Rrëfimi i përkthyesit të udhëheqësit të ish-Bashkimit Sovjetik: “Nikita Hrushovi erdhi në Tiranë për të kërcënuar Enver Hoxhën”

Rrëfen Agim Popa, përkthyesi i Hrushovit gjatë vizitës në Shqipëri.

Në majin e vitit 1959 një telegram urgjent nga Tirana e njoftonte se duhej të kthehej urgjent në Shqipëri. Agim Popa, studenti i filozofisë, e kuptoi se diçka e madhe kishte ndodhur, por rëndësinë e vërtetë të atij telegrami do ta kuptonte vetëm me mbërritjen në kryeqytet. Në komitetin qendror do t’I komunikonin me pompozitetin e duhur se i ishte ngarkuar e përkthyesit kryesor gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Cilat janë deklaratat dhe ironitë e Hrushovit pas kuintave me udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë.


Zoti Agim, ju njiheni si njeriu që keni përkthyer personalitetet më të larta të shtetit të asaj kohe, madje edhe personalitete të rangut ndërkombëtar, siç ka qenë në vitet ’60 Nikita Hrushovi. Ju ishit caktuar organikisht në këtë detyrë?
Është e vërtetë se unë kam përkthyer Enver Hoxhën në shumë takime, ashtu siç kam përkthyer Mehmet Shehun apo delegacione të ndryshme që kanë ardhur në Shqipëri, deri te Nikita Hrushovi, për të cilin e theksuat dhe ju por unë dua të saktësoj një gjë lidhur me këtë çështje.unë nuk kam qenë me detyrën e përkthyesit si profesion. As nuk ka pasur ndonjëherë një funksion të tillë, përkthyes i Enver Hoxhës. Kur ishte nevoja për të përkthyer aktivizoheshin njerëz që e njihnin relativisht mirë gjuhën përkatëse, pavarësisht nga vendi i tyre i punës.

Thatë se keni përkthyer Nikita Hrushovin gjatë vizitës së tij të bujshme që ka bërë në ato vite në Shqipëri?! Si jua ngarkuan konkretisht një detyrë të tillë?
Ka qenë maji i vitit 1959, kur udhëheqësi sovjetik bëri një vizitë historike në Shqipëri. Në atë periudhë unë kam qenë në Moskë për të dhënë provimet pasuniversitare të filozofisë. Nuk e di kush ka propozuar që pikërisht unë të përktheja Hrushovin. Më thërresin të kthehem nga Moska. Ashtu bëra.

A shkuat te Enver Hoxha apo Mehmet Shehu që të prezantoheshit apo t’u jepeshin porositë e nevojshme?
Jo, nuk kishte të bënte me mua asnjë takim apo porosi. Unë do të bëja përkthimin dhe aq. Në momentin që pritej ardhja e avionit të posaçëm nga Moska, ashtu si gjithë ekipi qeveritar me Enver Hoxhën në krye, që shkuan në Rinas për të bërë ceremoninë e pritjes, shkova edhe unë për të kryer detyrën time, e cila do të fillonte pikërisht në ato momente. Hrushovi shoqërohej nga marshalli Malinovski, në atë periudhë ministër i Mbrojtjes i BS-së.

Çfarë ju ka bërë përshtypje në ato përkthime, sigurisht nuk po flas për anën politike e dokumentare?
Sigurisht që gjatë atyre takimeve pati edhe shumë episode, madje dhe tepër interesante, të cilat, duke i parë në retrospektivë, flasin për karakterin e Hrushovit, për marrëdhëniet e tij të atëhershme me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare, si dhe për qëllimet e vërteta të vizitës së tij në Shqipëri.

Mund të jeni më i qartë në shpjegime kryesisht të episodeve që kanë ndodhur, si të thuash, jashtë kuintave?
Qysh në momentin e zbritjes në aeroportin shqiptar, fjala e parë që tha Hrushovi ishte: “Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri ne nuk do të flasim kundër Jugosllavisë. Shpresojmë se edhe të zotët e shtëpisë do të veprojnë po kështu”. Unë dhe të tjerët si unë, që nuk ishim në dijeni të domethënies së atyre deklaratave, më pas mësuam se ai e kishte vënë këtë si kusht paraprak dhe para se të nisej për në Shqipëri kishte dërguar një telegram ultimativ me një përmbajtje të tillë: “Në qoftë se gjatë ceremonisë në aeroport ose gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë do të flasë publikisht kundër Jugosllavisë, ne menjëherë do ta ndërpresim vizitën në Shqipëri, do t’i hipim avionit dhe do të kthehemi në BS”. E vërteta është se kjo kërkesë e Hrushovit ato ditë u respektua me korrektësi. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Hrushovi bëri edhe shumë kritika për ekonominë shqiptare, pavarësisht se ato i shprehte gjysmë me shaka dhe gjysmë me të vërtetë.

Mund të njihemi me disa prej tyre?
Ka shumë të tilla, por unë mund të kujtoj ato më të spikaturat, që më ngelën jo vetëm mua në mendje, por edhe Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. P. sh. duke udhëtuar me makinë nga Tirana drejt Durrësit dhe në zona të tjera të Shqipërisë, Hrushovi vuri re plepat që ishin anës së rrugës dhe pyeti se për çfarë duheshin. Kur i shpjeguam se duheshin për hije, gjelbërim e freski, ai tha: “Ju shqiptarët nuk e kollandrisni mirë ekonominë. Përse mbillni plepa dhe nuk mbillni në vend të tyre pemë frutore, p.sh. fiq?!”.
Ndërsa kur vizitoi Shkodrën, e çuan dhe në një fermë të re frutore në atë zonë. E shoqëruan Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj. Atje ai pa se pjesa fushore e fermës ishte e mbjellë me hardhi, ndërsa kodrat rreth e qark ishin të pambjella. Atëherë nuk duroi dhe tha: “Kështu drejtohet ekonomia? Keni harxhuar kot këtë tokë pjellore në fushë me hardhi, në vend që hardhitë t’i mbillni në kodrat përreth, dhe në fushë të mbillni misër”. Specialistët e bujqësisë i thanë se edhe kodrat do t’i mbillnin me hardhi, por meqenëse në atë fushë toka ka një strukturë tepër të thatë, aty nuk bëhet asgjë veç rrushit e fiqve. Hrushovi nguli këmbë në të tijën, madje propozoi të vihej dhe një bast se, po t’i bëhen shërbimet e duhura misrit aty, ai rritej mbi dy metra i lartë etj. Gjatë këtij debati ndërhyri Mehmet Shehu dhe tha: “Po të rritet misri në këtë tokë, unë pres kokën shoku Hrushov!”. Hrushovi iu përgjigj: “Shoku Mehmet Shehu, të jap një këshillë, kokën mos e pre, se nuk të rritet më”.

Çfarë vërejtjeje tjetër bëri ai për ekonominë tonë?
Vërejtje për ekonominë shqiptare Hrushovi bëri sidomos gjatë vizitës në Vlorë e Sarandë, ku pa plantacionet me agrume, si dhe disa pjesë që po shpyllëzoheshin nga shkurret. Ai, duke bërë aluzion për orientimin e bujqësisë shqiptare për prodhimin e bukës në vend, pyeti me ironi Mehmet Shehun: “Po këtu çfarë do të mbillni, grurë!?”. Dhe vazhdoi: “Përse harxhoni tokën, punën, mjetet dhe paratë për të prodhuar grurë? Çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare nuk janë të larta. Grurë ju japim ne sa të doni”. Ndërkohë, ai pyeti se sa grurë harxhon populli shqiptar për një vit, dhe pasi mësoi shifrën, tha: “Çudi, çfarë koincidence, pikërisht këtë sasi gruri hanë minjtë çdo vit në hambarët e Bashkimit Sovjetik!”. Rekomandoi që në vend të grurit të mbilleshin agrume dhe fruta. Madje, me atë humorin e tij karakteristik, vazhdoi: “Të gjithë e dinë që unë jam partizan i patundur i kukuruzës ( misrit), por në tokën dhe klimën e Shqipërisë është gjynah edhe kukuruzë të mbjellësh. Mbillni fruta dhe agrume, do të dërgojmë çdo ditë një avion për t’i tërhequr. Do ta bëjmë Shqipërinë kopshtin e lulëzuar të kampit socialist!”.

Kishte gjë të keqe në këto premtime dhe rekomandime mes miqsh?
Megjithse Hrushovi premtoi shumë, nuk do të kalonte veç një vit kur pala sovjetike refuzoi t’i livronte Shqipërisë një sasi gruri të domosdoshme për të përballuar pasojat e thatësirës së jashtëzakonshme të atij viti, duke e përdorur këtë si presion ekonomik ndaj udhëheqjes së pabindur shqiptare.

Thatë se në atë vizitë Hrushovi shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes i BS-së. Çfarë konstatuat ju te figura e tij?
Mendoj se nuk ishte një zgjidhje e rastit që, gjatë vizitës në Shqipëri, Hrushovin e shoqëronte marshalli Malinovski, një ndër drejtuesit ushtarakë më të njohur në atë kohë edhe ministër i Mbrojtjes i BS-së pas shkarkimit spektakolar të Zhukovit nga ky post.Ai gjatë gjithë kohës së vizitës në Shqipëri ai qëndroi fare pasiv, me përjashtim të vizitës në Vlorë e Butrint, kur doli nga apatia dhe tregoi një interesim të gjallë për gjirin e Vlorës, ku ishte ndërtuar baza e nëndetëseve e Pashalimanit, si dhe për liqenin e brendshëm në Butrint, si baza ushtarake ideale për të kontrolluar e mbajtur nën kërcënim Adriatikun e Mesdheun.

Është thënë se ai gjatë asaj vizite ka bërë disa herë presion mbi vetë Enver Hoxhën.
Në mitingun e mbajtur në qytetin e Vlorës, Nikita Hrushovi paralajmëroi e kërcënoi botërisht Italinë e Greqinë të mos prekin Shqipërinë, sepse, siç tha ai, “në rast se bëjnë një marrëzi të tillë, do t’ju japim një përgjigje që s’do ta ndiejnë veten mirë”. Prania e Malinovskit i jepte një peshë të veçantë këtij paralajmërimi, për të theksuar se ato nuk ishin fjalë të lëshuara në tym, por se e kishin seriozisht dhe se kundërveprimi do të kishte karakter ushtarak. Por, sipas mendimit tim, kjo deklaratë e tij në prani të Malinovskit destinohej thjesht për qeverinë italiane e greke, por në mënyrë të tërthortë për vetë Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare, për t’i joshur ata me premtimin se kishin mbrojtjen e Bashkimit të madh Sovjetik. Kjo do t’i detyronte që të rrinin në orbitën sovjetike e t’i vinin brigjet e Shqipërisë në dispozicion të tyre, për të vendosur bazat kundër NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi.

Mund të përmendni ndonjë rast që ai ta ketë sulmuar drejtpërdrejt Enverin?
Patjetër që pati. Unë do të kujtoja disa fraza që ai shprehu gjatë momenteve interesante në vizitën që bëri në Korçë, ku pritja që iu bë atij dhe Enver Hoxhës nga populli ishte veçanërisht entuziaste. Në takimin me kuadrot që u zhvillua atje, Nikita tha këto gjëra: “Ju shqiptarët jeni njerëz të mirë, por keni një të metë: njerëzit që i doni, ju i lavdëroni aq shumë, saqë ka rrezik t’u rritet mendja. Por njerëzit nuk janë të përjetshëm. Ja, ishte në BS Stalini, një njeri i madh (duke e ditur se në Shqipëri Stalini gëzonte popullaritet të madh, ai bëri disa elozhe), por Stalini nuk do të ishte gjithmonë. Iku Stalini dhe erdhën të tjerë, që e bëjnë punë jo më keq se ai. Por edhe ne nuk do të jemi gjithmonë. Do të ikim ne dhe do të vijnë të tjerë, që do ta bëjnë punën më mirë se ne”. Me siguri deklarata të tilla të Hrushovit nuk do të jenë pritur aspak mirë nga Enver Hoxha, të cilit duhet t’i kenë tingëlluar si presion për spostimin e tij nga ana e udhëheqjes sovjetike, në rast se do të tregohej i pabindur.

Agim Popa, njeriu i preferuar inomeklaturës në përkthimin e rusishtes

Agim Popa ka lindur më 14 maj 1927 në Elbasan. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Ka vazhduar studimet në Liceun Francez të Korçës dhe në shkollën normale të Elbasanit. Në vitet 1949 -1954 kryen studimet e larta në universitetin “Lomo-nosov” të Moskës, në Fakultetin e Filozofisë. Menjëherë pas çlirimit të vendit, ai ka qenë me punë në organizatën e rinisë të qarkut të Elbasanit dhe në aparatet qendrore të saj në Tiranë.Pas përfundimit të studimeve universitare dhe kthimit në Shqipëri, Agim Popa është emëruar me punë në shkollën e Partisë “V. I. Lenin” si pedagog i filozofisë marksiste (materializmi dialektik e historik), shef katedre dhe për një kohë jo shumë të gjatë zv.drejtor i saj. Në vitin 1958 ai u transferua në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë në përbërje të një grupi që merrej me problemet e luftës kundër të ashtuquajturit “revizionizëm modern”. Në vitin 1972-1975 ai ka punuar si përgjegjës i sektorit të jashtëm të KQ të PPSh-së. Më mbrapa, për një vit ka qenë në Institutin e Studimeve M-L pranë KQ të PPSh-së. Ndërsa nga shtatori i vitit 1976 deri në fund të vitit 1980 si kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit”, organ i KQ të PPSh-së.
Nga 1 janari i vitit 1981 deri në shkurt të vitit 1991, kur doli në pension me kërkesën e tij, ka punuar sërish në detyrën e shefit të Sektorit të Jashtëm të KQ të PPSh-së. Pikërisht në detyrat që kryente dhe besimin që kishte krijuar, si dhe në profesionalizmin absolut që prezantonte në fushën e përkthimeve në gjuhën ruse, Agim Popa ka qenë nga njerëzit më të preferuar të nomenklaturës më të lartë të shtetit komunist për të bërë pikërisht përkthimet nga kjo gjuhë.

Gjesti i çuditshëm i Enverit kur përcolli Hrushovin në Rinas

Gjatë vizitës së Hrushovit në Shqipëri, me sa duket jo vetëm nga dokumentat e kohës por edhe nga ky rrëfim i Agim Popës, duhet të jetë krijuar një situatë e tillë: nga njëra anë, një ndjenjë alarmi te Enver Hoxha dhe shokët e tij, nga ana tjetër iluzione te N.Hrushovi për autoritetin dhe ndikimin e tij mbi shqiptarët. Duhet thënë se pritja që iu organizua Hrushovit në Shqipëri, mori pamjen e një feste të vërtetë popullore, një pritje që atij nuk i qe bërë kurrë as në BS, qoftë edhe në momentet më të mira të popullaritetit të tij atje. Nga një pritje e tillë atij duhet t’i jetë krijuar iluzioni se do të mjaftonte që ai të jepte sinjalin dhe shqiptarët do të ngriheshin e ta përmbysnin E. Hoxhën. Kjo jepet akoma më qartë gjatë punimeve me filmat e bërë në ditët e vizitës. Konkretisht për këtë, Popa shpjegon:
“Unë nuk isha në përcjelljen e tij në aeroport ditën e largimit nga Shqipëria, sepse po atë ditë që herët u nisa për t’u kthyer në Moskë me avionin që transportonte dhuratat për Hrushovin. Por pati një moment interesant. Në Moskë për vizitën e tij në Shqipëri u përgatit një film dokumentar, tekstin e të cilit në gjuhën shqipe e përktheva dhe e lexova unë. Gjatë një seance pune për filmin, kur po shiheshin sekuencat e përcjelljes së Hrushovit në aeroport, regjisori i filmit, i cili, si edhe unë, nuk ishte në dijeni për fërkimet e brendshme midis udhëheqjes shqiptare dhe Hrushovit, tha: “Nuk më pëlqen paraqitja e figurës së shokut Enver në momentin e nisjes së avionit. Ai bëri një gjest sikur u çlirua nga diçka”. Me syrin e hollë të artistit, ai kishte mundur të kapte gjendjen psikologjike të Enver Hoxhës në këto momente.”

Ripublikim

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com