Qeveria miraton akti normatin, dyfishon buxhetin për sektorin e energjisë, edhe 40 milionë dollarë për enegjinë dhe zjarret

Thatësira e gjatë që është shënuar gjatë këtij viti e ka detyruar qeverinë shqiptare që të ndërhyjë për të ndryshuar buxhetin e shtetit. Ditën e djeshme qeveria ka nxjerrë aktin normativ të Ministrisë së Financave, i cili ndryshon buxhetin e këtij viti veçanërisht në dy zëra: mbështetjen për energjinë dhe fondin rezervë. Sipas draftit të rishikuar, qeveria do të japë 3 miliardë lekë të tjera për sektorin e energjisë, nga 1.5 miliardë që kishte parashikuar në fillim të vitit. Fondet shtesë do të shkojnë për të paguar kreditë e kompanive publike të energjisë. Për shkak të shpenzimeve të larta për blerjen e energjisë nga importi, kompanitë energjetike shtetërore, veçanërisht OSHEE, kanë ndërprerë shlyerjen e borxheve të marra me garanci të qeverisë. Këto pagesa tashmë do të merren përsipër nga buxheti i shtetit. Por mbështetja për energjinë nuk është zëri i vetëm që preket. Thatësira ka edhe një kosto tjetër për buxhetin e shtetit, atë që vjen nga emergjencat. Drafti i rishikuar rrit me 1.2 miliardë lekë, ose gati 10 milionë dollarë, fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, i cili shkon për të përballuar faturën e zjarreve, por edhe ngjarjeve të tjera të paparashikuara që mund të ndodhin deri në fund të vitit. Por shpenzimet shtesë për energjinë dhe emergjencat nuk do ta prekin borxhin. Qeveria ka rritur me 2 miliardë lekë planin e të ardhurave buxhetore, që do të thotë se buxheti do të grumbullojë më shumë të ardhura, ndërkohë që paralelisht ka kursyer 4.1 miliardë lekë nga interesat e borxhit.

Importi i energjisë

Sistemi energjetik vendas po përballet me një situatë të vështirë si pasojë e mungesës së reshjeve. Rezerva hidrike në Fierzë ndodhet në nivelet më të ulëta duke detyruar OSHEE-në të shpenzojë shuma të mëdha për importin e energjisë. Për periudhën dymujore Korrik-Gusht, OSHEE ka shpenzuar gati 50 milionë euro për të blerë energji nga importi, ndërkohë që importet pritet të vazhdojnë edhe në shtator në sasi të larta. Kompania ka shkurtuar investimet për të përballuar situatën e vështirë, ndërsa qeveria është duke marrë në konsideratë ndryshimin e buxhetit, nëse kriza energjetike do të zgjasë. Ndërkaq, importet e energjisë për të përballuar konsumin e muajit gusht i kanë kushtuar operatorit të shpërndarjes 29.9 milionë euro. OSHEE njoftoi në fillim të muajit se ka përmbyllur blerjen e energjisë për të përballuar konsumin e muajit të ardhshëm. Sipas njoftimit publik, kompania shtetërore e shpërndarjes ka blerë 434 mega vat energji për gushtin me një çmim mesatar prej 68.9 euro për mega. Sipas OSHEE-së, kjo sasi energjie është siguruar vetëm në tentativën e katër. Në tre raundet e para sasia e ofruar nga kompanitë private ka qenë më e ulët nga kërkesa e OSHEE për të përballuar furnizimin e konsumatorëve. Kompania e Shpërndarjes thotë se u detyrua të blejë sasi rekord nga importi, pasi KESH e furnizon vetëm me një sasi minimale. KESH ka ulur në minimum prodhimin nga kaskada e Drinit, si dhe e ka njoftuar zyrtarisht OSHE-në se nuk do të realizojë blerje energjie me kredinë e Bankës Botërore as në gusht.