmbajtje sheqeri 28-32 për qind. Puna shkencore i tendosi skrupujt e kërkuesit të palëkundshëm gjatë një dekade. E dëshmojnë sot Sanije Osmani, Dedë Zefi, Flora Malocaj e plot ish pjesëmarrës në projekt. Kloni i Kallmetit kishte atë përqindje sheqeri që pati moduli, tek i cili sondoi sonda e maestros. Po rendimentin e pati dhjetë fish më të lartë. Kjo është shtysa që i nxit fermerët shkodranë të krijojnë në pesë vitet e ardhshëm masivin gjigant me 3 mijë dynymë me hardhi të sortit “Kallmet”. Synimi për të trokitur me dinjitet e për të zënë vendin diku afër ballinës së tregut perëndimor të verërave, është tashmë një konfigurim fisnik i mendjeve njerzore që kanë marrë mbi supe këtë sipërmarrje.

Diamanti që i la popullit të vet teknicieni dhe shkencëtari Todo Gjermani, është stoli në kurorën e modernizmit të agrikulturës shqiptare. E asaj dege të rëndësishme që stimulon turizmin, begatinë e shkëlqimin. Pa anashkaluar patriotizmin, apo jo kolegë?!

 

/Shqiperia Etnike/Guri Beshi/