Rilindja Europiane në Arbëri u përhap përmes modelit të qyteteve republika të krijuara nën shembullin e qyteteve italiane dhe të Dalmacisë

Humanisti arvanitas

Dr. Dorian Koçi

Fillimet e Rilindjes Europiane mendohet se janë në vitet 70’të shekullit të XII me krijimtarinë e Petrarkës, Bokaçios dhe Dante Aligerit. Rilindja është urë që lidh Mesjetën në Epokën e Iluminizmit dhe Historinë Moderne. Është një periudhë në historinë evropiane që mbulon intervalin e shekujve 14 dhe 17. Kjo periudhë u përhap shpejt në të gjithë Evropën, por gjurmët e saj të para u gjetën në Itali.

Rilindja u bazua kryesisht në humanizmin, që rrjedh nga Humanitas romake dhe filozofia klasike greke. Kjo mënyrë e re e të menduarit shpejt u bë një ndikim në fusha të ndryshme, shumë të rëndësishme si: politika, shkenca, letërsia, arkitektura dhe kryesisht arti. Është e sigurt të thuhet se kjo periudhë filloi një periudhë të hershme moderne duke ndikuar në jetën intelektuale evropiane. Humanistët e Rilindjes besonin se edukimi duhet të përgatisë një njeri për të pasur një ekzistencë dhe mësim të denjë jo vetëm për të shfaqur realitetin, por edhe për të nxitur individët drejt njohjes dhe aplikimit të saj. Ata besonin se një njeri mund të formohej nëpërmjet ‘artit të elokuencës’ dhe se njeriu duhej të ishte në qendër të gjithësisë.

Rilindja Europiane në Arbëri u përhap përmes modelit të qyteteve republika të krijuara nën shembullin e qyteteve italiane dhe të Dalmacisë. Në brigjet e Adriatikut lindor u krijuan qytete republika të cilat kishin një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve por dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.

Kështu p.sh heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) në letrën që i dërgon princit të Tarantit i përmend origjinën e vet, atë epirote dhe përmend një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit. Po kështu Gjon Muzaka në veprën e vet “Gjeonalogjia e Muzakajve”(1510) përveç burimeve të shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen që nga ajo e heroit mitologjik Herkulit.

Natyrisht që kontakti kulturor që pati Adriatiku lindor me botën perëndimore qoftë nëpërmjet shkëmbimeve kulturore në të dyja anët e Adriatikut por dhe nëpërmjet administrimit të drejtë për së drejtë të territorit si është rasti i Mbretërisë së Arbrit(1272) nën familjen e njohur fisnike franceze Anzhuinët, por dhe administrimi qyteteve nga Venediku krijuan një perceptim tjetër për idenë e Evropës dhe shtrirjen e saj, në dallim nga provincat e tjera të Perandorisë Bizantine ku nuk shikojmë dukuri të tilla pasi janë më thellë në gadishull dhe nuk kanë mundësinë që të marrin pjesë në perceptime të tilla të drejtë për së drejta. Ndaj në këtë kohë, fillimet e shekullit të XIV dhe shekullin e XV në brigjet e Adriatikut Lindor do të kemi përjetimin e një lëvizje humaniste që do të jetë shumë afër Rilindjes Evropiane. Kjo lëvizje do të ketë një konceptim të qartë të idesë së Evropës, unitetin gjeografik dhe atë moral dhe kulturor ku për herë të parë do të ketë kontakte dhe me prurjet e reja në Europë, si Polonia, Transilvania dhe deri Anglia.

Kjo gjë do të vërehet më shumë sidomos gjatë konfliktit traumatik  me osmanët , konflikt që largon territoret e Ballkanit për më se tre shekuj nga ideja e Evropës dhe projektet rreth saj.

Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit, nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër të ‘pa besëve”. Vetë, udhëheqësi arbër, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës, kalorësi anglez John of Neëport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali.

Luftëra të pareshtura po zhvillonte dhe Perandoria tashmë e plakur Bizantine që i ishte ngushtuar shumë territori. Madje përballë këtij rreziku të madh Perandori Bizantin Paleologu VIII (1392-1448)  vizitoi Papa Eugjeni IV dhe pranoi të realizonte bashkimin e Kishave lindore dhe Romane. Bashkimi u ratifikua në Koncilin e Firences më 1439 të cilin perandori e ndoqi së bashku me 700 ndjekës duke përfshirë dhe Patriarkun e Kostandinopojës Josifi II. Për herë të parë , pavarësisht kundërshtimeve që gjeti në Kostandinopojë kjo marrëveshje u duk sikur Evropa gjeti unitetin fetar dhe shpirtëror, por për fat të keq kjo periudhë paqeje nuk zgjati shumë pasi bashkimi nuk ishte i vullnetshëm dhe se Kostandinopoja ra pak vite më vonë më 29 maj 1453  në duar të osmanëve. Shprehja e famshme e atij që më vonë u bë Patriarku i parë nën osmanët Genadius se “më mirë të pranojmë çallmën turke sesa kamillafin roman mbi kokë” tregonte qartë vizionin krejt të ndryshëm dhe ndarjen e pariparueshme të të dyja palëve.

Pushtimi i Kostandinopojës, shuarja e rezistencës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, pranimet e vasalitetit nga pothuajse të gjitha mbretëritë, principatat apo dhe qytetet sollën si rezultat pushtimin e të gjithë gadishullit Ballkanik dhe largimin e tij nga Evropa. Mirëpo koncepti i Rilindjes Europiane do të frymonte përmes diasporës së madhe arbre në Itali, Dalmaci dhe More, ku shumë arbër do të kontribuonin me veprën e tyre në kulturën e kontinentit europian.

Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje arvanitase ishte Mikel Maruli (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus.

Maruli

Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i

fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante.

Maruli është autor i katër librave me epigram latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Ai konsiderohet si ripërtëritësi i veprës së Lukrecit dhe i adhurimit të tij për natyrën. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510), piktori i rëndësishëm i Rilindjes Europiane na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500. Ndikimi i tij ishte i madh në letërsinë e viteve 1500. Pier Ronsar, autori i një soneti për Skënderbeun i kushtoi një epigram Mikel Marulit, Epigrammata et hymni, Paris, 1561. ku e shpallte si poetin më të madh të kohës. Filozofi italian Beneddo Crocce do i kushtonte një ese në vitin 1938, «Michele Marullo Tarcaniota: le elegie per la patria perduta ed altri suoi carmi», Bari, 1938. Kohët e fundit është botuar e plotë vepra e tij nga Oxford University Press dhe sigurisht që pret studiues shqiptarë të Mesjetës për ta përkthyer dhe analizuar.

Burimet:

1- Robert Elsie (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History. I.B.Tauris. pp. 299

2- Carol Kidwell, «Marullus, Soldier Poet of the Renaissance», London 1989