Raporti i organizatës Transparency International: Shqipëria shënon rënie, ndërsa Kosova pak përparim në luftimin e korrupsionit

Raporti i organizatës Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë e ka radhitur Shqipërinë në vendin e 91-të, duke shënuar kësisoj përkeqësim të gjendjes në krahasim me një vit më herët kur ajo ishte radhitur në vendin e 83-të.

Kosova kësaj radhe radhitet e 85-ta, me gjithsej 39 pikë, duke shënuar përparim krahasuar me një vit më parë kur ajo radhitej e 95-ta me 36 pikë.

Kësisoj ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që ka shënuar përparim. Bosnje e Hercegovina një vit më parë ishte në vendin e 83-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 91-të.

Derisa Mali i Zi mbetet në vendin e 64-të njësoj sikurse edhe jë vit më parë, Serbia ka rënë nga vendi i 72-të në vendin e 77-të.

Më se keqi në rajon radhitet Maqedonia e cila nga vendi i 90-të ka rënë në vendin e 107-të.

Raporti që përfshinë 180 vende të botës përdorë një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar.

Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda janë vendet më të pastra sa i përket korrupsionit, ndërsa në fund të listës radhiten Somalia, Sudani Jugor dhe Siria.

Organizata vlerëson se në gjashtë vitet e fundit shumë vende kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit. VOA