Roli i Ahmet Zogut në qendër të luftës politike në Shqipërinë e viteve 1922-1939 ishte përcaktues

Roli i Zogut në qendër të luftës politike në Shqipëri në vitet 1922-1939 ishte përcaktues. Ahmet Zogu gjatë këtyre viteve të pjesëmarrjes aktive në jetën politike shqiptare, kishte mësuar shumë. Ai kishte arritur në përfundimin se gëzonte një pjesë të mirë të cilësive të domosdoshme për politikën shqiptare: dualiteti politik i kishte shërbyer së tepërmi. Aftësia e tij në strategjinë ushtarake, por sidomos, për të tërhequr njerëzit pas vetes ishte e paarritshme. Zogu qëndroi në postin e kryeministrit pak më tepër se një vit. A Zogu lindi më 8 nëntor 1895, në Burgajet të Matit dhe vdiq më 9 prill 1961 në Sourenses Francë, pasi vuante nga kanceri. Në momentet e fundit të jetës së tij, Ahmet Zogu i kërkoi Geraldinës pistoletën që të vriste veten. Bashkëshortja ia dha pa fishekë, por gjendja e Ahmet Zogut ishte tejet e rëndë, aq sa nuk mundte të ngrinte as armën për vetëvrasje. Ahmet Zogu ka një karrierë politike brilante. Ai do të ishte President i Shqipërisë nga 1925 deri më 1928 dhe mbret më 1928 deri më 1939. Zogu u bë kryetar i një partie popullore reformiste. Ai ngriti postet në ministri nga viti 1920 dhe i forcoi pushtetin me anë të forcës në qershor 1924, por ai u kthye me asistentët jugosllavë në dhjetor dhe u zgjodh president më 1 shkurt të 1925-ës. Por kjo nuk i mjaftoi dhe u bë mbret më në 1 shtator 1928, Zogu ishte në një periudhë ku qeverisja e vendit ishte e trazuar dhe Shqipëria njohu qetësinë në këtë regjim. Ai pati një marrëveshje me Italinë më 1925-ën dhe ishte i kujdesshëm në marrëdhëniet me këtë shtet.

Politikanë shqiptarë në vitin 1921
Nga e majta: Mehmet Konica, Spiro Koleka, Fan Noli, Haki Tatzati, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Hysen Vrioni, Kolë Thaçi

Ngritja e Zogut

Në periudhën midis viteve 1920-1922 u ndryshuan shtatë kryetarë qeverish. Në këtë periudhë, Shqipëria ishte jo vetëm tepër e përçarë, por këtij shteti të vogël i mungonte edhe shumica e kushteve paraprake të domosdoshme që karakterizojnë unitetin shtetëror të një vendi, si shkolla e lartë e centralizimit, mësimi fetar dhe gjuhësor, udhëheqja e një klase të ndërgjegjshme, nxitja intelektuale e jashtme, si dhe refuzimi sistematik i sundimit të huaj. Në periudhën e viteve 1920-1922, grupet e ndryshme politike e fisnore përlesheshin për pushtet. Largimi i pjesshëm i pluhurit politik në grupet politike si rezultat i përpjekjeve të Zogut bëri që të kishin përplasje me Fan Nolin. Zogu dhe bashkëpunëtorët e tij besonin në një qeverisje të fortë me një prijës që të vendoste së pari qetësinë dhe së dyti, për të vazhduar përparimin e vendit. Ndërsa Noli dhe ndjekësit e tij këshillonin të bënin ndryshime të shpejta radikale, me drejtime nga jashtë. Gjatë kohës që kishte qenë kryetar i qeverisë, Ahmet Zogu kishte vepruar në një mënyrë pak a shumë arbitrare, dhe kishte humbur besimin e kolegëve të tij në kabinet, të cilët ishin anëtarë të klikës. Ndërkohë, dhe në vend, pakënaqësia po rritej. Në Shqipërinë e Jugut njerëzit prisnin reformën agrare, dhe kjo popullsi ishte e detyruar të paguante një pjesë të madhe të taksave. Me gjithë këto pakënaqësi, Zogu ishte i bindur se ishin pjekur kushtet për të stabilizuar pozitën e vet nëpërmjet thirrjes së një asambleje kushtetuese, e cila do të caktonte kryeqytetin e vendit, do të vendoste natyrën e qeverisjes dhe do të rishikonte statutin e Lushnjës. Nëpërmjet kontrollit të këtyre procedurave, kryeministri do të arrinte të krijonte shtetin ideal për veten e tij. Për të, Zogu mendonte të mbështetej te popullsitë e malësisë, si dhe të popullsisë së Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Zogu kishte mundur të siguronte mbështetjen e njëzetepesë deputetëve, të gatshëm ta ndiqnin në çdo rrethanë. Zogu po përpiqej t’i jepte fund sistemit të përçarjeve partiake dhe të krijonte një qeveri krejtësisht nën kontrollin e tij. Anëtarët e Klikës u bashkuan për të prishur planet e kryeministrit, fillimisht me propagandë dhe pastaj me grusht shteti. Si fillim e nisi Shefqet Korça, komandant i xhandarmërisë, që mori iniciativën dhe deklaroi se nuk do t’i nënshtrohej qeverisë. Përpara se kryeministri Ahmet Zogu të vepronte kundër Korçës, një tjetër komplot ishte përgatitur nga koloneli Haki, së bashku me oficerë të tjerë një grusht shteti, që do të kryhej më 28 Nëntor, ditën e festës kombëtare.

Plani përfshinte vrasjen e kryeministrit dhe shpalljen e një qeverie të ushtarakëve. Por kryeministri u pengua të vepronte kundër komplotistëve, pasi ministrat e Punëve Botërore, Arsimit, Luftës, dhe Drejtësisë bashkë me regjentin Sotir Peçi deklaruan dorëheqjen. Në këtë kohë, vendi ishte i futur në një qorrsokak politik dhe juridik. Zogu ndodhej para tri alternativave: të jepte dorëheqjen dhe t’ia linte vendin “Klikës”, të hynte në kompromis me të për të ruajtjen e statukuosë dhe të fitonte kohë; të përdorte forcat e qeveritare, për të shtypur dhe për të çuar në litarë konspiratorët.

Kompromisi

Për këtë, Zogu i këshilluar edhe nga ministri i Britanisë së Madhe zgjodhi alternativën e dytë për kompromis. Qëndrimi i përfaqësuesve të huaj e shpëtoi situatën. Të gjithë ishin të bindur se kompromisi ishte i nevojshëm në këtë gjendje ekzistuese. Kompromisi i arritur ishte tipik shqiptar. Zogu ruante postin e kryeministrit, por funksioni i ministrit të Brendshëm do të kryhej në bazë të një sistemi rotacioni të përjavshëm prej të gjithë anëtarëve të kabinetit qeverisës. Ky ishte kompromisi i vetëm i pranuar prej palëve, të cilat mendonin se pas zgjedhjeve do të arrinin të shtypnin lehtësisht çfarëdo lloj opozite që do të krijohej. Kështu, në mbarim të vitit 1923 u çel fushata për zgjedhjet e Kuvendit kushtetues. Ishin të parat dhe të vetmet zgjedhje parlamentare që janë kryer në Shqipëri. U krijuan fletore, u themeluan parti në Korçë dhe Tiranë, për të paraprirë kandidatët e tjerë në zgjedhje. Duke shfrytëzuar lidhjet me Shefqet Vërlacin, Zogu arriti të tërhiqte pas vetes shumicën e bejlerëve, por pa siguruar një shumicë absolute për të krijuar qeverinë. Për këtë Zogu ishte në gjendje të dëshpëruar, ai e kuptonte se nuk mund të qëndronte në postin e kryeministrit, por prapë nuk donte të shpërndante koalicionin qeverisës. Në mes të këtij kaosi politik, më 24 shkurt Zogu shpëtoi nga atentati i Beqir Valterit, tek po ngjiste shkallët e ndërtesës së Parlamentit. Megjithëse i plagosur në dorë, kofshë dhe bark, Ahmet Zogu tregoi gjakftohtësi të jashtëzakonshme dhe hyri në sallën e Parlamentit ku zuri karrigen e tij qeveritare, pa dhënë asnjë shenjë alarmi, duke evituar kësisoj një gjakderdhje fatale. Zogu u shoqërua për në shtëpi me një eskortë të fortë. Atentati ndaj Zogut çoi në kristalizim të 2 grupeve në Parlament. Partia e opozitës me Fan Nolin dhe partia me përkrahësit e Zogut që kundërshtonin Avni Rustemin. Atentati e detyroi Zogun të largohej nga jeta politike, pasi në bazë të zakonit shqiptar, ai nuk mund të dilte nga shtëpia deri sa krimi të shpaguhej. Plagët e pengonin të merrte pjesë aktivisht në jetën politike. Por kryesorja ishte se atentati e bindi Zogun se qeveria e tij nuk mund të mbahej më në këmbë. Më 1923-in, pas një viti e dy muaj në postin e kryeministrit, Zogu dha dorëheqjen. Lufta politike, pas kësaj ngjarjeje u përqendrua për formimin e një qeverie. Për këtë, regjentët në mars vendosën qeverinë e përgatitur nga Zogu dhe emëruan Shefqet Bej Vërlacin si kryeministër. Roli i Zogut gjatë kësaj periudhe dhe përpjekjet e tij për rikthimin e pushtetit ishin të aktit të fundit që e shndërroi pakënaqësinë ekonomike dhe politike në revoltë të armatosur. Plani i tij ishte që të krijonte një situatë me të cilën qeveria do të detyrohej të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Ahmet Zogu do të ishte aktor i padiskutueshëm në politikën shqiptare të asaj kohe. Ai u ngjit në postin ministror në vitin 1920 dhe e forcoi pushtetin me anë të forcës në qershor 1924, kur u kthye me ndihmën e jugosllavëve në dhjetor dhe u zgjodh president më 1 shkurt të 1925-ës. Ai do të ishte President i Shqipërisë deri më 1928. Ahmet Zogu do të shpallej mbret i shqiptarëve në vitin 1928, post të cilin e mbajti deri në vitin 1939. Zogu ishte në krye të shtetit shqiptar në një periudhë ku qeverisja e vendit ishte e trazuar, dhe Shqipëria njohu qetësinë në atë regjim. Më 6 prill, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria dhe u end në mërgim deri sa vdiq në vitin 1961.