Raporti i Kryeministrit, Edi Ramës për Shkodrën, ja çfarë duan qytetarët

Kryeministri Rama publikoi raportin e dëgjesave publike për një tjetër qark, atë të Shkodrës, ku shprehet krenar për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, kryesisht për Bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz, të cilat sipas kreut të qeverisë kanë performuar më mirë ndër 61 bashkitë e vendit.

Turi dëgjimor me qytetarët pas zgjedhjeve është shoqëruar me një bilanc për atë çka shkodranët do donin të ndryshonin përgjatë 4 viteve të ardhshme, duke filluar nga procesi i legalizimeve dhe regjistrimit të pronave duke u ankuar për ecurinë e dobët, mungesën e infrastrukturës rrugore dhe rrjetit të ujësjellësit, mbifaturimet nga OSHEE dhe nevoja për investime në rrjet, punësimet pa kriter dhe paaftësia e administratës publike, mungesa e shërbimeve apo investimeve në bujqësi.

Për kreun e qeverisë, qarku Shkodër radhitet ndër qarqet me performancë mesatare në zgjedhjet e qershorit, duke lënë pas qarqet e tjera të mëdha si Tirana, Korça dhe Elbasani. Më 25 qershor, PS fitoi në qarkun Shkodër 1432 vota më shumë se në 2015.