Rritet me 25% importi i drithit – Rekord në prill, Rusia mbetet e para, por në “skenë” del Kroacia, Ukraina e Pakistani

Shqipëria ka rritur sërish importet e drithit gjatë muajit prill të këtij viti, duke prekur nivelin më të lartë që prej shkurtit të vitit 2011. Rritja e importit të drithit ka ardhur në një kohë që vendi ka qenë në bllokim total si pasojë e emergjencës shëndetësore të krijuar nga Covid-19, dhe duket të jetë efekt i drejtpërdrejtë i detyrimit ligjor për rritjen e rezervave ushqimore por edhe e rënies së prodhimit vendas.

Konsumi vendas i drithit, mbulohet në masën 65% nga prodhimi vendas dhe vetëm 35% nga importi, në kohë normale. Në mars u importuan 1.45 mld lekë drithëra, ndërsa në prill 1.81 miliardë lekë, në rritje me 24.8%. Gjatë muajit Mars u vu re një dyfishim i importeve nga Rusia. Edhe gjatë Prillit importet e drithit nga Rusia kanë qëndruar në nivele të larta dhe në rritje të lehtë krahasuar me muajin paraardhës, nga 736 milionë lekë në 768 milionë lekë, por rritja më e madhe e vendeve të tjera në këtë treg ka bërë që Rusia të humbasë disi peshë në tregun e importit të drithit në vend.

Në mars, rusia zinte 50.3% të tregut të importit të drithit në vend, ndërsa në prill kjo normë ka zbritur në 42.4%. Rritje të ndjeshme ndërkohë regjistron edhe Serbia, që është e dyta pas Rusisë në listën e importuesve në vend. Importet e drithit nga Serbia janë rritur në 477 milionë lekë, nga 364 që ishin muajin paraardhës. Rritje të ndjeshme të importeve të drithit gjatë Prillit regjistrojnë edhe vende si Kroacia, Ukraina, Bullgaria apo edhe Pakistani e Kina, që kanë hyrë rishtazi në treg. Diversifikimi i portofolit të importeve në shumë shtete ul kështu varësinë e Shqipërisë për bukë nga vende si Rusia apo Serbia, të cilat zënë pjesën e “luanit” në treg.

Roel Korkuti / SCAN