Reforma në Drejtësi, mes shtebërjes dhe plaçkëbërjes!

Nga Arian Galdini
Diktatura komuniste nuk ishte dështim. Ishte krim. 5 dekada krim dhe raprezalje prej një pakice batakçinjsh e kriminelësh që na sunduan, plaçkitën dhe poshtëruan në emër të një ideologjie me përmasa globale. Çfarë erdhi pas vitit 1990, u bë bishtzgjatim i krimit dhe dështim. A pati suksese? Sigurisht të panumërta. A pati arritje të mëdha e thelbësore? Sigurisht të shumta. A pati transformim? Sigurisht që po. Dhe transfomim të thellë ama.  Sidoqoftë, nëse sot do të ngrinim një Juri të Madhe popullore për të gjykuar këto 2 dekada e gjysëm, të gjithë ata që na qeverisën, drejtuan, sunduan e plaçkitën, do të mernin dënimin maksimal për dështimin historik që na shkaktuan. Dështim historik sepse kërkuan e prodhuan suksese me qëllime pushteti, jo largpamësie. Na dhanë arritje, për të na ‘ngopur’ e jo për të na ndërtuar aspirata. Na transformuan për të rrethrotulluar kah qëllimet e tyre meskine për të na rrëzuar e  sunduar, jo për të na lartësuar e dinjitetëzuar. Kemi sot një Shqipëri që është bërë Anëtare e  NATOs dhe ka marë Statusin Kandidat për në BE, që zvarritet në mjerim, padrejtësi, pashpresësi, limonti dhe braktisje. Duam të zgjedhim, por e kemi të kotë të kërkojmë zgjedhje sepse e dimë që nuk jemi ne qytetarët ata që zgjedhim. Janë ata që bëjnë Lista të Mbyllura, janë ata që blejnë votat, janë ata që kanë blerë mediat, janë ata që kanë mbushur Kuvendin me palaço, gojëmbyllur, kaqola, tutkunër dhe batakçinj, horra e trafikantë. Janë ata që e kanë mbushur Shqipërinë me hashash. Janë ata që bëjnë fushata për kuponin tatimor për të na mjelë ato pak para djerse të ndershme e që na shtijnë të bëhemi mbjellës e kultivues fushash e parcelash me hashash. Janë ata që na kriminalizojnë të gjithëve, sepse kështu e kanë më të lehtë të na kontrollojnë e sundojnë të gjithëve. Janë ata, Zotërit e Pushteteve. Na kanë katandisur nga qytetarë në militantë, nga idealistë në frikacakë e pragmatistë, nga njerëz në sende që shiten e blihen, nga komunitete në hordhi. Ikin e vijnë, ndërrohen e shahen, e përsëri bëjnë gjithçka po njëlloj. Me militantët na zënë frymën, me frikën paralizojnë e na vrasin shpresën, me pragmatizmin na akaparojnë, me shitblerjen na skllavërojnë, e me hordhitë na plaçkisin. Pika e nisjes dhe ajo e mbërritjes së qëllimeve të tyre është Pushteti dhe Pasurimi vetjak. Ne sa vjen e humbasim çdo vlerë e mundësi për të qenë ndikues në gjithçka ndodh në vendin tonë, me ne, për ne, në ne, e rreth nesh. Kemi pranuar çmimin e heshtjes ose të shitjes. Kush nuk e ka pranuar këtë çmim, paguan kosto të rënda me sakrifica, shpërfillje, veçim, linçim, asgjësim apo ikje nga ky vend. Këta Zotër të Pushteteve, këta që na kanë sunduar e plaçkitur në 25 vite, na kanë krijuar një Shqipëri të ultësisë më rrënonjëse të meskiniteteve të tyre. Në vititn 1990, ne u kërkuam dhe u besuam për një Shqipëri të ngjitjes në lartësitë më aspiruese të ëndrrave dhe qëllimeve më të mbara, ndërsa këta na rrethrotulluan e na plandosën në fëlligështi. Krim dhe dështim kanë këta mbi shpinë. E nën këtë peshë fajësie, këta kanë kaq muaj që na shpartallojnë me pasionin e tyre për Reformën në Drejtësi. Na thonë se Reforma në Drejtësi do të na krijojë një shteg të ri udhëtimi a fluturimi kombëtar. E kush e thotë? E kujt ia thonë? Këta që na sundojnë e plaçkisin, këta që aspiratat i masin me kate vilash, përqindje biznesesh, hektarë toke të zaptuar, llogari bankare anonime, apo stiva me para kesh të fshehura në bodrume.
E kush e thotë? E kujt ia thonë? Këta që e kanë mbushur Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë me kanabis. Këta që nuk kanë lënë kokëbosh e trushkulur, bandit, horr e trafikant pa bërë shok, deputet, Kryetar Bashkie a Drejtor. Këta që vetëm nëse ILDKP a Prokuroria do tu fotografonte veshjet e trupit që ndërrojnë disa herë në ditë, e llogariste kafetë, drekat, darkat, shishet e verës që konsumojnë çdo ditë, do ti kishte futur në 7 pashë nën dhe nëpër zgëqe birrucash prej ngaku nuk dilet më. Të mos flasim këtu për makinat, truprojat, udhëtimet brenda e jashtë vendit, biletat e avionëve a fundjavat e pushimet nëpër Hotele e Resorte të jashtëmendshme për shqiptarin e gjorë që e ka rrogën mesatare 280 mijë lekë të vjetra. Të mos llogarisim këtu sallat, konferencat, skenografitë, logjistikën e teknologjinë, burimet njerëzore pas çdo eventi, kampingjet rinore a koncertet e shkuma-partyt. Lëre pastaj po të mendojmë se ç’kosto kanë fushatat zgjedhore, hapësirat mediatike, rrogat e dyta e shpërblimet për gazetarë e redaktorë që bëjnë punën e Partisë dhe Udhëheqësit në median ku punojnë. Ngado që të hedhësh sytë, vëren se ç’parajsë e begati kanë ngritur këto pakica plaçkitëse politike mbi mjerimin tonë. E këta na thonë se Reformën në Drejtësi do të na e bëjnë këta. A thua se këta janë dielli dhe hëna jonë, drita dhe terri ynë, këta na plaçkisin e këta edhe na reformojnë, këta na shtypin kokën e këta edhe na bëjnë drejtësi, këta na sundojnë e këta edhe na thonë se u djeg xhani për të dënuar të pandëshkueshmit. I dëgjoj e më kap një gaz që më shqyen brinjët. I dëgjoj e më kap një vaj që më mer frymën.  Në këtë tragjikomedi tonën nuk mungojnë as aktorët ndërkombëtarë.  Për të thënë të vërtetën, atyre u jam veç mirënjohës për çdo përpjekje edhe kur nuk i kuptoj e as kur nuk i pëlqej gjërat që ata thonë e bëjnë. U jam mirënjohës sepse ata së paku as na plaçkisin e as na sundojnë. Përkundërazi na duan më të mirë, më të merituar, më të drejtë. SHBA dhe BE, janë jo thjeshtë partnerët tanë ndërkombëtarë. Ata janë shtëpia jonë, destinacioni ynë, aspirata jonë. Ne jemi në rruginën tonë të demokratizimit, falë SHBA. Ka mbetur rruginë, se dështuam ne. SHBA na ftuan në një udhëtim të hapur, të gjerë dhe të thellë demokratik. Sot e kësaj dite, këtë ftesë e inkurajim kanë për ne. Ne dështuam veten, dështuam edhe besimin e SHBA në këto 25 vite. Ne jemi në NATO, falë SHBA. Ata na prinë, na hapën rrugën, e ne i ndoqëm. Faleminderit Zotit, këtu SHBA nuk na lejuan as të dështojmë veten, e as besimin e SHBA. Ne kemi një Kosovë të lirë e të pavarur, falë SHBA. Ne jemi një komb që po fitojmë çdo ditë e më tepër një rol të denjë në Tryezën Globale, faleminderit mbështetjes që na ka dhënë e po na jep pa kursim SHBA. Ndërsa në BE po shkojmë. Integrimi Europian është objektivi më i lartë kombëtar që ne kemi sot për sot. Familja Europiane është familja jonë natyrale. Megjithatë, dështimi ynë, është bërë edhe timoni edhe kufiri i veprimit tonë e madje edhe i ndërkombëtarëve këtu. A nuk është Reforma në Drejtësi, një imperativ moral, institucional, historik, vetëm e vetëm për shkak të dështimit tonë? Ne jemi udhëhequr nga kusarë, të cilët çdo institucion, bëmë e gjëmë që kanë bërë në këto 25 vite, e kanë ngjizur bazuar në meskinitetin dhe ultësinë e tyre njerëzore, qytetare e politike. Kusarët e Politikës, e donin edhe Policin, edhe Taksidarin, edhe Gjykatësin, edhe Prokurorin, si shërbëtorë e bashkëfajtorë në plaçkëbërjen ndaj Shtetit dhe të mirës publike. Ja ku jemi, në gjithë këtë cunami të madh publik, politik, mediatik, kombëtar e ndërkombëtar, kur e ku të gjithë kanë ngirtur kazma e qysqi për të përmbysur botën e vjetër e të koruptuar të drejtësisë, e për të ngritur mbi të një botë të re. Të gjithë kundër Gjykatësve dhe Prokurorëve të koruptuar e korporatizuar si organizatë kriminale. Dhe të gjithë kanë të drejtë. Sepse e tillë është drejtësia në Shqipëri. Prokuroritë janë vërtetësisht varrëmihëse të drejtësisë. Gjykatat janë gropa ku prehet e mbulohet me dhe përmbys dhe e çakërdisur Drejtësia. E drejta është bërë si një monedhë që shkëmbehet në Tregun e Valutës, me lekë, euro, dollarë, seks apo prona. Nuk ka shqiptar që nuk e di, nuk e pranon, nuk e vuan, nuk e kundërshton këtë mizori. Nuk ka shqiptar që nuk e kërkon e dëshiron me gjithë shpirt e zemër transformimin e këtij sistemi të kalbëzyer të drejtësisë që kemi e që na vret shpresën me shpejtësi skëterre. Veç pyetja që më buçet në kokë është shumë e thjeshtë dhe e qashtër: A thua vallë, Shërbetorët e Sundimtarëve Politikë, në Gjykata e Prokurori, qenkan problemi, kryeproblemi apo i vetmi problem, përderisa e tërë revolta dhe pritshmëria jonë është ngritur mbi ndërrimin e reformimin e tyre? Dështimi ynë ka përcaktuar edhe betejën tonë të re. Jemi ngritur në këmbë, vendas e të huaj për të Reformuar Pushtetin e Tretë, ndërkohë që askush nuk thotë asgjë, për Reformimin e dy Pushteteve të tjera. Legjislativi dhe Ekzekutivi, mbeten në po të njëjtat duar, me po të njëjtët njerëz, me po ata emra që na kanë sunduar në 25 vite. E si mund të shpresojmë ne që Reformimi i Drejtësisë, nga Sundimtarët Politikë që kanë dy pushtetet e tjera, do të na çojë në bregun e ‘dritës në fund të tunelit’? Si në botë, mund të ndodhë kjo? Si?
Pikërisht këtu po montohet dhe ç’montohet vidha që bën ose jo marrëveshje mes palëve që Reforma në Drejtësi, të miratohet ose jo, në dt 21 korrik. Ka një përpjekje propagandistike me qëllime të vogla politike dhe elektorale brenda vendit, për ta paraqitur çështjen e Reformës në Drejtësi, si një çështje me dy palë. Por këtu, paradoksalisht, e përtej ironisë së logjikës së gjërave, nëse do të flasim për një realitet politik të folur e shkruar, nuk ka dy palë që po luajnë me Reformën. Nuk ka pro dhe kundër Reformës. Të gjithë shqiptarët, të gjithë Sundimtarë e Shërbëtorët e tyre, të gjithë faktorët politikë në Shqipëri, të gjithë liderët politikë, të gjitha partitë politike, janë shprehur qartazi se janë pro Reformës në Drejtësi. Nuk ka palë kundër Reformës në Shqipëri. Keqkuptimin e ka krijuar propaganda me qëllime politike të ditës dhe me qëllime elektorale.  Kryeministri Edi Rama e ka nisur çështjen e Reformës në Drejtësi duke e privatizuar si premtim elektoral, e vijoi si Program Qeveritar, e po vazhdon ta administrojë si vellon e nusërisë së tij elektorale në zgjedhjet e ardhshme. Ky qëndrim është joserioz, jokonsensusndërtues, i papapërgjegjshëm dhe anarkik. Reforma në Drejtësi është një kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri historike. Pikë. Ky është qëndrimi i qartë dhe i patjetërsueshëm i kujtdo qe ka folur shqip e anglisht këtu. Nuk është Reforma në Drejtësi as palestra e fjalimeve të Ramës, as lakmusi i kapacitetit të Ramës për të koceptuar e zhvilluar plane A, B, C, D, etj, as koncensioni i rradhës i Kryeministrit që ua lë në derë të tjerëve çorbën që ka gatuar vetë, e as testaftësimi i Ramës për të shkruar shkurt në twitter.  As nuk ka dy palë që luajnë top me Reformën. Ka dy palë që duhet të bashkërendohen e punojnë bashkë për të gjetur konsensusin për miratimin e Reformës në Drejtësi. Të gjithë thonë me zë e figurë, por edhe me të shkruar se e duam Reformën. Nuk po bëjmë tërheqje litari me Reformën. Duhet të bëjmë akt shtetarësh, të gjejmë gjuhën e bashkëpunimit dhe të dalim të gjithë ballëlartë para shqiptarëve dhe partnerëve tanë Ndërkombëtarë, me miratimin e Reformës. Vetingu me vendim-marrës Ndërkombëtarët, nuk ka të bëjë më thjesht me cënimin e Sovranitetit. Përkundërazi. Anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE  sjellin vetvetiu edhe besim Sovraniteti në Bruksel. Problemi qëndron në faktin se Vetingu me Ndërkombëtarët si vendim-marrës është jo dorëzim Sovraniteti, por dorëzim në Dështim. Një klasë politike e një Shtet që ka dështuar dhe hidhet me vetëdije në dështim, i dorëzohet në fakt kaosit dhe anarkisë e është më mirë të ikë vetë. Po u lejua dorëzimi në dështim, mbretëron anarkia. Ne duam të besojmë se ka ende energji e fuqi e kapacitete njerëzore me integritet në këtë vend që nuk udhëhiqen as nga Frika e as nga Vetëviktimizimi. Brukselit dhe Washingtonit ua dorëzojmë me kënaqësi Sovranitetin, por jo dështimin tonë. Ne nuk kemi frikë të përballemi me sfidat e një të nesërmeje që kërkon sakrifica. Ne  jemi të gatshëm të jemi në Bord bashkë me Washingtonin dhe Brukselin dhe me Shumicën Dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, për të marë të gjitha përgjiegjësitë që na takojnë për te miratuar një Reformë në Drejtësi, të standarteve më të mira Perëndimore, që u jep shqiptarëve Drejtësi, Partnerëve Strategjikë tu japë Siguri dhe Shtetit tonë Ardhmëri. Kryeministri Edi Rama kërkon të heroifikohet jo duke marë përgjegjësi, por duke u vetëviktimizuar e duke shpallur Dështimin final. Ai nuk është as dorëzues luajal Sovraniteti, e as Integrist i ndershëm. Ai kërkon që tu lërë në dorë Partnerëve, Aktin e Dështimit të Shtetit, Politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ai do anarki duke e përdorur Reformën dhe miratimin a mosmiratimin e saj si vello nusërimi elektoral. Ne e duam Reformën në Drejtësi si Ardhmëri e për qëllime e përgjegjësi Shtetbërëse. Kur them ne kam parasysh të gjithë ata që nuk u besojnë llogjeve dhe përdëllimeve të Sundimtarëve tanë. Por kam parasysh edhe rolin tim si Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, si anëtar i Koalicionit Opozitar që drejtohet nga PD dhe Lulzim Basha. E them me përgjegjësi këtë ngase e di që edhe Lulzim Basha këtë pjesë e mendon kështu. Sepse ne e dimë që Reforma e vërtetë është vetëmaturimi dhe përgjegjësimi qytetar dhe politik, për njnë betejë jetike për largimin e sundimtarëve. Shqipëria do të bëhet më e drejtë kur të mos ketë më sundimtarë, por drejtues të përgjegjshëm dhe llogaridhënës që votohen për të mirëqeverisur e shërbyer. Sundimtarët, nuk votohen, ata ose e blejnë popullin ose referendumohen sepse duan unanimitet. Sundimtarët blejnë popullin se duan fuqi. Drejtuesit kërkojnë besimin e popullit sepse duan mundësi. Ata që duan fuqinë nuk mund të sjellin e as Reformojnë Drejtësinë. Ata që kërkojnë mundësinë, bashkëjtojnë natyralisht me drejtësinë. Këto sa me sipër, gjithçka sa më sipër, janë edhe e vërteta teorike edhe ajo praktike.
Arian Galdini
Tiranë më, 15 korrik 2016

Watch Full Movie Online Streaming Online and Download