Rrëfimi i rrallë i Pjetër Pepës, ambasadori i parë rezident i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë: Kur Vatikani shihej si “ofiçinë spiunësh”

Pjetër Pepa, ambasadori i parë rezident i Shqipërisë në Vatikan, në një nga intervistat e tij, ka kujtuar momentet e misionit të tij në Selinë e Shenjtë, takimet me Papën, në një kohë kur ishte sëmurë rëndë dhe i kërkonin dorëheqjen. Një pamje nga diplomati shqiptar se si funksionon diplomacia e Vatikanit dhe lidhjet e Papa Gjon Palit të Dytë me Shqipërinë, përshtypjet e tij në vizitën e parë pas rënies së diktaturës në ‘90-ën. Ndërsa e sjellim këtë intervistë për homazh të studiuesit të dosjeve të diktaturës dhe pritjes së vizitës së dytë të Papatit të Vatikanit të konfirmuar më 21 shtator

 Dasmë në luftë… la krisma e kasaphanë në Shqipëri dhe shkoi drejt Vatikanit, ku iu ngjit një apartamenti katërkatësh, përballë me një diplomat të harruar nga Zaireja, një vendi në fund të botës ku veç luftë mbante mend, e qeveria nuk ekzistonte.

Tamam si Shqipëria, veçse ne ishim djali i përkëdhelur, i egërsuar ndaj Selisë së Shenjtë. Në këto kushte, Pjetër Pepa nuk do guxonte më 1997 të ngulte as flamurin shqiptar në ballkon. Shqiptarët ishin bërë tmerr për italianët. Ndërkohë që Pepa ishte emëruar diplomati i parë shqiptar, rezident në Vatikan, shkodran që kish kryer studimet për stomatologji, autor i më shumë se 100 botimeve shkencore, propagandistike e monografike. Rengu që i dha koha “e detyruan” Pepën të hynte në rekordet e diplomacisë në Vatikan. Për pesë muaj, kthehet sërish në Shqipëri. Arsyeja vinte nga politika shqiptare, ku Papa shfaq hapur preferencën e tij për Sali Bershën, nga mikpritja që iu bë në Shqipëri, pas shembjes së diktaturës. Më poshtë botojmë të plotë, për herë të parë në median e përditshme, rrëfimin e të ndjerit Pjetër Pepa mbi aventurën në Vatikan, si e vlerësoi Papa politikanët shqiptarë dhe talenti i çuditshëm i njeriut të Selisë së Shenjtë, memoria. E sjellim këtë intervistë si çastin e parë të shkeljes së Papës në Shqipëri, kur tanimë është konfirmuar më 21 shtator ardhja për të dytën e herë, në një moment tjetër historik të Papës së Vatikanit, tani në krye Françesku. Është një nga rastet e historisë kur rilidhja me Vatikanin bëhet pas mohimit 45 vjeçar dhe persekutimit të kishës nga regjimi komunist, për të cilën Pepa na ka lënë botime e dëshmi të bollshme arkivore për t’u studiuar.

  Keni qenë diplomat i parë shqiptar në Vatikan. Çdo të thoshte për historinë shqiptare ky përfaqësim i parë rezidencial?

Natyrisht mund të fillohet pak para se të shkoj në Vatikan, sepse dihet që marrëdhëniet me Vatikanin kanë qenë mjaft të traumatizuar qysh në vitin 1945, kur Nunsi Apostolik i Vatikanit përjashtohet si “person non grada”. Që nga ai vit, për politikën shqiptare Vatikani nuk ka qenë gjë tjetër veçse një ofiçinë spiunazhijanë pushkatuar pa farë klerikët, sepse të gjithë kanë thënë “Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipëria, trupin e lëmë këtu shpirtin e kemi tek Papa”. Natyrisht gjithë janë quajtur nga politika shqiptare si spiunë të Vatikanit dhe kjo ka shkuar rreth 45 vjet derisa më në fund me përpjekje të mëdha të Vatikanit u rivendosën marrëdhëniet, me kthesën që filloi në vitin 1990. Është për të vënë në dukje që ndërsa Papa Gjon Pali i Dytë, duke qenë nga një shtet i diktaturës siç ishte Polonia e deshi shumë Shqipërinë, e deshi shumë popullin shqiptar, siç deshi dhe lirinë e popujve që vuanin nën diktaturën komuniste. Kështu që ai punoi shumë në këtë drejtim. Janë katër pesë momente kur ai ka drejtuar lutjen për popullin shqiptar, i cili po vuanin shumë, kur klerikët pushkatoheshin për besimin, për fenë. Ndërsa ne, nuk lenim blasfemi pa folur kundër tij, Papa erdhi e puthi tokën shqiptare, falet si miku me mikun me gjithë popullin shqiptar. “Ju dua shumë, kam ardhur të mbjell dashurinë mes jush”, ky është prolog i tij në çdo kohë. Pas këtij kalvari, përfundimisht rivihen marrëdhëniet diplomatike. I pari që erdhi në Shqipëri dhe që hapi rrugën e Vatikanit ishte indiani, nunsi apostolik Ivandias, i cili kishte punuar disa kohë në zyrat e Vatikanit, madje kohët e fundit emri i tij doli dhe si kandidat për Papë, nëse nuk do ishte dikush nga Italia apo Evropa.

Kjo për faktin se India ka pasur shumë thirrje ka pasur shumë thirrje meshtare kohët e fundit, dhe ky duke qenë arqipeshkvi i Bombeit ishte një ndër kandidatët e mundshëm. Ambasadori i parë për Shqipërinë, ishte Vili Kamsi, nga Shkodra, historian. Por ai nuk ishte ambasador rezident. Ai rrinte në Shkodër dhe shkonte e vinte sa herë kishte ftesa dhe ceremoni në Vatikan. Kështu që më ’97 menduan që të më dërgonin mua si ambasador rezident.

Pas këtyre arsyeve historike të shkëputjes së gjatë që patëm me Selinë e Shenjtë, cilat ishin rrethanat që ju u gjendët në Vatikan?

Në librin e kujtimeve të mia e kam përcaktuar si dasmë në luftë. Mirëpo është e paramenduar se si mund të bëhet një dasmë e tillë. Kështu ishte dhe vajtja ime në Vatikan. E para, qëndrova shumë pak kohë, duke thyer rekordet e Ginesit për idiotësinë shqiptare. Nuk mund të mendohet në Vatikan që të shkelen kaq keqas rregullat. Ne i shkelim, shqiptarët janë mësuar me këtë, aq më tepër po të kemi parasysh vitin ‘97. Sapo shkova, në janar, një muaj e shumë do të prisja sepse Papës i kishte rënë një grip dhe për këtë arsye i kishte ndërprerë takimet. Pastaj futesh menjëherë në regjimin për parapërgatitjet e Pashkëve dhe më 1 mars, kam bërë dorëzimin e letrave kredenciale. Para se të hyja shoqëruesi pyet siç është norma, me kortezi se mos kisha emocione dhe natyra ime, meqë disa vite i kisha kaluar në parlament, nuk kishte shenja të tilla.

Papritur më njoftuan, se në Vlorë, atë natë ishin vrarë nëntë vetë. Kjo më ra si dush djersitjeje, ata i kishin marrë vesh para meje. Më pas erdhi Otranto, mbytje e vrasje të tjera të njëpasnjëshme nga Shqipëria. Kështu që, në këto rrethana m’u desh jo vetëm për të kryer ceremoninë e kortezisë ndaj detyrave si shtet, ndaj Vatikanit që është korrekt për gjithçka. Por, më pas m’u desh të adaptoja dhe një hyrje apartamenti, për ta bërë ambasadë në kushtet kur këtej qeveritë jepnin dorëheqjen dhe gjendja në Shqipëri ishte në shtetrrethim.

Në Itali, kjo përcillej me artikuj, me tituj bombastikë: “Një vend në flakë”, ndërsa paralel do të kërkoja të vihej faksi, telefoni etj., etj. Ndërsa italianëve u kishte hyrë tmerri nga shqiptarët, unë isha në një ndërtesë katërkatëshe, ku në katin e tretë të saj nuk guxoja as të ngrija flamurin. Mezi mora leje të vija flamurin tek ballkoni, se për tabela nuk bëhej fjalë, pasi kishin alergji për shqiptarët e ‘97-ës.

Në aspektin politik ishte një gjurulldi e tmerrshme ku “BBC”, “Deutsche Welle” villnin veç vrer, ku jepnin ato skenat makabre të Vlorës, kur po mbytnin njerëz. Pra, në këto rrethana duhej të ruaja dhe moralin. Unë isha krejt i vetëm, sa i habita të gjithë.

 Si funksiononte Vatikani, pse ka gjithë këtë potencial dhe fuqi jo vetëm politike?

Në këtë mes ndodh kjo: meqë shtetet kanë politikat e tyre, ambasadat, ministritë e jashtme, kuptohet se ato kanë pajtimet dhe mospajtimet e tyre, miqtë dhe armiqtë. Vatikani duke qenë një institucion më tepër shpirtëror se sa politik, me dy mijë vjet traditë, ka për princip bazë – dashurinë, jo fitoren apo politikën. Ai i shtyn kombet në pajtim, tek ai duam mbështetje ndërmjetësim dhe shpesh herë hyn në ndërmjetësim dhe në mes dy armiqve. Kjo u pa qartë tek Papa, që ka takuar kundërshtarët absolutë. Papa shkon tek Fidel Kastro por shkon dhe tek Bushi. Aty ku armiqësitë janë të thelluara, të mëdha, Vatikani është balsami që ruan ekuilibrat gjithmonë duke qenë qetësuesi shpirtëror, pa baza ushtarake. Dhe në këtë aspekt është më i shtrirë dhe më i hapur. Por, duke pasur dhe traditën dy mijë vjeçare është tepër korrekt, i ka të përsosur strukturat e funksionimit. Kur shkova atje, para se të takoja Papën, ata kishin një vend të caktuar për ambasadorin që nuk i është dorëzuar akoma kredencialja. Ato i bëjnë të gjitha lëvizjet me respekt. Derisa u zëvendësova kisha vendin tim prapa aty, nuk të hiqnin.

 Brenda Vatikanit jeni takuar me Papën më shpesh se çdo diplomat tjetër. Ku përqendrohej biseda mes jush, si e shikonte Shqipërinë?

Ky Papë që ishte i lodhur fizikisht, të krijonte idenë sikur nga ana e intelektit mund ta ndihmojnë të tjerët. Çuditërisht kur jam ndarë me të më ka thënë shprehimisht: “Qëndrove pak me ne këtu”. Kur iu përgjigja se kështu ishte e shkruar, ai më pyeti sërish nëse do të qëndroja në Itali apo do të kthehesha në Shqipëri?! Pra, ai e dinte gjithë situatën, ndërsa unë i shpjegova se duhej të kthehesha në Shqipëri. Papritur fjala e tij ishte: Po atje nuk gjen më Berishën! Iu përgjigja, i sigurt se nuk gjej Berishën, por bijtë e atyre që u dorëzova bashkë me kredencialet dhe librin mbi dosjen e diktaturës, se si janë kryer krimet në Shqipëri kundra klerit.

Meraku i tij pas këtij takimi ishte tek brezi që vjen. Më këtë dua të them, se ai kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe dashuri të madhe për Shqipërinë. Ai ishte shumë i informuar por krejtësisht i alarmuar. Ai kishte një dashuri të veçantë që kur kishte ardhur në Shqipëri. Qysh kur takova herën e parë me të, falënderimet e tij ishin: simpatia për pritjen që i është bërë nga Berisha. Ai kishte një debulesë, se kot nuk erdhi të puthë tokën. Por duke qenë polak dhe një njeri që ka vuajtur, ka mbetur jetim qysh 20 vjeç, duke humbur gjithë të afërmit, ishte në sinkron, në një dhimbje me shqiptarët. Dhe sa herë ishte gati, gjente të gjitha mënyrat për ta nxjerrë në epiqendër Shqipërinë. Bëhej udha e kryqit për Pashkët, ai nxirrte një shqiptare, Luigjina Lekën, një shkodrane, që ishte dikur aktore filmash, të veshur me kostum karakteristikë. Papa e përmendte çdo të diel në lutje Shqipërinë për problemin më të madh që po i ndodhte. Papa e kishte me të lehtë të fliste në gjuhën tënde se sa të përdorte përkthyes.

 Me sa thuhej, vizitat e politikanëve shqiptarë tek Papa kanë qenë mjaft intensive në vitin ‘97. Sa i njihnin ata rregullat dhe protokollin e Vatikanit?

Si gjurulldia që po ndodhte në Shqipëri edhe politikanët shqiptarë vinin në Vatikan pa dërguar asnjë protokoll. Jo vetëm Bashkim Fino, por dhe shtatë a tetë politikanë nuk dërgonin asnjë shkresë lajmëruese për vizitën. Spartak Ngjela, në atë kohë ministër i Drejtësisë, mbeti jashtë dhe ishte një hall i madh, sepse kishte një neglizhencë të tmerrshme për të respektuar protokollin e Vatikanit. Mirëpo, ata kanë organizim, bëjnë ceremoni, të japin dhurata, të respektojnë krejt ndryshe. Po kështu kanë mbetur jashtë dhe Frrok Çupi dhe Preç Zogaj, të cilët hynë brenda vetëm pasi i shpjegova shefit të protokollit se këta ishin dy katolikë që kishin mbetur pas 50 viteve mallkim. Shpesh zyrtarët e Vatikanit mbeteshin ngushtë nga kjo ngutja e papërgjegjshme e politikanëve shqiptarë. Politikanët tanë bënin gafa në këtë drejtim, ndërsa Vatikani kishte kulmin e përsosmërisë dhe korrektesës. Ata pa lajmëruar nuk prisnin askënd.

E megjithatë ia dilnin të hynin në Vatikan politikanët tanë. Si reagonte Papa, cili ishte mendimi i tij për politikën shqiptare?

Në këtë periudhë Papa pothuaj u takua më të gjithë politikanët shqiptarë. Takimi që kanë bërë me Papën ishte gjithmonë thirrja për të qetësuar popullin, të ishin të ndershëm, të evitonin dhunën, vrasjet. Gjithashtu u kërkonte që, të bënin çmos të nxirrnin shkaktarët e Piramidave, të cilët këtu nuk u morën vesh kurrë. Të njëjtë gjë kishte dhe Nënë Tereza, që për hir të të keqes më të vogël të mos bëhej shkak, për një të keqe më të madhe. Sigurisht kritika tek Papa zëvendësohet me diplomacinë. Por, ai kishte vetëm dashurinë. Natyrisht e ka thënë atë që ka dashur t’u thotë politikanëve tanë, por, ai si natyre e shprehte kaq ëmbël sa ne nuk e kuptonim saktë, atë lloj gjuhe. Atë që kërkon ti e kishte brenda, ai nuk e thoshte drejtpërdrejt. Ai shprehte direkt vetëm shqetësimin për vuajtjen e popullit, për sakrificën që ka bërë dhe që e meritonte të drejtën për t’u ngritur dhe bënte thirrje e lutje që të rregullohej gjendja e popullit. Pra, ky ishte konteksti, pastaj të tjerat kuptohen vetë. Ai gjithnjë thoshte: “Se nuk meriton ky popull këtë vuajtje dhe, se zgjidhja është vetëm tek dashuria, që të çon tek ndërtimi”.

Cilin nga politikanët shqiptarë ka pasur më për zemër Papa?

Ju thashë se ishte një periudhë e turbullt, periudhë shumë shqetësuese. Burrnisht, një debulesë ai e kishte për Sali Berishën, jo pse isha unë përfaqësues i forcës së tij politike, të djathtës. Pritja që i ka bërë Berisha në Shqipëri përbën një kompleks gjërash. Në jetën e tij Papa e kishte pasur ëndërr të vinte në Shqipëri, ta shikonte e ta prekte. Kur nga ana tjetër në kohën e diktaturës i kishin harxhuar të gjitha energjitë duke sharë Papën, të parin e deri tek Nënë Tereza duke e quajtur lavire e Vatikanit. Megjithatë për Papën kjo është feja e krishterë që zbukuron edhe dhimbjen. Pikërisht pritjen që iu bë ia hoqi velin e keq. Ndaj për Berishën kishte më debulesë. Kishte mbetur aq i kënaqur, aq sa kur kam shkelur për herë të parë në Vatikan, qysh takimin e parë me të, më ka pyetur pikërisht për Berishën. Sigurisht i priste të gjithë politikanët shqiptarë me respektin që i takonte sipas postit.

Kur shkuat diplomat në Vatikan morët me vete një dosje të përgatitur mbi persekutimin e kishës në Shqipëri, si e priti Papa?

Për të qenë të saktë, nuk është se e përgatita dosjen se po shkoja në Vatikan. Duke qenë se isha në Parlament, si përfaqësues i forcës opozitare u angazhova së bashku me grupin e deputetëve për gjyqet speciale të Riza Danit, grupin e Musine Kokalarit etj. Për këtë qëllim organizuam edhe disa tubime politike. Dy-tri nga këto tema ishin dhe për kishën e Shkodrës, ku bënë martirë të demokracisë 12 klerikë të pushkatuar në diktaturë. Këto tubime që i ngarkonte parlamenti erdhën dhe u ingranuan në një të përbashkët që më ’95 i përmblodha tek dosja, e cila ka dalë dhe në një botim. Këtë ia dorëzova Papës. Kisha punuar në arkivin e Ministrisë së Rendit dhe dola në ato gjëra që nuk i kishte ditur asnjeri dhe nuk ishte pak, kur gjendeshin vendime që kishin që kishin të bënin me pushkatime. Me këto procesverbale u bë dosja e diktaturës, ku kishin mendimet e veta shumë personalitete. Kur ia dorëzova Papës, ai mbeti jashtëzakonisht i befasuar, i kënaqur dhe këtu ishte dhe debulesa e tij, duke përsëritur shpesh se duhej të vazhdoja këtë rrugë pasi brezat duhej të dinin çfarë ka ndodhur. Në këtë kohë i hodha dhe mendimin se ndoshta nuk na duhej një demokraci e menjëhershme. Mbas kësaj Papa ndërhyri duke u shprehur se: “pas një diktature të fortë është një lloj si t’i lihet dorë të lirë kriminelit”. Pra, kjo ishte ndërhyrja e Papës në këtë moment.

Ju thatë se në Vatikan mbërrinin informacionet shumë shpejt dhe në mënyrë të çuditshme për Shqipërinë, për gjëra që as ju si ambasador nuk kishit dijeni. Kjo vinte nga vëmendja dhe interesi direkt i Papës?

Për të qenë të saktë ata kanë një institucion kaq të ngritur, aq të kulturuar, aq të stërvitur sa kjo nuk ka të bëjë vetëm për vëmendjen ndaj Shqipërisë. Kur duhet korrektësia historike, lajmet, kronikat apo ana shkencore etj, Vatikani u jep rëndësinë e veçantë, është zanati i tyre. Ata e kanë Shqipërinë si të hapësh dritaren për të parë, aq më tepër një vend si yni ku interesat janë të mëdha, sepse rrezikon shumë duke parë si vend që ka vuajtur, po ashtu e shohin si portë mes Lindjes e Perëndimit, duke gërshetuar interesa politike, me ashpërsinë e tyre të herë pas hershme… të gjitha këto e bënin Shqipërinë të ishte djali më i përkëdhelur. Pastaj, ne, ishin si struci; kokën e kishim brenda në Shqipëri, e të tjerat i kishin krejt jashtë. Nuk ishte zor të kuptoje kur vriteshin njerëzit këtu. Përmes Bunës patën pushkatuar Dom Dedë Malaj, sepse përmes këtij lumi pat nxjerrë një gyp hekuri informacione për torturën. Pra, lajmet filtroheshin, jepeshin, ndërsa ne nuk i shihnim. Ata dinin gjithçka ndodhte në Shqipëri, në orë, sekondë, e minutë; se si vriteshin e dënoheshin nga diktatura, si po vriten e kur po vriten edhe tani. Madje ata kanë heshtur për një periudhe kohe, e kanë lënë në qetësi situatën se e donin se do t’ia shikonim sherrin, do acaroheshin marrëdhëniet, dhe mund të binin në situatë jo të zakonshme.

 Siç vutë në dukej më lart, Papa për shkak të gjendjes fizike mund të jepte përshtypjen se nuk kishte logjikën e vet personale por i shërbente dikush tjetër. Për aq kohë sa ishit në Vatikan cili ishte regjimi i tij?

 Në funksion të asaj që thashë, flitej (natyrisht jo me informacion zyrtar) se në të vetmet pikë që Papa kundërshtonte mjekët ishte se nuk pranonte ato lloj ilaçesh që do t’i bënin mirë për sëmundjen, por që do t’i dëmtonin kujtesën, memorien. Pra, nga ana fizike nuk do të kishte ato dridhje, shëndoshje, fryrje pse kishte dhe një ilaç tjetër më shumë.

Por të vetmen pikë ku ai nuk do të falte ishte kujtesa, duke thënë se “le të shkojë deri ku të shkojë”. Pastaj është ky dyzimi, që në një trup kaq të rëndë, të shëndoshë me qenë një vëmendje kaq e kujdesshme, që dinte gjithë gjuhët. Një njeri për të cilin gati thuhet se mbaroi, dhe nga ana tjetër i fliste çdo personi me gjuhën nga vinte.

E treta, ishte talenti i tij, me një axhendë të ngarkuar nga mëngjesi deri në mbrëmje. As tre katër njerëz normal nuk e bënin regjimin e tij, qysh kur niste në mëngjes me meshën e tij; dy orë hyrje në kapelen, në kishë, ku lutjen e bënte në vetmi totale. Në orën tetë ishte mesha, ku vinin nja 20 vetë. Më pas shkonte në Bibliotekë ku kishte dy orë të tjera. Atje shikonte letrat, përgjigjet, çfarë shkruanin gazetat etj etj, duke vazhduar më pas pritjet deri në orën 11 të darkës. Ai udhëtonte shumë, ka thyer rekordet duke hyrë në xhami, te hebrenjtë, duke hyrë në sinagoga. Në këto rrethana ishte i paezaurueshëm, i pandalshëm, me ngarkesë sa mund të punojnë tre katër vetë. Kështu punonte deri në ditët e fundit, sa i thoshin pse nuk jepte dorëheqjen. Ndërkohë që të tjerët i kujtonin se ishte një luks që duhej ta lëshonte fronin ai përgjigjej: Dhe Krishti s’ka zbrit vetë nga kryqi, si të zbres unë! Ai e di se kur do të më ulë”.

Pra, të ikte nga kryqi për të do të thoshte t’u ikësh vuajtjeve, dhimbjeve, sakrificave. Ai këtë e quante tradhti ndaj Krishtit, të tjerët mendonin se është diçka: se Papa nuk ka dëshirë të lëshojë pushtetin!

Megjithëse asnjëherë, direkt, nuk i thuhej se duhej të lëshonte fronin, Papa kishte jo vetëm veshët fizikë, por dhe veshët e memories. Ai merrte vesh se çfarë shkruhej dhe komentohej, ndërsa diku bëhej diskutim apo program televiziv- ai kuptonte thelbin, çfarë kërkonin të tjerët.

Si mund ta konsideroni pas kësaj përvoje Papatin?

Papa është një piramidë aq e vështirë, me aq harqe sa është vërtetë e papërshkrueshme. Aty është vërtetë shteti më i vogël në botë, por ka një labirinth organizimesh, etiketash dhe korrektësi. Nuk flasin kështu si ne, ky sinqeriteti ynë është teh me dy kahe, mirë është të thuash gjithmonë të vërtetat, po ato nuk thuhen. Kurse ata kanë gjuhën e tyre.

Bisedoi: Violeta Murati

 

Dr. Pjetër Pepa (1942), lindi në qytetin e Shkodrës, në lagjen e famshme Arra e Madhe, ku, kreu mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960-1965, kryen me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Ai emërohet mjek stomatolog, në klinikën e qytetit të Shkodrës. Ai vdiq më 24 mar 2014.
Falë pasionit për mjeksinë, merr pjesë aktive, në sesionet e para shkencore në shkallë vendi, që zhvillohen në vitin 1967, në vendlindje e rrethet të tjera të Shqipërisë, sidomos ato të Fakultetit në kryeqytet.
Në vitet 1969-1970, shërben në lokalitetin e thellë malor të Dukagjinit, ku, vijon të mbledhë materiale e botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme.
Gjatë vitit 1974, specializohet pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Falë pasionit të spikatur, për dijën dhe kulturën kombëtare dhe të huaj, ai jep provimet pasuniversitare, në gjuhët: italisht, frëngjisht, rusisht etj.
Më vonë, me dëshirë të madhe mëson gjuhën e bukur gjermane. Pengohet, për motive politike, të mbrojë disertacionin, për gradën Doktor i Shkencave, të cilën e merr në vitin 1992, me temën: “Epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike në fëmijtë e qytetit të Shkodrës”.
Në periudhën 1990-1997, përfshihet në proçeset demokratike, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura rradhazi.
Profesor Pepa, kryen detyrën e diplomatit si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë (Vatikan), Romë gjatë vitit 1997.
Më 1998, kthehet në profesion të lirë dhe përkohësisht si pedagog i jashtëm, pranë Fakultetit të Mjekësisë, në profilin e Ortodontisë.
Botimet e para shkencore, i ka filluar në vitin 1966, në revistat periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore”, “Buletini Shkencave Mjeksore”, “Buletini Stomatologjik”, në organet e shtypit periodik, ku, ka botuar artikuj të karakterit historik dhe kulturor. Eshtë autor i afro 100 botimeve shkencore.
Studiuesi Dr. Pepa, ka botuar, disa libra politikë dhe kulturorë. Ka qenë antar i Këshillit Shkencor të rrethit të Shkodrës dhe Kolegjumit të Stomatologjisë, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për periudha të ndryshme kohore.
Në vitin 1972, ka përfunduar me sukses kursin 3-mujor në Universitetin Shteteror Tiranë, ku, ka dhënë disa provime mbas universitare, në Fakultetin e Histori-Filologjisë për gjuhët perëndimore, si: italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Dy vjet më vonë, më 1974, është specializuar pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Për 10 vjet, ka drejtuar në mënyrë profesionale repartin e shërbimit të fëmijëve në qytetin e lindjes.
Gjithashtu kujtojmë, se ai mbante detyrën e Shefit të Shërbimit të Pedodontisë, pranë ‘Universitetit Shqiptar’ (Albania University) dhe Shefi Sektorit Shkencor të Departamentit të Stomatologjisë të Universitetit.
Duke parë punën e madhe shkencore historike, mbi shumë figura të shquara të klerit katolik shqiptar dhe njohur nga afër jetën dhe veprën e shumë martirëve, studiuesi Dr. Pepa, ishte Anëtar i Komisionit Historik, për Kanonizimin e Martirëve Shqiptarë, për Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Për punë me përkushtim dhe merita civile, ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Trimërisë”.
Dr. Pjetër Pepa, ishte i zgjedhur nga Kuvendi Popullor, me detyrën e Anëtarit të Bordit Drejtues të Institutit Studimor për Krimet e Komunizmit në Shqipni.