Qeveria e Rexhep Mitrovicës në 1944-ën punonte për demarkacionin me Malin e Zi, demarshet për korigjimin e kufijve

Zbulohen dokumentet arkivore të vitit 1944 me korespodencën e Ministrisë së Jashtëme shqiptare të kryeministrit Rexhep Mitrovica, të firmosura nga ministri Bahri Omari, me Zyrën Politike të Ministrisë së Brendëshme, lidhur me problemin e krahinave të Shestanit dhe Dobrovodës që ndodheshin nën Malin e Zi, ku popullsia e tyre kërkonte që të bashkohej me “mëmën Shqipni”

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Problemi i “demarkacionit” me Malin e Zi që ka prej kohësh në axhendë qeveria e Kosovës apo ideja e “korigjimit të kufijve” me fqinjët e tjerë që ka artikuluar për herë të parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para disa kohësh dhe që është bërë një “çështje dite” jo vetëm për politikën zyrtare shqiptare këtej dhe andej kufirit, por edhe për Serbinë dhe kancelaritë kryesore të Perëndimit deri në SHBA, duket se nuk është një gjë e re dhe e panjohur. Një tjetër kryeministër shqiptar, Rexhep Mitrovica, që kryesoi qeverinë e Tiranës nga nëntori i vitit 1943 deri në korrikun e vitit 1944, me kabinetin e tij dhe konkretisht Ministrin e Punëve të Jashtëme, Bahri Omari, janë marrë shumë me problemin e “demarkacionit” me Malin e Zi dhe gjithashtu kanë bërë demarshe edhe për “korigjim kufijsh”, duke iu përgjigjur kërkesës së krahinave të Shestanit dhe Dobrovodës që asokohe ishin nën Malin e Zi, për t’ia bashkuar dhe për të qenë “pjesë e pandame me mëmën Shqipni”.

Dhe për t’ia arritur kësaj, kabineti Mitrovica, nëpërmjet Ministrisë së Jashtëme të kryesuar nga Bahri Omari, ka bërë paraprakisht një studim të imët lidhur me këtë problem, ku përveç përgatitjes së terrenit nga ana e dy krahinave përkatëse, (Shestani ishte pjesë e Komunës së Krajës, ndërsa Dobrovoda, apo Ujmira, pjesë e Anës së Malit), duke filluar me kërkesën e tyre, gjetjen dhe sigurimin e hartave përkatëse, dokumentet e tjera të nevojshme, caktimin e kryenegociatorit etj, kryeministri Mitrovica dhe anëtarët e kabinetit të tij që janë marrë me këtë problem, filluan edhe demarshet diplomatike me kancelaritë e huaja, ku si mbështetje kryesore shikonin Gjermaninë naziste të Hitlerit. Si shëmbull të mirë për këtë hap që po ndërrmerte, qeveria shqiptare e Rexhep Mitrovicës, i referohej komunës së Rrozhajës në Malin e Zi, me të cilën afro shtatë muaj më parë, (dhjetor 1943), kishte ndodhur e njëjta gjë dhe ajo i ishte aneksuar Shqipërisë Etnike.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që i përkasin gjysmës së parë të vitit 1944 dhe që janë të firmosura nga Ministri i Jashtëm, Bahri Omari, të cilat janë pjesë e një korespodence të gjatë lidhur me këtë problem. Në këto dokumente ai i drejtohet Zyrës Politike të Ministrisë së Brendëshme, fillimisht mbi problemin e formimit të një komisioni që do të merrej me caktimin e kufirit me Malin e Zi (demarkacionin) dhe disa muaj më pas, duke sugjeruar dhe orientuar mbi hapat që duheshin ndërrmarrë për t’ja arritur qëllimit që krahinat e Shestanit dhe Dobrovodës, t’i aneksoheshin Shqipërisë, duke korigjuar dhe vënë në vënd një padrejtësi që u ishte bërë atyre (dhe mjaft krahinave të tjera shqiptare nga Tivari në Prevezë) prej Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913.

Por siç dihet tashmë edhe nga historia, punët e nisura nga qeveria Mitrovica apo dhe të tjera pas tij nuk u realizuan dot për shkak të problemeve të Luftës që percipitonin me orë dhe kështu problemi i “demarkacionit” me Malin e Zi apo dhe “korigjimi i kufijve” mbeti “zvarrë”…?! Për t’u varrosur përfundimisht, apo më saktë përkohësisht, për gjysëm shekulli me rradhë nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës që erdhi në pushtet në nëntorin e vitit 1944, e cila për ironi të fatit, Kryeministrin Mitrovica, apo Ministrin e Jashtëm Bahri Omari, etj, që deshën dhe punuan për Shqipërinë Etnike, t’i quanin “tradhëtarë të shitur”, e t’i shkonin në plumb, kurse veten, ta shpallnin “Heronj të Kombit”, edhe pse bënë pak apo aspak, për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Dokumente në fjalë publikohen të plota dhe ekskluzivisht për gazetën Tema.

LETRAT E MINISTRIT BAHRI OMARI PER MINISTRINE E BRENDESHME

K O N C E P T

SHTETI SHQIPTAR

MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTEME Tiranë, më 3 Mars 1944

P.T.

MINISTRISE SE PUNEVE TE MBRENDESHME

T I R A N E

Në përgjegjie të shkresës Nr. 401/164 datë 3 Kallnor 1944, mbi nevojën e parashtruar për formimin e një komisioni që do të ketë për qëllim caktimin e kufirit Shqiptaro-Malazez, Ju njoftojmë se, me letrën tonë datë 15 po të këtij mueji, i jemi sjellë Kryesisë së Këshillit të Ministravet duke kërkuar të vendosë dhe të na japë udhëzimet e rastit mbi landë, mbasi çështja ka një rëndësi të posaçme dhe ka të bëjë si me komandën e Përgjithëshme të Mbrojtjes Kombëtare, ashtu dhe për atë Rojes së Kufinit.

Për sa u përket hartave që kërkohen me të sipërmen, Kryekonsullata Gjermane na njofton se ia ka përcjellë Komandës së Përgjithëshme të Mbrojtjes Kombëtare qysh më datën 20 të muejit të kaluem.

Shtojmë se nuk kemi munguar t’i drejtohemi Kryekonsullatës Gjermane mbi zgjidhjen e fatit të tri zonave asnjanjëse duke i theksuar pikëpamjen Shqiptare, e cila qëndron mbi një të drejtë të pamohueshme në mënyrë që për së shpejti të merren dispozita në përshtatëshmeni me interesat t’ona. Me datën 3 të muejit të kaluar i kemi çfaqur Kryekonsullatës Gjermane nevojën e shtrimjes, kjoftë dhe provizorisht, të reparteve të Rojes së Kufinit ndër zonat asnjajëse, por ende nuk kemi marrë përgjigjien përkatëse të cilën do të ju a njoftojmë në kohën e duhun.

3 Mars 1944 M I N I S T R I

Bahri Omari

……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

K O N C E P T

SHTETI SHQIPTAR

MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTEME Tiranë, më 19/VI/1944

P.T.

MINISTRISE SE PUNEVE TE MBRENDESHME

* Zyrës Politike –

T I R A N E

Tue iu referue shkresës së Juej Nr.429/1 Res datë 8 të muejit të kaluem, mbi dëshirën e shfaqun prej popullsis së krahinave të Shestanit dhe Dubrovodës për t’ia aneksue Shqipnis, kemi nderin t’ju njoftojmë se çashtja bani objektin e një studimi të imët të kësaj Ministrie dhe para se të bahen demarshet diplomatike për mbërritjen e këtij qëllimi, duhet që parija e krahinavet të sipërpërthanuna, të përpilojë një kërkesë të nënshkrume rregullisht me anë të së cilës të kërkohet të vihet në vënd dëshira e saj si përfaqësuese e autorizueme t’asaj popullsije.

Me këtë rast dhe pa humbur kohë, lutemi të ngarkohet personi i përshtatshëm për marrjen e kësaj nisjative. Kujtojmë se këtë barrë kish me e krye ma së mirit Komandanti i Baonit të Gjindarmërisë Shëtitëse t’Ulqinit.

Një arsye tjetër që na shtyn të sugjerojmë këtë mënyrë veprimi, të cilën, shpresojmë se ajo Ministri ka me e çmue për efektet e ma vonëshme, asht dhe ajo e patjes të nji dokumenti që mund të na hyjë në punë në t’ardhmen kur të bëjmë rivendikimet t’ona toksore.

Prandaj, tue marrë parasysh sa më sipër, lutemi të keni mirësinë të epni urdhërat përkatëse Prefekturës së Shkodrës që të veprojë sa më shpejt në kuptimin e sipërthanun, tue ndjekun në këtë rast, shëmbllën e Nënprefekturës së Rrozhajës. (Shkresa e Juej Nr.475/141 datë 4 dhetuer 1943 relative me kërkesën e Kryepleqësisë së Petnicës për të bamun pjesë e pandame me nanën Shqipni).

Në lutjen në fjalë, kishte me qenë e udhës të shënohen përveç konsideratave gjuhësore-kombëtare d.m.th. shqiptaris së krahinave Shestan e Dobrovodë edhe ato me karakter historik, gjeo-politik, ekonomik, shoqnuer etj. Njokohësisht duhet t’i kushtohet një kujdesi e veçantë vuajtjeve të kësaj popullsije prej malazezëve, me të cilët, këjo ka jetue në armiqësi të vazhdueshme.

Përfundimi, lutemi të na njoftohet, mundësisht sa më parë.

M I N I S T R I

Bahri Omari

/ma.me

http://www.javanews.al/qeveria-e-rexhep-mitrovices-ne-1944-en-punonte-per-demarkacionin-me-malin-e-zi-demarshet-per-korigjimin-e-kufijve/