Rrugëtime historike në Kishën e Brigjes së Hotit

ndue-bacajNga Ndue Bacaj

Hoti ka një histori të gjatë besimi dhe qytetërimi. Kjo është e vërtetuar nga Historian, Studiues, Hartograf e Albanolog të huaj apo vendas, si dhe nga gojëdhënat e trashëguara që gjinden edhe sot. Toponim si Qyteza, Qafkisha e tjera, janë disa nga ato dëshmi që tregojnë se në trojet e Hotit kanë ekzistuar Objekte të cilat i përkisnin një besimi,qytetërimi e zhvillimi Evro‐perëndimore. Albanologu e studiuesi i njohur Milan Shuflaj, shkruan se : “Bëhet shumë i forte Fisi i HOTIT (Otti, Octi, Chioti, Coti,1414 )…Djepi i ketij fisi duhet kërkuar në Plave ose Guci në Lim, që më 1330 “Hotina Gora”, (shqip) Mali i Hotit..( Serbet dhe Shqiptaret,fq.57.), gjë që e dëshmojnë edhe rrënojat e trashëguara….Por kjo vërtetohet edhe nga trashëgimia e dokumentuar e shekullit XV, ku mësohet se Mali i Hotit në vitin 1466 jepte për ushtrinë antiosmane të Gjergj Kastriotit Skënderbeut 220 këmbësore e 80 kalores…(Oliver Jens Schmitt, ARBËRIA VENEDIKE,1392‐1479,fq. 496‐497 ). Me gjithë këtë histori krenare të malit Hotit në mënduam të fokusohemi vetëm në trashëgimin e dokumentuar të KISHËS SË BRIGJES. Kjo Kishe gjendet në “faqet” e shumë studimeve dhe hartave që na çojnë në vitin 1616, ku një relator i kohës ( F. Bolizza..) thotë se kjo Kishe i kushtohet Shën Gjon Pagëzorit, dhe ka nën juridiksion 80 shtëpi të Rapshes së Hotit. Ndërsa në vitin 1699 nga hartografët e kohës shënohet FAMULLI, ku këtu përveç kishës ishte edhe vendbanimi i famullitarit… (Ermanno Armao,Vende, Kisha, Lumenj, Male e Toponimë të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore, fq. 105.).

Vlen të theksohet se në vitin 1672 Ipeshkevi i asaj kohe Pjetër Bogdani përveç Kishës shkruan se aty funksionon edhe një shkollë. (..Letra e Dokumente,përg. nga Odette Marquet, fq. 264 – 265). Një albanolog e studiues i njohur Aus¬triak që ka pasur nën vëmendje Hotin e histo¬rinë e tij shkruan: ”… Në truallin e sheshtë të Luginës së Kushës, ndodhen shtëpi të shpër¬ndara të fshatit më të njëjtin emër, e përsipër mbi to vështron që nga shpati i rrëpirët i faqës së djathtë të luginës përposhtë Famullinë, që rri rrethuar nga grupi i shtëpive më emrin Bri¬gje…” (Theodor Ippen, Shqipëria e Vjeter… fq. 32.). Një famullitare dhe studiues i cila ka shër¬byer në Shqipërinë e Veriut e më gjerë në vitet 1883 – 1907 na rikonfirmon se: “Rapsha… ësh¬të Famulli… që nga viti 1699, kur erdhën këtu Françeskanët dhe ndërtuan Kishën dhe Qëlen… Kisha e vjetër qëndron ashtu siç është, ndërsa Qëla është zgjeruar në vitin 1907 më ndihmën dhe mbështetjen e monarkisë sonë (Austro‐¬hungareze)… famullia ka 6 fshatra më 1838 ba¬nor・…”. Këtu shkruhet edhe për kishën e Traboinit që thotë se edhe kjo është Famulli që në vitin 1648… dhe numëron 9 fshatra më 1276 banorë” (At Lovro Mihaceviq, NËPËR SHQIPËRI, Mbresa, Udhëtime, Etnografi, fq.78‐79 ). Është interesant se në një relacion,të një vizite Baritore të vitit 1745 gjejmë të shkruar se Misioni i Hotit numëronte 200 shtëpi më 2700 frymë,dhe se Kisha ishte në gjendje të keqe dhe ishte gati për ti rënë tavani… (Nëvila Nika,Dioqëza e Shkodrës gjatë shek. XVIII sipas dorëshkrimeve Arkivore,fq.157 ). Gjithsesi ndër mote Hoti ka qenë jo vetëm një vatër e besimit Kristian, por edhe një vatër e nacionalizmit shqiptarë, që njohu një “lulëzim” të admirueshëm pas ardhjes në pushtet në pashallëkun e Shkodrës të familjes së njohur shqiptare të BUSHATLINJËVE. Kishës së Brigjes ju shtua fama e njohja kombëtare e ndërkombëtare, pasi famullitari i saj, At ERASMO BALNËO,në vitet 1756‐1788,ishte edhe miku, mjeku dhe edukatori i fëmijëve të Pashallarëve Bushatlinjë të Shkodrës, të cilët njihen si autonomistet më të mëdhenj të Shqipërisë në vitet e vështira të pushtimit të gjatë otoman. (At Zef Pllumi, Histori Kurrë e Shkruemë,fq. 22‐31). Ndërsa në vitin 1849 mësojmë se Kisha e Brigjes kishte titullin Kuvend dhe varej nga Prefektura Apostolike e Kastratit. (Katund të Kastratit) (Dr. Jur. Johan Georg von HAHN, STUDIMË SHQIPTARE,fq.58 ). Në vitet 1900 studiuesja dhe mikja e shqiptarëve Edith Durham shkruan: “…Sa mbërritëm te kisha e Brigjes, në një kep më lartësi 350 metra mbi nivelin e detit, shikonim gjithë pllajën e Hotit, Kastratit, liqenin e Hotit dhe atë Shkodrës..” (Shqipëria e Epërme, fq.77). Ky përshkrim na tregon edhe pozicionin mjaft të dukshëm e dominues në pamje, që hotjanët dhe famullitaret e tyre kishin zgjedhur ndër kohë për vendin e ndërtimit të kishës tyre…

Sipas Urdhërit të Fretërve Minorë, Nëkrologu i Provincës Shqiptare të Zojës Nunciatë, (nën kujdesin e Fra Flavio Cavallini, mbi bazën e nëkrologut të Fra Marjan Prelaj, më qortimët e Fra Vinçenc Mala, Shkodër –MMI), në ketë kishë kanë shërbyer edhe këta famullitar:

Fra Giacomo nga Roma –vdiq në Rapshë më 5 qershor 1776.(fq.152).

Fra Erasmo Balnëo… përveçse famullitar në kishën e Brigjes ishte edhe mjek i Karamahmud Pashë Bushatliut –veziri famëmadh i pashallëkut të Shkodrës deri në vitin 1796 (kur u vra veziri..). Fra E. Balnëo vdiq më 29 maj 1825.

Fra Anselmo nga Anuano‐Itali u gjet i mbytur nga duar të egra më 21 qërshor 1850.(fq.168)..At Sebastian Hila, famulltar në vitin e stuhishëm të kryengritjes antiosman 1911, ku merr pjesë edhe ky famullitar patriot e mendjendritur… Fra Agostin Kola nga Shkodra vdiq më 30 mars 1916. Fra Odorico Bianchi nga Italia, vdiq më 02 maj 1920.(fq.118)… Fra Angelino Gaudio nga Salerni‐Itali, vdiq më 08 shkurt 1942.(fq.39).. Fra Bernardin Llupi pushkatohet nga serbet në Kosovë më 25 nëntor 1946.(fq.342)… Fra Mëthod Mjekajsh nga Shkodra, vdiq më 06 shkurt 1949.(fq.37)… Fra Gaspër Suma nga Shkodra,vdiq më 14 prill 1950.(fq.100)… Fra Engjell Vjerdha nga Ulqini, vdiq më 13 mars 1951.(fq.73).. Fra Pal Çurçia nga Shkodra,vdiq më 06 qershor 1957.(fq.153)… Fra David Pepaj nga Shkodra,vdiq më 21 dhjetor 1967.(fq.368)… Fra Benëdikt Dema nga Shkodra, vdiq më 22 mars 1971.(fq.82)… Fra Alfons Çuni nga Shkodra, vdiq më 6 dhjetor 1976. (fq. 353)… Fra Mark Pepaj nga Shkodra, vdiq më 2 korrik 1982. (fq.179)…Në Kishën e Brigjes Kushtuar Shën Gjon Pagëzorit ka shërbyer ndër të tjerë hierarki të binomit Fe dhe Atdhe (në vitin 1902), si zëvendësfamullitare edhe i të madhi At Gjergj Fishta, ku një pjesë të frymëzimit të tije për “Iliaden”

Shqiptare LAHUTEN E MALESISË, e ka fituar gjatë këtij shërbimi, ku po në ketë vit paria e Hotit merr edhe vendimin “historik” për ngushtimin e gjakmarrjes… Kisha e Brigjes nder mote e shekuj ka shërbyer edhe si tempull ku hotjanët e më gjerë merrnin frymëzimin, bekimin dhe bënin betimin për t`u dal zot këtyre trojeve shqiptare. At Gjergji e përjetëson mjaftë bukur një kohë tille plot afsh atdhetarie më vargjet:

… Apo i sheh ti njata burra, Që kah Brigja nëpër curra, Tue hec naten porsi bisha, Janë t’u ngjitun drejt kah kisha, Ata janë, po krent e Hotit, Që m’u lidhë duen më besë të Zotit, Për më i dalun zot Shqipnisë. Për më i lanun nderë Malesisë… (At Gj. Fishta, Lahuta e Malesisë..fq.148).

Kisha e Brigjes gjatë shekujve ka pasur nevojë për disa rikonstruksionë, por në po kujtojmë një rikonstruksion të vonë por shumë domethënës, atë të viteve 1926‐1932, kur nacionalisti (djalë i derës së bajraktarit Hotit) Mul Deli Bajraktari sjellë nga Roma (më shpenzimet e veta) kambanat e reja të kishës së rikonstruktuar të Brigjes…

Kjo kishë fatkeqësisht dëmtohet mjaftë rëndë gjatë luftës Italo‐Jugosllave në prillin e vitit 1941,por përsëri do të ringrihej në “këmbë” nga vetë besimtaret hotjanë, të cilët nuk patën çfarë t’i bëjnë një stuhie tjetër të regjimit komunisto‐ate¬ist që e rrënojë në vitin 1967, por pasi u rrezua shteti ateist në vitin 1991, hotjanët (më ndihmën e bijve të tyre emigrant), ngritën kishën e re modern në qendër të fshatit Kushe… Sot edhe pse fizikisht Kisha e Brigjes është “rrënojë”, historia e saj nuk është rrënojë, por “monument” i historisë besimtare e krenare të Hotit… Ndërsa ndërtimi apo rindërtimi i objekteve të kultit Kristian në Hot, e më gjerë ësh¬të edhe një rrezatim i rilindur i qytetërimit Perëndimor‐Evropian…