Revista franceze “Marie Claire”: Tirana, parajsa e vogël e Ballkanit

TIRANë, 6 nëntor /ATSH/ Për francezët, Tirana konsiderohet si parajsa e vogël e Ballkanit, që ia vlen të vizitohet. Pas gazetave prestigjioze si “The Economist” apo “The Guardian”, apo revistave me emër si “Vanity Fair”, “Vogue”, “L’Espresso” etj., edhe revista e njohur franceze “Marie Claire” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke e cilësuar si qytetin që “nuk fle kurrë”.

“Vendi i Shqiponjave shfaqet si një vend plot magji, histori dhe kulturë. Një vend ideal për të kaluar pushimet, me një ndjesi mirëqenie dhe argëtimi, Tirana është një qytet që “nuk fle kurrë”, thuhet në artikullin e “Marie Claire”.

Duke cituar të dhënat e marra nga “Numbeo”, një nga faqet më serioze në fushën e statistikave, revista franceze e rendit Shqipërinë dhe kryeqytetin shqiptar si një ndër vendet më të sigurta në botë.

“Numbeo një faqe statistikore e rëndësishme e cila përmban informacione lidhur me cilësinë e jetës nëpër botë, e ka renditur atë (Tiranën) në vendin e nëntë, si një ndër vendet më të sigurta në botë. Shqipëria është një vend i cili është ende në hapat e para me një realitet në zhvillim e sipër”, shkruan “Marie Claire”.

Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga Nicolas Coupat, një francez i cili punon në një agjenci që merret me organizimin e grupeve turistike nga Franca, të cilët duke përfituar nga ofertat joshëse që ofron vendi ynë, marrin edhe shërbimin dentar.

“Unë jetoj në Shqipëri prej shumë vitesh dhe ajo që kam konstatuar është se Tirana është më e sigurt se Parisi apo qytete të tjera franceze. Këtu, unë mund të dal natën pa ndonjë rrezik. Ajo që më bëri të vendosem në Shqipëri është cilësia e jetës: Tirana është një qytet me plot mundësi argëtimi dhe vende ku mund të konsumosh një peshk të freskët, në restorante për më pak se 10 euro personi. Në Francë, unë jetoja me një pagë prej 4500 eurosh, por kam vendosur të vij e të jetoj në Tiranë, ku me 1000 euro në muaj, bëj një jetë më të mirë. I ftoj qytetarët francezë, për të vizituar këtë vend të mrekullueshëm”, thotë Nicolas për revistën “Marie Claire”.