Roberto Saviano: Kur ofendoni në rrjetet sociale, mendoni për gazetarët që vdiqën për shkak të fjalës


Festojmë World Press Freedom Day, ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit të mbrojtur nga Unesco, duke falenderuar këdo që rrezikon jetën për të na furnizuar me informacione.

Në një kohë kur të dish do të thotë t’i përkasësh elitave që duhen rrëzuar, duket sikur kush siguron informacionet vdes për hiçgjë. Duket sikur puna e gjithkujt që rrezikon jetën për të treguar atë që ndodh me të vërtetë vihet vazhdimisht në plan të dytë nga ata të cilët mendojnë se mediat sociale janë prodhuesit e lajmeve dhe jo vendi ku e vetmja gjë që mund të shpërndahet është gjendja shpirtërore ose edhe më pak se kaq. Sa herë thoni “është e vërtetë sepse e lexova në Facebook” po dënoni veten tuaj me verbëri dhe njëkohësisht gazetarët që rrezikojnë jetën me izolim.

Gazetari dhe shkrimtari italian, Roberto Saviano

Mjafton të komentojmë tweet-in e fundit të Papës, të politikanit, të aktorit, të gazetarit që duam apo e që e urrejmë për të krijuar iluzionin se nuk ka më barriera mes nesh dhe atyre, që megjithë përçmimin, jemi mësuar t’i quajmë “të fuqishmit e botës.” Duam të rrëzojmë barrierat, të eliminojmë pabarazitë, të vlejmë sa të tjerët. Por vetëm në rrjete sociale, aty ku tentativa nuk na kushton asgjë. Asnjë mundim, asnjë punë, asnjë impenjim, asnjë rrezik. Ama iluzion i dyfishtë. Iluzion se jemi të gjithë të barabartë sepse të gjithë mund të ofendohen. Iluzion se kemi lirinë e shprehjes vetëm sepse ekziston liria për të ofenduar.

Por, kundrejt kësaj, ashtu si asnjëherë më parë falë kapilaritetit të mjeteve të informimit, na vijnë vazhdimisht lajme të gazetarëve që humbasin jetën ose arrestohen vetëm sepse kanë shkruar, jo sepse kanë fyer ose përgojuar, por vetëm sepse kanë treguar, kanë ngritur hipoteza, kanë zbuluar lidhje. Ata nuk besojnë se të fyesh në rrjetet sociale është liri, liria e tyre është mundësia për të treguar atë që shohin dhe për ta bërë këtë rrezikojnë jetën.

Më 1 maj në Bangui, në Republikën e Afrikës Qendrore, një prej vendeve më të varfra të botës, u bë një sulm ndaj komunitetit katolik nga ana e militantëve islamikë të distriktit PK5. Gjatë atentatit në kishë vdiqën nëntë dhe u plagosën 60, ndërsa gashtë të tjerë vdiqën në përleshjet e mëvonshme. A e dini se çfarë rreziku merr përsipër ai që raporton këto lajme? Jo, nuk e dini e as mund ta imagjinoni. Por a e dini se përse na vlen ky lajm? Sepse na tregon se kush ikën nga Afrika për të ardhur në Europë ikën edhe nga diçka që na terrorizon ne: atentatet. Tani ndryshon perspektiva, apo jo? Ky lajm na thotë se kush zbarkon në Itali nuk është potencialisht një atentator, por viktimë e atentateve.

Ja për çfarë shërben informacioni, mbi të gjitha ai i rrezikshmi, ai që dënohet me vdekje, me tortura a me burg: na shërben për të kuptuar, për të na bërë të ndërgjegjshëm. Pra, ata që rrezikojnë jetën për të shkruar çfarë janë, të çmendur? Jo, janë njerëz normalë si ty dhe si unë, por që e shohin ferrin e nuk mund të heshtin. A e dinë se çfarë rreziku marrin përsipër? Disa herë po, disa herë të tjera nuk i shkojnë deri në fund sepse urgjenca për të raportuar fiton mbi maturinë. E di sepse e kam përjetuar.

E dini kush janë gazetarët më të ekspozuar? Gazetarët lokalë. Janë ata që vdesin: 95% e gazetarëve të vrarë janë ata gazetarë që nuk do ua mësojmë kurrë emrat sepse jetojnë në periferi, në cepa të botës që madje ua injorojmë edhe ekzistencën, sepse merren me padrejësi dhe korrupsione të largëta që duhet të dalin në dritë. Merren me kokainën dhe institucionet në Amerikën Latine; shkruajnë mbi bombat dhe atentatet; hipotizojnë dhe japin prova të lidhjeve mes organizatave kriminale apo terroriste me aparatet shtetërore në Afrikë, në Lindjen e Mesme, në Rusi. Puna e tyre është më e çmuar nga sa mendojmë.

E di që mund të duket një ftesë shumë naive, por dua ta bëj: kur shkruani në rrjete sociale, kur mendoni se jeni të lirë sepse mund ta shprehni lirisht inatin tuaj, mendoni për ata që kanë vdekur për shkak se kanë shkruar. Mendoni për ata që kanë përdorur të njëjtat gërma si ju, të njëjtin alfabet, të njëjtat fjalë e të njëjtën tastierë që për ju janë të parreziksme, por atyre u kanë kushtuar jetën.

Të shkruash do të thotë të komunikosh, e të komunikosh në mënyrë të artikuluar është ajo që na bën njerëz. Kjo dhunti e çmuar për disa rezulton vdekjeprurëse. Le të mendojmë për këtë sa herë kemi mundësi të shprehim mendimet tona, sepse nuk duhet të komunikojmë më pak por duhet të komunikojmë më mirë.

Në kujtim të Giancarlo Siani, Pippo Fava, Antonio Russo, Anna Politkovskaja, Christian Poveda, Javier Valdez Cárdenas, Tim Lopes, Marisol Macías Castañeda, Daphne Caruana Galizia, Jan Kuciak dhe gjithë atyre gazetarëve të guximshëm që kanë humur jetën ose e kanë vënë në rrezik për të dhuruar njohuri.

Roberto Saviano është gazetar dhe shkrimtar italian që jeton nën mbrojtjen e policisë për shkak të denoncimeve mbi organizatën kriminale Gomorra. Shkrimi u shqipërua nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al