RREFEHET OPERATORI I TVSH-së/ Si u rrëzua “mali” me 8 tonë bronz i bustit të diktatorit Enver Hoxha më 20 shkurt 1991në Tiranë

Nga Leonard VEIZI

DOSSIER/ 20 shkurt 1991, kur u rrëzua monumenti i udhëheqësit komunist, i ngritur në mes të kryeqytetit

Ai qëndronte atje dhe qenia e tij e murosur në një bronz të verdhë, vazhdonte të ishte po aq mbizotëruese. Ndërsa kalorësi mesjetar, në të djathtë, edhe pse dukej krejt në miniaturë, vazhdonte të kontrollonte aksin kryesor të qytetit. Diku më poshtë, turma agresive përpiqej t’i afrohej me mundim të sforcuar. Përballë dy ekstremeve, kufiri që i ndante nuk kishte të bënte me asnjërën palë, as me kundërshtarët dhe as me atë vetë. Ky “kufi” edhe pse në mendjet e gjithsecilit ravijëzohej si të ishte një vijë milimetrike dhe jo fort e rëndësishme për nga këndvështrimi fizik, ishte tepër i largët, absurd dhe i paimagjinueshëm. E, megjithatë, ata vendosën ta preknin “kufirin”, edhe pse shumica absolute e tyre, kishin rendur nga periferia për të qenë pjesë e spektaklit në qendër të qytetit. …Ishin të liruar bulonat që mbanin të lidhur monumentin me bazamentin, apo të shtrënguar në maksimum? A ishte një gjë e planifikuar rrëzimi i monumentit apo krejt spontane? Tanimë, pas 26 vjetësh, këto pyetje nuk marrin ndonjë vlerë.

Monumenti u rrëzua, qoftë dhe nga trysnia e papërballueshme e njerëzve që vendosën duart mbi bronzin e ftohtë dhe e shtynë sa mundën. Fillimisht, u duk krejt e pabesueshme, por ai u lëkund. Turma e irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra qen kufiri dhe zjarrfikësja e blinduar, mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin. Megjithatë, askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit që ndodheshin në sheshin “Skënderbej”, morën sërish drejt shkallëve të mermerta. Ishte çasti ku thirrjet e pakontrolluara u solidarizuan dhe po aq solidarë ishin trupat e ndërhyrjes së shpejtë, me uniforma laramane e skafandra në kokë, që mbuloheshin me mburoja plastike. Trysnia që krijonte turma prej 100 mijë veta, kishte arritur kulmin.

Monumenti gjigant që kishte zënë pamjen kryesore të sheshit, u anua në të majtë të tij, dhe që nga ai çast, askush s’kishte fuqi të përmbante dufin dhe mllefin e turmës që u çlirua me një britmë therëse gëzimi, kur të tetë tonët e bronzit që himnizonin udhëheqësin komunist, u përplasën me një zhurmë shurdhuese në syprinën dhe shkallët prej mermeri që rrethonin përmendoren. Përplasja ishte fatale. Krejt papritur, vepra solide u nda në dy pjesë, trupi në njërën anë dhe koka që u rrokullis më poshtë, çuditërisht, pa shkaktuar asnjë viktimë këtë herë. Miti kishte rënë përfundimisht… ose vetëm kështu u besua…

Ngjarja

20 shkurti i vitit 1991, ka hyrë në kujtesë si dita kur u rrëzua monumenti i diktatorit në qendër të kryeqytetit. Ndërsa në dhjetor të vitit 1990, në Shqipëri u lejua pluralizmi politik, në qendër të kryeqytetit, me një lartësi prej 7 metrash, e derdhur ne bronz, shtatorja e Enver Hoxhës ishte ende në këmbë. Byroja Politike kishte nxjerre një urdhër për të mbrojtur me çdo kusht monumentet. Dekreti numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve”, u firmos më 22 janar të vitit 1991, nga Ramiz Alia. Lëvizja antikomuniste e dhjetorit të vitit 1990, dukej sikur i përgjumi disi, derisa një nismë e studentëve të Universitetit të Tiranës, rindezi atmosferën.

Më 18 shkurt 1991, 723 studentë dhe pedagogë hynë në grevën e urisë, duke kërkuar, në kuadër të depolitizimit, heqjen e emrit të Enver Hoxhës, universitetit. Komisioni i grevës, i përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, kërkoi, veç të tjerave, anulimin e dekretit që mbronte monumentet e diktatorit dhe lirimin e të burgosurve të fundit të ndërgjegjes që mbaheshin ende në qelitë e Spaçit e Burrelit. Ndërkaq, drejtuesit e opozitës kishin firmosur me Ramiz Alinë paktin e stabilitetit për shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri në zgjedhjet e ardhshme.

Përshkallëzimi

Shqipëria rrezikohej nga një luftë civile. Shoqata me emrin “Vullnetarët e Enverit”, kishte filluar të vringëllonte armët, duke deklaruar se “Enveri duhej mbrojtur, qoftë edhe me gjak”. Njerëz të armatosur të ekstremit të majtë e të djathtë, shiheshin përditë në rrugët e qyteteve shqiptare. Më 20 shkurt, përpjekjet e pushtetit për të thyer rezistencën e studentëve, kishin dështuar. Me gjithë problemet shëndetësore që u shfaqën, grevistët ishin të vendosur të mos tërhiqeshin.

Jo vetëm kaq. Sindikata e Pavarur e Shqipërisë kishte kërcënuar me një grevë të përgjithshme, e cila mund të paralizonte gjithë vendin. Mijëra qytetarë të Tiranës dhe të rretheve të afërta, mbërrinin çdo ditë në Qytetin Studenti, duke u dhënë kurajë grevistëve dhe duke organizuar protesta me pjesëmarrje gjithnjë e më masive. Në këto kushte, pakti i stabilitetit mes qeverisë dhe opozitës, dukej tepër i brishtë për të përballuar një lëvizje të tillë popullore dhe shumë prej politikanëve të rinj, filluan të bënin lëvizje individuale, duke u rreshtuar përkrah të ngujuarve. Turma fryhej çdo minutë, derisa rreth mesditës filloi të drejtohej për në qendër të kryeqytetit. Turma theu barrikadat policore të vendosura në rrugën e Elbasanit dhe gjatë bulevardit kryesor, duke mbushur sheshin “Skënderbej”.

Një numër i madh policësh, ishin vënë në mbrojtje të statujës prej bronzi. Policia reagoi, duke bërë të tërhiqeshin demonstruesit e parë, por, pas tyre, turma rritej gjithnjë e më shumë. Për minuta të tëra, turma u përpoq të rrezonte masivin e bronztë, derisa në ndihmë erdhi një kamion. Në kujtesën e shqiptarëve do të mbeten çastet kur monumenti i Enver Hoxhës, filloi të lëkundej, derisa ra. Demonstruesit i hodhën monumentit një kavo çeliku dhe e tërhoqën për ta çuar në “Qytetin Studenti”. Ky ishte fundi.

Ilia Terpini: Filmova mbi kurrizin e një ish-të përndjekuri. Bujar Kore: Nuk e dinim nëse pamjet do të transmetoheshin