Rrok Nikçi, kelmendasi që vlente më shumë se dy qeveri

Aktiviteti i tij patriotik ku e përhapte frymën e bashkë-veprimtarëve të tij nga Kosova duke e lëkundur rehatinë e pushtuesëve sllav në Guci e detyroi Rrokun që të largohej në drejtim të Italisë në vitin 1973. Ai nuk qëndroi gjatë në Itali duke e vazhduar rrugëtimin e tij për në SHBA e më konkretisht në New York.

Shqiptarët e Amerikës me plot të drejtë krenohen për veprimtarinë e tyre patriotike që kanë lënë gjurmë të pa shlyera në histori. Ky komunitet shquhet për ruajtjen e identitetit kombëtar duke hapur shkolla, gazeta e shtëpi të kulturës që kanë ndikuar shumë në sensibilizimin e çështjes shqiptare. Kësaj radhe po ndalem tek shqiptari që e hapi shtëpinë e parë të kulturës në New York. Ai vinte nga Kelmendi i Malësisë dhe një jetë i shërbeu çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë. Ishte pra Rrok Nikçi që në SHBA quhej Rrok Flamuri.

Familja e Rrok Nikçit
Rrok Nikçi u lind në fshatin Dol të Gucisë në vitin 1951, vitet e 50’ të shekullit të kaluar ishin ndër vitet më të errëta për shqiptarët që jetonin në trojet e tyre të pushtuara nga ish-jugosllavia sepse në atë kohë dhuna e koordinuar nga Aleksander Rankovici ishte përhapur në të gjitha trevat e pushtuara shqiptare. Familja e Rrok Nikçit ishte në shënjestër të xhandarmërisë dhe policisë sekrete sllave. Atyre ua bastisnin shtëpinë shumë shpesh duke i malltrjatuar fizikisht dhe duke u thyer çdo gjë që kishin në shtëpi për t’ua bërë të pamundur jetën në atë shtëpi.
Rroku vinte nga nje familje e njohur për patriotizëm e bujari. Pra, ishte familja e Kolë Shytit e cila në vrullin më të madh të asimilimit të shqiptarëve kur popi Gjorgje Shekullarac e kishte ndërtuar kishën Pravosllave Ortodokse në Guci, në të njëjtën kohë Kola e kishte ndërtuar Kishën Katolike Shqiptare që ta kundërshtonte asimilimin nga shqiptarë në sllav. Kjo familje për herë të parë kishte sjellur edhe rrymën elektrike dhe kishte blerë veturë duke i bindur sllavët se shqiptarët ecin me kohën dhe janë përparimtarë.
Duke i pare të gjitha këto malltrajtimr në familjen e tij dhe të atyre që kishin orientim patriotik në atë rreth, Rroku rrebelohet që në fëmijëri duke pyetur edhe në shkollë mësuesin e tij se për çka shqiptarët duhet të mësojnë në një gjuhë të pa-kuptueshme e jo në gjuhën shqipe sic e flasin në shtëpi. Në vend të përgjigjes nga mësuesi i tij, të njëjtën ditë këtë përgjigje e kishte marrë nga policia sllave të cilët i kishin shkuar në shtëpi dhe para syve të tij ia kishin rrahur nënën.
Më vonë, pas përfundimit të shkollës fillore në Guci, Rroku u regjistrua në gjimnazin e Pejës. Atje u frymëzua edhe më shumë nga rinia e Kosovës të cilët kishin marrë pjesë në demostratat anti-sllave të vitit 1968. Këtë frymëzim Rroku e shfrytëzoi për t’i hyrë rrugës anti-sllave deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Aktiviteti i tij patriotik ku e përhapte frymën e bashkë-veprimtarëve të tij nga Kosova duke e lëkundur rehatinë e pushtuesëve sllav në Guci e detyroi Rrokun që të largohej në drejtim të Italisë në vitin 1973. Ai nuk qëndroi gjatë në Itali duke e vazhduar rrugëtimin e tij për në SHBA e më konkretisht në New York.
Ardhja e Rrok Nikçit në Amerikë dhe kyçja e tij në veprimtarinë patriotike
Kur erdhi në SHBA, Rrok Nikçi nuk gjeti përkrahje të madhe në idenë e tij për të punuar në të mirën e Shqipërisë. Në atë kohë mbizotëronin grupacionet e krijuara nga Shërbimi Sekret Jugosllav UDB-a, ku punohej me të madhe kundër Shqipërisë. Ishin njerëzit që i kishin rekrutuar si diversantë për të vrarë shqiptarë.
Në New York, Chicago dhe sidomos në Detroit festohej ditëlindja e Titos me nga 1,000 veta në sallë. Kompania ajrore e fluturimeve (JAT-Jugosllovenski Aero Transport) sillte drogën në SHBA dhe prej këtu shpërndante edhe në shtete të tjera.
Shqiptarëve që nuk e donin Shqipërinë u pëlqente kjo dhe inkuadroheshin në këtë rrjet kriminal. Më vonë erdhi edhe Millosheviqi dhe e përforcoi rrjetin kundër Shqipërisë duke u dhënë para për blerjen e pasurisë së patundshme. Sot, disa nga ata shqiptarë që përfituan nga Millosheviqi apo nga paratë e drogës më herët zotërojnë pasuri marramendëse në SHBA.
E tërë kjo pasuri dhe mbështetje që Jugosllavia i kishte ofruar komunitetit shqiptaro-amerikan për Rrok Nikçin ishte vetëm një tradhëti ndaj atdheut, ai nuk e përqafoi këtë rrjet. Në SHBA u ofrua me rrjetin e shqiptarëve që e donin Shqipërinë siq ishin: Ahmet Zherka, Gjeto Sinishtaj, Kol Gojçi, Gjokë Martini, Gjergj Kalaj e shumë të tjerë që e përkrahnin Shqipërinë dhe me veprimtarinë e tyre kishin dëshmuar se ishin kundër pushtimit jugosllav në trojet shqiptare.
Vlen të dallohet se pasi Ahmet Zherka e kishte vrarë një njeri vetëm pse ja kishte shkelur flamurin kombëtar në mes të Manhattan-it, NY në vitin 1976, RRoku dhe shokët e tij vetëm sa u përforcuan dhe u organizuan edhe më mirë.
Hapja e pare e Shtëpisë së Kulturës në New York dhe formimi I Klubit Kombëtar Jusuf Gërvalla
Rroku shkonte në restorantet ku këndohej serbisht dhe ua ndalonte muzikën, ua thente pajisjet dhe i këshillonte që të këndojnë vetëm shqip. Në fund të vitit 1979 dhe në fillim të vitit 1980, Rroku pati fatin dhe doli shumë i suksesshëm në shitblerjen e pasurisë së patundshme, ai në ndërtesën e tij e kishte hapur shtëpinë e kulturës dhe e vendosën emrin Naim Frashëri. Në atë shtëpi të kulturës mblidheshin shqiptarët që e donin Shqipërinë dhe organizonin planet për demostratat anti-jugosllave.
Në vitin 1982 Vriten vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, në atë kohë UDB-ja tentonte të bënte vrasje edhe në Amerikë. Shfrytëzoheshin raportet e mira Jugosllavo-Amerikane dhe rrjeti kundër Shqipërisë sa vinte e forcohej. Shumë zyrtarë amerikan kishin shtëpitë e tyre në Budva, Rijekë dhe Dubrovnik. Në shtëpitë e shumicës së shqiptaro-amerikanëve qëndronte portreti i Titos varur në murin e dhomës së pritjes për mysafir. Një grup shqip-folësish kishte shkuar nga Amerika kinse për të luajtur futboll në emër të grupit Jugosllav “Besa” nga Detroit, MI. Ata nga dashuria e madhe që kishin për Titon i shkuan tek varri dhe vendosën lule duke derdhur lotë krokodili. Pra, në atë kohë ishte shumë vështirë t’i dilej përballë rrymës pro-jugosllave në SHBA. Shoqëria “Naim Frashëri” në New York vendosi të ndërronte emrin duke e marrë atë të Jusuf Gërvallës dhe quhej Klubi Kombëtar Jusuf Gërvalla.
Në këtë veprimtari Rroku i furnizonte me armë disa nga veprimtarët dhe kishin krijuar një imazh se këta janë si një ushtri e rregullt. Bashkëpunonin ngusht me shtetin shqiptar dhe e përkrahnin në çdo mënyrë. Në anën tjetër, organizatat që ishin kundër Shqipërisë ishin bërë edhe më agresive pas humbjeve të një-pasnjëshme të grupeve diversante të cilët zbuloheshin dhe vriteshin menjëhere ose dënoheshin me pushkatim.
Klubi Kombëtar Jusuf Gërvalla kishte filluar t’u shkonte derë më derë bashkëpunëtorëve të UDB-së duke u bërë presion. Në New York, Detroit dhe Chicago shkonin dhe i prishnin manifestimet për bashkim-vëllazërimin Jugosllav. Pas vrasjes së Rexhep Malaj-t dhe Nuhi Berishës në Janar të vitit 1984 mbi 2,500 veta ishin mbledhur në New York për të protestuar kundër shtetit Jugosllav. Në atë rast më së keqi e kishte përjetuar grupi i dërguar nga UDB-ja në cilësinë e gazetarëve.
Diagnostifikimi i Rrokut me kancer dhe lufta e tij për të mposhtur këtë sëmundje
Viteve të fundit, para se të vdiste Rrok Nikçi konsiderohej si Rrok Flamuri, ai ishte i pari që e përkrahte çdo aktivitet anti-sllav në SHBA. I pari vinte në çdo protestë me katër flamuj dhe në kokë e mbante plisin e bardhë me krenari. Na mësonte neve që kishim ardhur më vonë në SHBA se si duhet të mos dekurajohemi kur të hasim në shqip-folës që nuk e duan atdheun. Rroku ishte shërbëtor i kombit dhe besonte në ndjenjën e pastërt si shqiptar. Edhe mjekëve ju kishte përgjigjur me rastin e diagnostifikimit me kancer kur ata i kishin thënë se do të jetonte vetëm 6 muaj: Une jam shqiptar dhe vdes kur dua unë e jo kur thoni ju!
Ashtu i doli, Rroku jetoi 4 vite më shumë dhe nuk u dorëzua deri në frymën e fundit. Rroku do të mbahet në mendjen e shqiptarëve të Amerikës si i pari shqiptar që hapi shtëpinë e kulturës në New York të cilën sot nuk po munden ta hapin dy qeveri shqiptare. Ai i kushtoi atdheut një jetë dhe meriton çdo respekt nga të gjithë shqiptarët. Kuptohet se në këto kohë të turbullta presidentja e Kosovës dhe Presidenti i Shqipërisë janë të zënë duke i dekoruar ish -bashkëpunëtorët e UDB-së me Dekorata ”Nderi i Kombit”. Por, Rrokun e nderon historia me çdo dekoratë dhe çdo shqiptar që e don atdheun e kujton Rrokun me respekt përjetësisht.
Varrimi i Rrok Nikçit u kthye nga dhembje në krenari
Pas ceremonisë fetare në kishë Zoja e Shkodrës, në Hartsdalle, NY, tek dera e kishes i kishte dalur përpara ish-shoku i klasës së parë Rexhep Vuçetaj bashkë me disa nga shokët e Rrokut që kishin bashkëvepruar tërë jetën. Ai e ndali arkivolin dhe me një flamur në dorë ju drejtua masës: “Rrok Nikçi, tërë jetën i shërbeu flamurit dhe e kemi për detyrë që në banesën e tij të fundit ta përcjellim të mbështjellur me flamur kombëtar!” Ashtu edhe ndodhi duke e kthyer varrimin nga dhemja në krenari.
Bashkë-veprimtari i tij për tri dekada Naim Balidemaj, në varrimin e Rrokut do të shprehej: “Ishe në ballë të çdo demonstrate anti-sllave me flamur kombëtar, e doje shumë njeriun dhe jetën dhe kjo të ka bërë që të mos i frikësohesh as vdekjes. Kjo është arsyeja se ti Rrok do të mbetesh i përjetshëm në mendjen dhe zemrat tona. Qazim Doda