Rëndohet situata me zjarret, Emergjencat Civile: 25 vatra në 24 orët e fundit në gjithë vendin

Emergjencat Civile njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 25 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Berat. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se deri në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm, janë angazhuar 15 makina zjarrfikëse, 114 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 130 forca ushtarake, 10 forca pyjore, 5 punonjës të zonave të mbrojtura dhe helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Situata e zjarreve në qarqe

Në Qarkun Tiranë

Në fshatin Ibë, Njësia Administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë, pas një pune të gjatë nga forca të MZSH Tiranë dhe 30 forcave ushtarake që shkuan për ndihmë, është shuar zjarri i rënë në sipërfaqen pyjore, ku si pasojë u dogjën rreth 10 ha me shkurre dhe pisha. Tek Shkalla e Tujanit në Malin e Dajtit ditën e djeshme është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe të madhe dhe ka vijuar të jetë aktiv gjatë gjithë natës. Vatra e zjarrit u dobësua pas ndërhyrjes nga helikopteri. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të krehur të gjithë zonën nga vatrat e fshehura të zjarrit.

Në Qarkun e Vlorës

Në Parkun Kombëtar të Llogarasë në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë kanë qenë aktive vatra zjarri, në terren shumë të thyer malor mbi aksin rrugor nacional Vlorë-Llogara-Himarë. Për shkak të terrenit, ndërhyrja e forcave dhe automjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrës së Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Europian (ERÇ). Aktualisht në qark janë rreth 20 vatra zjarri aktive në largësi nga njëra-tjetra, çka vështirëson shuarjen e tyre plotësisht. 3 vatra zjarri janë në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat). Mëngjesin e sotëm një helikopter ka shkuar përsëri në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe vijon punën, pasi situata duhet mbajtur nën kontroll që zjarri mos të përfshijë nga flakët Parkun Kombëtar.

Në Qarkun e Dibrës

Në vendin e quajtur “Gura e Sllatinës”, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Peshkopi, ka rënë zjarr në terren të thyer malor, ku si pasojë ndërhyrja nga Shërbimi vendor i MZSH Dibër ka qenë e pamundur. Në vendngjarje kanë shkuar forca të Zonave të Mbrojtura, banorë të zonës dhe punonjës të njësisë administrative. Nga informacioni i fundit i marrë vatrat e zjarrit janë ende aktive.

Në Qarkun e Elbasanit

Në fshatin Krastë të bashkisë Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, i favorizuar dhe nga era e fortë. Zjarri ka qenë aktiv gjatë gjithë natës dhe po punohet për shuarjen e tij. Nga informacioni i fundit i marrë zjarri është vënë nën kontroll në pjesën e zonave të banuara dhe po punohet për shuarjen e plotë të tij. Me gjithë punën e bërë gjatë ditës, nuk është arritur që të lokalizohen dhe fiken flakët. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan disa zjarrfikëse të Elbasanit dhe qyteteve fqinjë, por terreni i thyer nuk ka lejuar që ata të arrijnë të shuajnë zjarrin. Kodra e Krastës është përfshirë e gjitha nga flakët. Në një kohë kur shërbimi zjarrfikës nuk po ia del të neutralizojë zjarrin, ajo që do mbetet pas flakëve do jetë thjeshtë shkrumbimi i pishave të kësaj zone e cila njihet si “mushkëria” e Elbasanit.

Në Qarkun e Beratit

Në fshatin Kuç të bashkisë Skrapar ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar ka shkuar pranë vendngjarjes por për shkak të terrenit të thyer malor nuk ka mundur të veprojë. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.