Rikthehet pas 567 viteve dasma historike e Gjergj Kastrioti -Skënderbeut në Kalanë e Kaninës

Kalaja e Kaninës u shndërrua në një vend feste plot me dasmorë, por të një dasme të veçantë. Atmosfera festive erdhi falë idesë së veçantë të deputetit, Fate Velaj për të improvizuar sërish dasmën e Gjergj Kastriotit.

Në të njëjtin vend ku 567 vjet më parë, Heroi ynë Kombëtar mori nuse Donikën, u festua me këngët e grupit polifonik të Kaninës dhe ansamblit të këngëve dhe valleve të Vlorës. Ky aktivitet u zhvillua ditën e diel, ku plot vizitorë, shijuan dhe u kthyen pas në kohë e në histori në kështjellën e Kaninës.

Artisti Fate Velaj realizoi ëndrrën e tij të vjetër, me organizimin për herë të parë në histori të “Dasmës së Skënderbeut”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë.

Me pjesëmarrjen e një delegacioni prej 60 vetash, ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve ishte edhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit, u festua 567-vjetori i dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590-vjetori i lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. Një ceremony, e cila vlen të kthehet në festë të përvitshme duke i shtuar vlerat turistike Kaninës.

Ky aktivitet erdhi falë bashkëpunimit të Shoqatës Patriotike “Kanina”, me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe bashkinë e Vlorës, duke sjellë për herë të parë një aktivitet me këto lloje përmasash, ku festimeve iu bashkuan miq e dashamirës nga trevat shqiptare.