Raporti britanik: Pse nuk kanë interes gjermanët, t’i shkatërrojnë përfundimisht partizanët

Në vjeshtën e vitit 1944, kur lufta në Shqipëri pritej të mbyllej shpejt, të gjitha palët kishin filluar të bënin llogaritë politike për pushtetin pas saj. E kësaj llogarie nuk i shpëtuan as britanikët, të cilët filluan të shqetësohen mbi influencën e tyre në Shqipëri. Investimi i madh për luftën në krahun e komunistëve, filloi të hedhë dyshime të forta te britanikët nëse pas lufte Shqipëria do të ishte pro britanike. Një raport ndryshe i vitit 1944, jep disa detaje dhe analiza të rralla mbi lëvizjen komuniste në Shqipëri. Britanikët vlerësonin se gjermanët nuk patën interes të shkatërronin përfundimisht lëvizjen komuniste në Shqipëri për arsyen se nuk kishin besim të plotë te nacionalistët.

“Është e qartë se gjermanët nuk dëshirojnë të shkatërrojnë partizanët, të cilët mund të jenë duke luajtur lojën e tyre. Për sa kohë që linjat e komunikimit ruhen, ekzistenca e një ushtrie partizane përbën avantazh ndaj gjermanëve, meqenëse ajo ndihmon në mbajtjen nën kontroll të Ballit Kombëtar dhe nacionalistëve të tjerë të papërfshirë në politikë dhe si rrjedhojë, t’i binden asaj”, thuhet në raportin e britanikëve. Kjo analizë hedh dritë mbi motivet ushtarake dhe politike të komunistëve, si dhe jep një këndvështrim krejt tjetër për luftën në Shqipëri.

Raporti i plotë

LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE (PARTIZANËT)

Ky është një emër i përshtatshëm për të grupuar së bashku elementët me pikëpamje radikale, të cilët përfshihen në Lëvizjen Nacional Çlirimtare (LNC) dhe shqiptarët apo Partia Komuniste. Pavarësisht humbjeve të saj nga shkëputja e Ballit Kombëtar, LNÇ-ja pretendonte ende se ishte partia më me influencë në Shqipëri. Është e qartë se ajo është e lidhur ngushtë me komunistët, të cilët janë partia e vetme e organizuar që ka mbetur përkrahëse e saj.

Duket se po zhvillohet një situatë e ngjashme në Jugosllavi, ku nisma komuniste është predominuese në Unionin e Krahut të Majtë, por ndërsa Tito ka formuar kabinetin dhe komitetin politik, gjatë të cilit elementet liberale dhe personalitetet e shquara janë në krye, nuk ka të dhëna se partizanët shqiptarë kanë grumbulluar rreth vetes figura të rëndësishme në jetën publike shqiptare për t’i mbështetur. LNÇ-ja dhe shqiptarët duket se kanë veprimtari që përputhen kaq mirë me njëra-tjetrën, saqë është e vështirë të thuhet ku mbaron njëra dhe ku përfundon tjetra.

Ata rekrutojnë meshkuj mbi moshën 15 vjeç si luftëtarë në male, ndërsa zgjedhin mes tyre ekzekutorët për tradhtarët, të cilët janë dënuar nga partia. Djemtë, ndërmjet moshave 13 dhe 15 vjeç, janë rekrutuar si agjentë dhe informatorë. Puna e tyre përfshin transportimin e njoftimeve të shtypura nga malet drejt qyteteve dhe afishimin e tyre nëpër mure natën. Lëvizja ka në rrjet agjentët që punojnë në territorin e pushtuar. Kështu, në fillim të janarit, shtëpia e një fshatari 27-vjeçar u bastis në Babicë dhe brenda u gjetën dy makina shkrimi, një sasi e konsiderueshme materialesh propagandistike komuniste, medikamente mjekësore, fitil dinamiti dhe letër e bardhë.

Pranë një shtëpie tjetër, në të njëjtin fshat, u gjetën të fshehura nëpër shkurre mortaja të lehta dhe municion tjetër ushtarak. Në një banesë në Shkodër u gjet një sasi e madhe materiali propagandistik dhe 300 uniforma të ushtrisë italiane. Partizanët është e dukshme se po përpiqen të shkëputin lidhjet e kaluara me liderët e rezistencës në një federatë bandash të shpenguara, nga të cilat ekzistojnë 100 syresh, secila e udhëhequr nga disa figura të shquara, të cilat komandojnë nga 20 deri në disa qindra luftëtarë.

Në vend të tyre janë bërë përpjekje për të krijuar një ushtri të mirëorganizuar dhe në fillim të shkurtit 1944, një pamflet partizan ngrinte në qiell arritjet e asaj, që tashmë është quajtur Ushtria Nacionalçlirimtare. Ndikimi i ngjarjeve në Jugosllavi është i dukshëm në zgjedhjen e emrit; ajo është bazuar thellësisht në politikën dhe organizimin e partizanëve, të cilët në mënyrë të dukshme arritën në përfundimin se Shqipëria nuk kishte asgjë për të fituar duke pritur thjesht disfatën e forcave të aksit, por mund të ndikonte në politikën e aleatëve duke marrë nën kontroll ngjarjet, ashtu siç kishte vepruar edhe Tito.

“Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Jugosllavisë”, thonë ata, “me gjakun dhe djersën e tyre, i kanë siguruar popullit të drejtat e tij me miratimin dhe njohjen e botës liridashëse, të qeverisë demokratike federale”. “Shkoni, pra, dhe veproni kështu”, thonë ata. Ky është një kontrast freskues me propagandën disfatiste që përdor qeveria. Një sfidë e tillë është ambicioze, por ushtria partizane është ende shumë e vogël dhe influenca e saj kufizohet kryesisht në zonat malore në juglindje të vendit. Ajo përbëhet nga gjashtë brigada-e gjashta zhvilloi paradën e saj inauguruese në Përmet, më 24 janar 1944, secila e përbërë nga dy apo tri batalione.

Kështu, forcat e rregullta të ushtrisë nuk mund të jenë më shumë sesa afro 1500. Megjithatë, të gjitha ato nuk gjenden në të njëjtën kohë në terren, pasi secili batalion përfshin personel të përkohshëm, që jeton në zonën ku kryhen operacionet. Armatimi i një brigade njoftohet të jetë i përbërë nga tri mortaja 81 mm, një mortajë 45 mm, 5 mitraloza “Breda”, një granatahedhëse, gjashtë pushkë automatike dhe të zakonshme.

Gjendja e veshmbathjes së trupave linte shumë për të dëshiruar. Ushtria nuk duket të jetë më e madhe sesa një bërthamë forcash modeste, që u përket bandave guerile, ndërsa partizanët njoftohet se kanë mobilizuar në terren 800 burra në një aksion të vetëm-sulmi kundër fshatit Dukat, bastion i Ballit Kombëtar. Me gjithë përfshirjen e një numri të madh fshatarësh, partizanëve u është bashkangjitur një numër i konsiderueshëm të rinjsh që i përkasin klasës së rrogëtarëve, si për shembull mësues shkollash dhe nëpunës bashkish.

Ky eksod nga fronti i tyre i punës duhet të ketë marrë përmasa të mëdha, ndërsa gjermanët lëshuan një paralajmërim se të gjithë nëpunësit që mungojnë në vendet e tyre të punës, pas 15 dhjetorit, do të trajtohen si dezertorë. Lidhur me aftësitë luftarake të partizanëve, opinionet deri tani kanë qenë të ndryshme. Kështu, në sulmin e vitit të kaluar në fshatin Dukat, partizanët megjithëse të armatosur, nuk arritën ta merrnin fshatin nën kontroll pas shtatë orë luftimesh dhe kur 300 gjermanë mbërritën atje, ata ia mbathën, duke plagosur vetëm një ushtar gjerman.

Një vëzhgues britanik raportoi se ata janë “një bandë vagabondësh pa aftësi luftarake”. Meqenëse shqiptari është cilësuar për një kohë të gjatë si luftëtar, kjo sugjeron se “të rinjtë e klasës së rrogëtarëve”, më të aftë në ideologji sesa në çështje lufte, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të forcave partizane. Kjo klasë është e prirur, ashtu si shumica e inteligjencës së qyteteve të vogla në Ballkan, ndaj doktrinave të ngurta politike, një mungese takti politik dhe një komunizmi më pak të bazuar në të kuptuarit e Karl Marksit sesa një frustracioni për shkak të paaftësisë së vendeve të prapambetura për të siguruar shpërblime dhe njohje meritash dhe përmes tyre, rrogën sipas titullit që kanë.

Nga ana tjetër, “aftësitë e shkëlqyera luftarake” të shumë formacioneve partizane u lavdëruan nga zoti Churchill në nëntorin e vitit të kaluar dhe pas kapjes së brigadier Davies në janar, deklarata zyrtare britanike veçoi disa liderë partizanë si “heronj tipikë të shpirtit luftarak të Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij”. Një prej kritikave më të rënda ndaj partizanëve, vjen nga një burim amerikan në vend që përmend se, “ata janë plotësisht përgjegjës për luftën civile dhe për ndërprerje të aksioneve kundër gjermanëve”.

Sulmet e tyre kundër bashkëpatriotëve dhe banesave të bashkëpatriotëve mendohet se e kanë detyruar Ballin Kombëtar të ketë momentalisht një rol varësie ndaj mbështetjes gjermane. Duket se nuk ekziston as edhe dyshimi më i vogël se shumë mbështetës të Balkom-it, të cilët dëshirojnë të mbështesin britanikët, u druhen më shumë sulmeve të partizanëve kundër tyre se sa sulmeve gjermane për çlirimin e vendit.

Për këtë arsye, nuk mund të hamendësohet se rangu dhe njerëzit e duhur janë domosdoshmërisht partizanët. Në të vërtetë, sulmet me zjarrëhedhëse kundër fshatrave pranë qendrave të tyre sugjerojnë se mbështetja për partizanët është tejet e kufizuar lokalisht. Ajo që sërish konsiderohet disavantazh i partizanëve, është fakti se shumë prej liderëve të tyre politikë dyshohet se nuk janë shqiptarë dhe se ata luajnë një rol të konsiderueshëm në Balkom dhe propagandën e frymëzuar nga gjermanët.

Kështu, Dushani besohet se është malazez, Miladin Popoviçi dhe Suloviçi serbë, Gjerges dhe Dhima grekë, ndërsa Pirusheffi dhe Soronovski maqedonas. Meqenëse Shqipëria në të kaluarën ka mbrojtur me vështirësi veten nga ambiciet territoriale të fqinjëve të saj, ky është, për fat që keq, një gabim trashanik.. Jeta e Shqipërisë si një vend i pavarur është kaq e shkurtër dhe e ndërlikuar dhe e ardhmja e saj shfaqet kaq e pasigurt, saqë nacionalizmi është ende një çështje therëse.

Në të vërtetë, një prej çështjeve kryesore të ngritura nga lufta civile është fakti nëse duhen të renditen të parat kushtet sociale apo integriteti i kombit. Partizanët, megjithëse planet e të cilëve për reforma agrare dhe ndryshime të ngjashme janë të arsyeshme në vetvete dhe pranohen nga shumica e shqiptarëve, nuk kanë treguar mençuri të madhe politike duke i parashtruar ato. Vendi nuk e ka ndierë veten si një i tërë, në mënyrë që partizanët të realizonin këto reforma më shumë në kuadër të një Shqipërie të lirë dhe të pavarur, se sa një vendi ballkanik të mjegulluar nga dominimi sllavo-sovjetik.

Kjo duhet ngulitur në mendje sa herë që ekziston një tendencë kur mendojmë se politika shqiptare ndahet mes pro gjermanëve dhe pro aleatëve. Kjo ndarje ekziston, megjithëse pro gjermanët janë pa dyshim të paktë, por kjo nuk është gjithmonë një politikë efektive ditë pas dite. Megjithëse pro gjermanët janë të paktë dhe pro aleatët janë të shumtë, këta të fundit gjenden në grupe të ndryshme – disa madje brenda qeverisë, shumë prej tyre mes rangjeve të Balkom-it, zogistëve dhe më pak ekstremistëve në radhët e partizanëve.

Por, ata janë shpërndarë si ato shufrat e hekurit që kërkojnë magnetin e një zbarkimi aleat apo në rastin më të keq, të një politike aleate, për të cilën ata mund të grumbullojnë mbështetje popullore mbi bazat e vetëkënaqësisë. Pjesa më aktive e partizanëve është larg të qenit pro aleatëve. Ata sulmojnë Britaninë kapitaliste dhe Amerikën, sikurse Gjermaninë naziste.

Hartë e zonave të influencës në fillim të pushtimit gjerman, hartuar nga oficerët britanikë
Hartë e zonave të influencës në fillim të pushtimit gjerman, hartuar nga oficerët britanikë
Një qarkore e gjatë që mendohet të jetë lëshuar nga KQ i PK Shqiptare në nëntor 1943, pretendonte se anglo-amerikanët kishin kontribuar shumë pak për luftën kundër ushtrisë gjermane dhe se çdo lidhje me ta kishte pak vlerë, pasi politikat e tyre, si në të kaluarën, bazoheshin në interesa personale. Qarkorja nuk jepte impresione lidhur me praninë e misioneve britanike, por komentonte: “Në shumë provinca ka misione angleze, që përpiqen të fusin hundët në çështjet e brendshme politike dhe veçanërisht në çështjen e organizimit tonë ushtarak.

Ato orvaten të bashkohen me reaksionarët, t’i organizojnë ata në mënyrë që t’i përdorin si vegla për një zbarkim të mundshëm. Ne duhet të mbajmë një qëndrim të mirë ndaj britanikëve, por gjithashtu, edhe një qëndrim të prerë. Ata nuk duhet të përzihen me punët tona të brendshme.” Pasi sugjeronte se britanikët po përpiqeshin të rritnin prestigjin e Balkom-it, “për të luftuar gjermanët në mënyrë që t’i kenë në varësi në të ardhmen, kërkohet që çdo informacion lidhur me aktivitetet e tyre duhet t’i përcillet shtabit tonë të përgjithshëm dhe në rast se zbulohet ndonjë dokument i rëndë- sishëm apo personal, atëherë duhet t’i dërgohet personelit të misionit britanik përmes shtabit tonë të përgjithshëm.”

Pjesa më e madhe e këtij materiali, sidoqoftë është provokues. Ekstremistët shqiptarë qëndrojnë në pozita të ngjashme me liderët e hershëm bolshevikë. Me mungesën e një mbështetjeje nga jashtë, me një organizatë të ashpër dhe të gatshme dhe me një kërcënim të vazhdueshëm për t’u shfarosur nga një ushtri e huaj me mbështetjen e bashkëpatriotëve të tyre, sjellja e tyre është ekstremisht e ashpër. Ata nuk i kanë siguruar akoma shërbimet e një shtetari finok dhe të një vizionari për të krijuar një lëvizje, që do të kënaqte qoftë nacionalistët, qoftë reformatorët socialë.

PËRFUNDIME

Vlen për t’u përmendur fakti se, çfarë mund të bëhet për të siguruar një shkallë maksimale bashkëpunimi me shqiptarët në detyrën e dëbimit të gjermanëve, qoftë për të lehtësuar zbarkimin aleat nga ajri, apo për ta bërë atë të panevojshëm. Puna paraprake e nevojshme nga ana jonë është në një masë të vogël vetëm problem ushtarak. Kjo do të thotë se, ndërsa shqiptarëve do t’u nevojiten armë, do të jetë më pak i nevojshëm thjesht furnizimi me armë, sesa të vendosim kujt dhe në çfarë kushtesh do të bëhet furnizimi i tyre.

Nuk mund të ketë gabim më të madh sesa të supozohet se gjithçka që duhet bërë, është t’u pompojnë armë partizanëve dhe të varemi nga ata për të bërë detyrën tonë. Arsyet për këtë janë shkurtimisht si më poshtë:

a) Lëvizja partizane në Shqipëri nuk mund të krahasohet me atë në Jugosllavi. Në Jugosllavi, Tito ka harmonizuar nacionalizmin dhe politikën sociale. Kombet e Jugosllavisë janë shumë dhe premtimi i federalizmit dhe reformave radikale lejon këdo, qoftë slloven, qoftë maqedonas, të bashkohet me partizanët pa ushtruar dhunë ndaj patriotizmave lokale. Në Shqipëri, ku ekzistenca e vetë shtetit duket në rrezik për shumë syresh, lëvizja partizane luan rolin e përçarësit në vend që të bashkojë. Nacionalizmi atje është një çështje qejfi në krahasim me pjesën tjetër të Europës, ndërsa partizanët nuk kanë arritur të bindin nacionalistët se ata janë në gjendje apo do të harmonizojnë reformën sociale me pavarësinë e Shqipërisë.

b) Në rast se do të dërgoheshin armë në një masë të tillë saqë partizanët mund të dërrmonin çdo element tjetër në vend së bashku me ushtrinë gjermane, atëherë ne duhet ta ndihmojmë dhe jo ta pengojmë pushtimin gjerman. Është e qartë se gjermanët nuk dëshirojnë të shkatërrojnë partizanët, të cilët mund të jenë duke luajtur lojën e tyre. Për sa kohë që linjat e komunikimit ruhen, ekzistenca e një ushtrie partizane përbën avantazh ndaj gjermanëve, meqenëse ajo ndihmon në mbajtjen nën kontroll të nacionalistëve të papërfshirë në politikë dhe si rrjedhojë, t’i binden asaj.

Partizanët nuk e kanë përfituar ende dhuntinë për të diferencuar mes dikujt që vepron si kolaboracionist me paramendim, dhe një patrioti të sinqertë dhe progresist, i cili, përmes forcës së rrethanave, mbetet inaktiv. Sa më të fuqishëm të bëhen partizanët në pjesët e tjera të vendit – natyrisht deri në njëfarë mase pasi ata nuk mund të fuqizohen deri në dominimin e vendit – aq më shumë do t’i shtyjë intransigjenca e tyre politike elementet e moderuar pro britanikë dhe pro amerikanë në duart e gjermanëve.

c) Partizanët nuk kanë në gjirin e tyre figura popullore dhe një talent administrativ për të siguruar mbështetje publike dhe për të ruajtur qetësinë në prag të një pushtimi aleat. Ne do të ishim të përfshirë në një luftë civile, gjatë së cilës rebelët do të përfshinin me mijëra nga ata që do të uronin sinqerisht një fitore të aleatëve, ndërsa forcat ku mbështeteshim ne, do të na konsideronin si diçka, me të cilën sillesh me një tolerancë përçmuese.

d) Furnizimi vetëm i partizanëve do të na hiqte nga duart fuqinë më të madhe bindëse që zotërojmë – kapacitetin për të përdorur burimet tona të ushqimit, veshmbathjes dhe armëve, si argument për rikthimin e unitetit kombëtar mbi bazat e një përpjekjeje kundër gjermanëve. Kjo do të ishte kryekëput gabim në kuadër të provave se,

a) elementë të Balkom-it sa vijnë e bëhen më agresivë nën pushtimin gjerman dhe se

b) elementi zogist po fiton mbështetje të gjerë popullore dhe gjashtë nga dhjetë prefektura tashmë raportohen se janë pothuajse plotë- sisht besnike ndaj lëvizjes zogiste. Ne po përballemi me disa mijëra gjermanë dhe kosovarë të armatosur – këta të fundit parashikohen të zhvillojnë një betejë të dëshpëruar kundër nesh dhe të dy këta mund të shfarosen vetëm nëse ne do të mund t’i shfrytëzojmë të gjithë elementet jo të kompromentuar nga mbështetja e Gjermanisë. Neve na nevojiten partizanët, formacionet e Kupit dhe rangjet dhe numri i luftëtarëve të Balkom-it.

Së bashku, ata mund të formojnë një “rreth të hekurt” duke i rrethuar gjermanët në ultësira dhe çdo politikë që nuk tenton në fillim t’i bashkojë ata, do të sillte pështjellim në vetvete. Mendohet se mundësia e një bashkimi është më e madhe tani sesa asnjëherë më parë për arsyet e mëposhtme:

a) Lëshimet territoriale, me të cilat është manipuluar kaq shumë kohët e fundit, do të kishin humbur shumë prej shkëlqimit të tyre për shkak të akteve të kryera nga kosovarët. Ka pasur gjithmonë një element të fuqishëm në Shqipëri duke pasur parasysh pikëpamjen se irredentizmi nuk duhet inkurajuar me qëllim që të ruhet miqësia me Jugosllavinë dhe se në vend të pretendimeve të reja territoriale nga ana e Shqipërisë, duhet të thithen elemente të dëshirueshme mes popullit të Kosovës, nëpërmjet intensifikimit dhe kultivimit të tokës së tyre. Kjo pikëpamje duhet të jetë shtrirë gjerësisht muajt e fundit.

b) Rrjedha e luftës u tregon të gjithë elementëve të pasigurtë se nuk ka asnjë shpresë në politikën e balancimit të premtimeve të aleatëve, të cilët janë në prag të fitores me premtimet e gjermanëve, të cilët janë drejt humbjes së sigurt.

c) Që prej konferencës së Teheranit, partizanët kanë humbur bazat për shtrirjen e ndikimit të tyre që nënkuptonte mosmarrëveshje mes britanikëve dhe amerikanëve nga njëra anë dhe një Bashkimi Sovjetik të angazhuar për një revolucion botëror nga ana tjetër. Meqenëse kundërshtarë me popullaritet të regjimit zogist, si peshkop Noli e pranuan mbretin Zog si liderin e përkohshëm të periudhës së luftës, ai sërish njihet të jetë, ashtu siç ka qenë në fakt për një kohë të gjatë, figura qendrore në skenën shqiptare.

Si i tillë, njohja e këtij statusi është maksimumi që mund të parashikojnë edhe vetë zogistët gjatë luftës. Nga ana tjetër, garancitë e dhëna nga Zogu se e ardhmja e regjimit do të vendoset nga populli dhe fakti se aleatët janë në gjendje të shohin se këto rrethana janë realizuar, mundëson që partizanët të fundosin pretendimet e tyre ekstreme për një të mirë të përbashkët, pa dyshimin se ata do ta gjejnë veten në disavantazh pas luftës.

Theksohet, në kuadër të këtyre konsideratave, se nuk duhet t’i jepet mbështetje ndonjë elementi të vetëm në kurriz të pjesës tjetër, por se avantazhet tona të konsiderueshme dhe në rritje duhen shfrytëzuar për të rikrijuar unitetin në Shqipëri dhe si rrjedhojë, për të bërë të mundur rikthimin e prestigjit tek aleatët dhe shpëtimin e qindra jetëve të aleatëve në muajt në vazhdim.

Marre: http://www.javanews.al/raporti-britanik-pse-nuk-kane-interes-gjermanet-ti-shkaterrojne-perfundimisht-partizanet/