Rivlerësimi për policët, ministri Xhafaj: Kjo është një reformë e vështirë, por e domosdoshme

Në kuadër të nisjes së procesit të rivlerësimit të të gjithë efektivëve të uniformave blu, ministri Fatmir Xhafaj zhvilloi një tryezë konsultimi me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, lidhur me projektligjin për vetting-un në polici të hartuar nga Ministria e Brendshme. Drafti ligjor është prezantuar nga zv. ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ndërsa projektligji do të paraqitet në Kuvend për miratim brenda pak javësh. Gjatë fjalës së tij, Xhafaj deklaroi se nisma ligjore, e cila brenda pak javësh do të jetë në Kuvend për miratim, synon të ndërtojë institucione të forta me profesionistë dhe punonjës me integritet. Ai bëri me dije se kriteret e vlerësimit për punonjësit e policisë janë tre: integriteti, verifikimi i pasurisë dhe profesionalizmi. “Kjo është një reformë e vështirë, por një reformë e cila është e domosdoshme në kushtet aktuale kur ne konstatojmë se në radhët e Policisë së Shtetit, ashtu siç ka plot burra dhe gra, vajza dhe djem të ndershëm, profesionistë, ka edhe jo pak nga ata që kanë probleme me integritetin, me kushtet e integritetit për të qenë pjesëtarë të kësaj Agjencie me profesionalizëm, gjë që pa dyshim ka pasoja të drejtpërdrejta në efiçencën e punës së Policisë së Shtetit”, u shpreh Xhafaj. Ministri Xhafaj shtoi se drafti është hartuar bazuar në standardet më të mira, nisur nga përvoja e ligjit për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, tryeza me partnerët sipas tij, është një hap i rëndësishëm për të përfituar kontribute, por edhe thirrje për përfshirjen në procesin e monitorimit të procesit gjatë zbatimit. “Besojmë se mbështetja e kësaj ekspertize do të shërbejë edhe si garanci, edhe si inkurajim, edhe si motivim nëse dëshironi ta them edhe këtë, për organet e vlerësimit që do të përfshihen, për njerëzit që do të përfshihen në këtë proces vlerësimi, sepse ato do të investohen në një proces të vështirë, shumë të vështirë. Sepse nuk besoj se është e lehtë, dhe ju që e njihni sadopak realitetin, edhe në vendin tonë, edhe në rajonin tonë, në ndërmarrje të kësaj natyre, ku do të duhet të japësh verdiktin për të larguar nga radhët e Policisë së Shtetit, individë që deri më sot mund të jenë konsideruar edhe shumë të fuqishëm brenda kësaj organizate”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm. Ndërkaq, ministri Xhafaj bëri me dije se në javët e fundit janë organizuar disa tryeza konsultimi me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të legjislativit, të Agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë civile, duke përfshirë në draftin final sugjerime të tyre.