Roland Trebicka, një nga të mëdhenjt e artit skenik shqiptar, ai që na bëri të qeshim edhe kur donim të qanim

Nga Albert Vataj

Pesë vite nga lamtumira që na mëkoi dhimbje dhe lotë, duke na ndarë përgjithmonë me Roland Trebickën, me atë që na bëri të qeshim edhe kur donim të qanim.

Familja, kolegët, miqtë dhe admiruesit e tij të shumë, 5 vite më parë, më 7 mars 2013 e përcjellin me dhimbje dhe lotë për në banesën e fundit, aktorin emblematik, komikun dhe etalonin e njeriut që i kushtoi gjithë jetën e tij skenës, të madhin Roland Trebicka. Ai si pakkush tjetër diti të ishte fjalëpakë e punëshumë. Ai “u fsheh” pas veprës, pas përkushtimit, duke mos patur diçka për të thënë më shumë se sa vetë puna e tij titanike kishte ofruar. Ai mbylli sytë, duke lënë të çelur horizonte të pamata rolesh, personazhesh, tipesh dhe karakteresh që aq me virtuozitet i skaliti me daltën e talentit të tij.

Jetoi mish e shpirtë me personazhet, aq sa edhe në amshim ata vazhdojnë ta ndjekim nga pas për të mbetur gjithnjë mirënjohës, që u dha atyre dhe vetes një jetë të gjithmonshme, një pavdekësi që përtërihet në ëndjen dhe dëshirimin e artdashësve dhe admiruesve të tij të shumtë.

I përket amshimit një prej zërave, pjesë e rëndësishme e memories së artit të aktrimit, komedisë dhe aktit sublim të shpirtëzimit të roleve, tipeve dhe karaktereve të pavdekshme.

I përjetshëm mbettë kujtimi për këtë emblemë të komedisë, për këtë njeri të përkorë, për këtë bashkëshort dhe prind të devotshëm.

Çdo vitvdekje më të ndritshme e bën skenën ku derdhe mund e djersë, ku skalite me mjeshtëri aq tipa dhe karaktere, Roland Trebicka.

Lyp mirënjohjen e të gjithëve për gjithçka la ky aktor, për atë humor e ato të qeshura që nuk u shuan dot me të gjallët e tij, sot dy vite më parë.

I përgjithmonshëm qoftë kujtimi i këtij mjeshtri të skenës

Karriera e Roland Trebickës si aktor, fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Në vitin 1971 emërohet si aktor në Teatrin Popullor. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Kulmin e suksesit në publik, e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”. Mjeshtëria e tij në këtë rol ndikoi fort, që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por, rolet e Trebickës në teatër, janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”), te “Një burrë me trëndafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tabllo absurde”, “Ëndrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro. Është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi, Bashkia Korçë i akordoi titullin “Nder i qytetit”..