Rreziku i koronavirusit, qeveria mbyll shkollat dhe detyron vetkarantin për personat që vijnë nga Italia

Në Shqipëri, Qeveria njoftoi sot mbylljen e shkollave për një periudhë dy javore, pasi mesnatën e së dielës, u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus, një 28 vjeçar, i ardhur nga Italia i cili duket se më pas ka infektuar dhe të atin, 54 vjeçar. Sipas vendimit të sotëm të qeverisë, deri më 3 prill pezullohen të gjitha fluturimet drejt dhe nga Veriu i Italisë, apo ato që autoritetet italiane i kanë konsideruar si “zona të kuqe”. Janë 10 destinacionet italiane ( Milano, Bergamo, Bolonja, Firenze, Genova, Perugia, Pisa, Rimini, Venezia, Verona) me të cilat ka fluturime të shpeshta nga aeroporti “Nenë Tereza”, e për pasojë do të ndërpriten komunikimet ajrore.

Për të gjithë personat që vijnë nga këto zona të Italisë, është bërë i detyrueshëm vetkarantinimi, apo qëndrimi mbyllur në shtëpi për të paktën 14 ditë. Strukturat shëndetësore janë urdhëruar që të bëjnë mbikqyrjen periodike të këtyre personave, të cilët në rast të moszbatimit të këtij urdhëri rrezikojnë dhe sanksione administrative. Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar gjthashtu kufizimin e frekuentimit të mjediseve spitalore nga të afërmit apo shoqëruesit e personave që ndodhen të shtruar.

Po ashtu deri më 3 prill ndalohen dhe të gjitha organizimet masive, aktivitete sportive e kulturore, koncerte, konferenca apo aktivitete të tjera të ngjashme që janë masive apo dhe ato që zhvillohen në mjedise të mbyllura.

Lidhur me dy rastet e konfirmuara, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, shpjegoi gjatë mbledhjes së Qeverisë se 28 vjeçari i prekur, ka hyrë në rrugë tokësore nga Italia më 26 shkurt, dhe se ka qenë ai që ia ka transmetuar babait të tij. Të dy kanë shfaqur shenja klinike, kur janë kontatuar nga Urgjenca kombëtare. “Menjëherë pas daljes së rezultateve të analizave, ekipi i epidemiologëve ka kryer identifikimin, izolimin e kontateve të ngushta përgjatë gjithë natës, ka marrë mostrat e tyre dhe kontatet e ngushta janë izoluar”, tha ministrja Manastirliu.

Gjatë mbledhjes së posaçme të Qeverisë, kryeministri Edi Rama theksoi se strukturat shëndetësore janë në gatishmëri. “Pas rasteve të konfirmuara, mjediset e përgatitura më parë për karantinën e përgjithshme janë në dispozicion. Dhomat e izolimit në Spitalin Infektiv janë funksionale dhe punohet në vijimësi për stokun e materialeve për personelin”, tha zoti Rama duke njoftuar dhe vënien në dispozicion të një fondi prej 400 mijë lekësh (afro 3.9 milion dollarë).

Kryeministri bëri thirrje të përsëritura për nevojën e qetësisë dhe shmangies së panikut nga qtetarët. “Në ka një gjë që bëhet e qartë e për të cilën këmbëngul Organizata Botërore e Shëndetësisë, është se receta më e gabuar është ajo që buron nga paniku dhe të gjitha llojet e aveturave të natyrës individuale, ndërkohë që në këtë situatë ilaçi më efekti është qetësia dhe forca e arsyes për të mos e lënë veten veten, rrethin e afërt të familjarëve, të bien në kthetrat e panikut. Kjo është një kohë për t’u informuar prej burimeve zyrtare dhe për të zbatuar sa më rreptësisht rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, lidhur me higjienën vetjake”, deklaroi zoti Rama.