“Restaurimi i Xhamisë së Plumbit” në Shkodër falë mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës Tiranë, kryen inspektime për detajet e fundit të projektit ” Restaurimi i Xhamisë së Plumbit” që pritet të fillojë së shpejti.

Falë mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, projekti parashikon zgjidhjen përfundimtare të problematikës kryesore, asaj të drenazhimit dhe sistemimit të ujrave të territorit përreth, por dhe ndërhyrje konservuese, restauruese dhe ndriçim të objektit.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Ambasadën Turke në Tiranë, dhe Agjencinë Tika. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Ajo është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie që rrallë ndeshet në xhami të tjera.