Raporti i TI: Vetëm 7 vende zbatojnë fort ligjet kundër ryshfetit të huaj

Shtetet e Bashkuara ndodhen në mesin e shtatë vendeve kryesore që zbatojnë ligjet kundër kompanive që u japin ryshfet zyrtarëve të huaj në këmbim të marrëveshjeve të biznesit. Kjo thuhet në një raport të ri të organizatës anti-korrupsion “Transparency International” publikuar të mërkurën.

Vendet e tjera janë Gjermania, Izraeli, Italia, Norvegjia, Zvicra dhe Britania.

Së bashku, të shtatë vendet llogaritet se mbulojnë 27 për qind të volumit të eksporteve botërore.

Në raportin e “Transparency International” citohet një rast i vitit 2016, në të cilin kompania braziliane e ndërtimit “Odebrecht” u deklarua fajtore se u kishte paguar rreth një miliardë dollarë në formë ryshfeti zyrtarëve të të gjitha niveleve të qeverisjes në të paktën 12 vende.

Sipas raportit, katër vende të tjera që përfaqësojnë 4 për qind të eksporteve botërore, Australia, Brazili, Portugalia dhe Suedia, zbatojnë forma të moderuara të ligjit kundër ryshfetit të huaj. Raporti bën një vlerësim të veprimtarisë së 44 vendeve eksportuese kryesore, ku përfshihen 40 vende që kanë nënshkruar Konventën e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Konventa e vitit 1997 kërkon që nënshkruesit të kriminalizojnë ryshfetin e huaj dhe të paraqesin masa të tilla, siç është hetimi i rasteve të dyshuara për ryshfet. Nga 44 shtetet e shqyrtuara, në 11 ligji për ryshfetin e huaj gjen një zbatim të “kufizuar”, ndërsa në 22 të tjerë, përfshirë Kinën, Hong Kongun, Indinë dhe Singaporin, ligji zbatohet “pak ose aspak”. Raporti rekomandon që katër ekonomitë e mëdha, të mbyllin “hendekun e zbatimit” duke u bërë pjesë e konventës anti-ryshfet.

Në raportin më të fundit të organizatës “Transparency International” lidhur me ryshfetin e huaj, publikuar në vitin 2015, renditeshin vetëm katër vende ku ligji zbatohej fuqimisht: Gjermania, Zvicra, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Lajmi i mirë është se tetë vende që mbulojnë një volum prej 7.1 për qind të eksporteve botërore e kanë përmirësuar punën e tyre që nga raporti i fundit i vitin 2015“, thuhej në raportin e organizatës, ku shtohej se “lajm i keq është mbetet ende një rrugë e gjatë përpara“.

VOA