Rama paralajmëron drejtorët e Burgjeve, Spitaleve dhe Hipotekave: “Të gjithë në provë! Drejtorët e rinj kanë 3 muaj kohë…”

Pas mbledhjes së qeverisë në Lezhë, kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp ka paralajmëruar drejtorët e Burgjeve, Spitaleve dhe Hipotekave, duke iu bërë me dije se janë tre muaj në provë.

“Drejtorët e rinj në Spitale, Burgje dhe Hipoteka janë tre muaj në provë. Nuk është çështje partie, pasi të gjitha kanë mëkatet e tyre. Në harkun e këtij mandati ndryshimi do të jetë shumë i ndjeshëm” deklaroi ai.

Rama u shpreh se është i vendosur që ta çojë deri në fund premtimin që ka bërë në zgjedhjet e 25 qershorit, për të çuar për skrap tepsinë, siç quan ai emërimet politike në administratë.

Rama për vendimet e qeverisë

Disa prej vendimeve lidhen me projekte infrastrukturore në Lezhë ku përfshihet edhe rruga e Torovicës, për të cilën banorët protestuan.

“Do ndërtohet aksi Balldren-Torovicë dhe Shëngjin-Velipojë, do të ketë edhe një numër projektesh në infrastrukturë, rindërtimi i terminalit të pasagjerëve. Ata që kishin marrë për të bërë këtë rrugë po inpenjohen duke stimuluar protestat. Pavarësisht se kur e kishin në dorë për ta bërë rrugën i bënë atë që nuk duhet”, deklaroi Rama.

Po ashtu Rama tha se familjet në nevojë do pajisen me matësa për ujin falas.

Më tej shefi i qeverisë foli edhe për vendimet e tjera në mbledhje.

“Miratuam një vendim për stimulimin e agro-turizmit, do të ketë një plan kombëtar për zhvillimin. Besoj që do të mbështesim ecurinë në këtë drejtim, pasi potencialet këtu janë realisht të mëdha. Subjektet do të pajisjen me një certifikatë të posaçme. Kemi bindjen që këtu potenciali është i madh dhe ka një hapësirë për rritjen e punësimit. Në javët në vijim do të miratojmë edhe programin për agro-turizmin.

Një tjetër vendim është ai i përcaktimit të një liste pas një procesi relativisht të gjatë bashkërendimi me kryebashkiakët të 100 fshatrave ku ne do të stimulojmë zhvillimin e integruar rural për të modelin e ri që më pas do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të hapësirës rurale. Fishta është një prej këtyre 100 dallëndysheve të para. Ky model ka të bëjë me infrastrukturën, me ndërhyrjet në dobi të trashëgimisë kulturore.

Nga ana tjetër janë edhe disa projekte ujësjellësish. Duhet të shkojë deri në fund reforma e ujit, sot ne kemi miratuar edhe një vendim me rëndësi për subvencionimin e kontratave nga shteti dhe vendosjen falas të matësve për familjet në nevojë. Është një masë brenda reformës”, deklaroi Rama./a.m.