Rritje historike e turizmit, vetëm në gusht hynë 1.5 milionë të huaj

ATSH-Maela Marini/ Vetëm gjatë muajit gusht në Shqipëri kanë hyrë rreth 1.5 milionë turistë të huaj, ose rreth 20% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot në një intervistë televizive se “risia e këtij viti është një rritje shumë më tepër se pritshmëritë tona e numrit të turistëve”.

“Nga 1 janari deri në 31 korrik kemi 13.56 % më shumë turistë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë muaji gusht shënon një “bum” të numrit të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri”, – tha Klosi.

Edhe pse sot jemi ende në datën 29 gusht, duke iu referuar shifrave të deritanishme të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, Klosi tha se, “kemi 1 milion e 310 mijë turistë të huaj të regjistruar në TIMS”. Ky, sipas tij, është kulmi i rritjes historike të numrit të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri.

Vetëm ditën e djeshme, sipas ministrit Klosi, në Shqipëri kanë hyrë 37 800 shtetas të huaj, ndaj dhe pritshmëritë janë që deri në fund të muajit shifrat të shkojnë rreth 1.5 milionë turistë të huaj.

Klosi tha se sipas ligjit të Turizmit, konsiderohet turist i huaj një shtetas i huaj që hyn në vendin tonë dhe rri më shumë se 24 orë. Këtu, shtoi ai, “kemi hequr numrin e tranzitëve, sidomos të shtetasve kosovarë që hyjnë në Qafë-Morinë e dalin nga porti i Durrësit”. /j.p/