Rama me forcat e huaja të kërkim-shpëtimit: Jeni miq të vërtetë, askush nuk do ta harrojë çfarë keni bërë

ATSH/- Kryeministri Edi Rama takoi forcat e kërkim-shpëtimit nga Franca, Italia, Turqia dhe Rumania. Rama i shprehu mirënjohjen e tij të gjithëve dhe i falenderoi për punën e bërë.

“Do të kisha dashur shumë që ne t’ju mirëprisnim në stinën e verës në plazhin e bukur dhe më vjen keq që u desh të vinit këtu në një zonë ku gjithçka duket në një gjendje shumë kritike. Por, në të njëjtën kohë unë mendoj se ju sollët me vete shumë bukuri, bukurinë e zemrës tuaj, bukurinë e misionit tuaj dhe bukurinë e mendjes tuaj. Ju keni lënë një përshtypje të jashtëzakonshme tek të gjithë njerëzit, u keni ngrohur zemrat dhe u keni ofruar atyre atë që u nevojitej në këto momente, nuk i keni lënë vetëm”, – u shpreh Rama gjatë fjalës së tij para forcave të kërkim-shpëtimit.

Rama u tha atyre se Shqipëria nuk do e harrojë kurrë atë që ata bënë në këtë kohë të vështirë.

“Dëshiroj të dini që ne në Shqipëri kemi një shprehje: Mos të lëntë Zoti pa miq. Një thënie tjetër është që “miku i mirë është ai që të gjendet në kohë të vështirë”. Ju garantoj se ju jeni miq të vërtetë për ne dhe askush në vendin tim nuk do ta harrojë atë çfarë keni bërë për ne dhe sa here që të vini ju do ju mirëpresim si miq të nderuar. Nuk dua t’ju mbaj më gjatë. Po e mbyll duke shprehur  mirënjohjen më të thellë dhe duke ju uruar udhëtim të sigurt në vendet tuaja. Faleminderit shumë dhe Zoti ju bekoftë”, – tha Kryeministri.