Qarkorja e panjohur / Mbreti Zog për Mustafa Krujën, si u bë marrëveshja Tito – Venizellos për bregdetin jugor

Vëllimi i tretë i letërkëmbimeve përfshirë në librin “Kuvend letrash me miqtë”, trashëgimtari i Mustafa Krujës vendos një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë që lidhet me familjen mbretërore, vështruar jo vetëm si kulturë letrash, por edhe si histori dhe gjeopolitikë që po krijonte ngjarjet jashtë atdheut, ndërkohë që vendi ishte nën regjimin komunist.

Mendimin politik dhe programatik të Mbretit na e paraqet Mustafa Kruja në dokumentet që botohen në këtë vëllim për herë të parë, dokumente të hartuara në vitet 1948-‘55, kur armiqësia e dy prej shtetarëve më cilësorë e më të përfolur të historisë shqiptare u kthye në një miqësi që, jo vetëm përtëriu një ndjenjë të tillë të shfaqur shumë vite më parë, mbas shpalljes së Pavarësisë, por u bë një dëshmi e gjallë marrëdhëniesh të reja në dritën e ndryshimeve që bëjnë të detyrueshme edhe ndërrimin e koncepteve, opinioneve e programeve politike.

Vëllimi hapet me një letërkëmbim të shkurtër me familjen mbretërore. Krahas pak letrave, të firmuara kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, janë vënë edhe disa dokumente të hartuara nga M. Kruja me kërkesën e Mbretit apo me autoritetet e Lëvizjes së Legalitetit, për të nxitur këtë të fundit në një ripërtëritje e modernizim të Partisë Monarkiste. Më poshtë botojmë të plotë qarkoren drejtuar në emigrim gjithë shqiptarëve me shpresën për t’u rikthyer në një Shqipëri të çliruar.

***

Shënime udhëzuese

MBI ÇËSHTJEN SHQIPTARE

1. Italia, e vetmja Fuqi perëndimore në kontakt të drejtpërdrejtë me botën lindore, nëpërmjet korridorit të gjërë të Siujdhesës Ballkanike, si pasojë e luftës së dytë botërore, ka humbur krejtësisht pozitat e saj politike, kulturore dhe pothuaj gjithë ato ekonomike në këtë hapësirë. Për t’i rifituar do të duhet kohë dhe një punë e durueshme, metodike dhe cilësore. Për t’a rifilluar i mbetet vetëm një rrugë hyrjeje : ura shqiptare.

2. Padyshim sot për sot edhe Shqipëria është negative për Italinë. Por gjëndja që e bën të tillë është, sigurisht, kalimtare, dhe e prirur për ndryshime shumë a pak të shpejta. Pikërisht kjo është pamja më e rëndësishme e çështjes shqiptare, që thërret gjithë vëmëndjen dhe veprimin e qeverisë italiane, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, simbas rrethanave. Sepse gjëndja e tanishme e atij Vendi, e keqe por e përkohëshme, mund të ketë edhe zhvillime më të këqija, pak a shumë të qëndrueshme.

3. Kalimi i Shqipërisë në orbitën sllavo – komuniste, ndër të këqijat më të mëdha në kushtet ndërkombëtare të krijuara nga lufta, ka sjellë edhe një të mirë të pafund : atë të ruajtjes nga një gjymtim i sigurtë territorial në Jugë, në dobi të Greqisë që, me çdo kusht, kërkon të përvehtësojë Epirin e Veriut, duke përfshirë në këtë term të lashtë gjeografik mundësisht, gjithë Shqipërinë Jugore. Tani ky rrezik, deri sa Greqia i ruan të gjalla mëtimet e saj duke patur mbas vetes mbështetës të kënaqur, kërcënon gjithmonë Shqipërinë e, për pasojë, edhe interesa të rëndësishme italianë.

4. Sigurisht Jugosllavia nuk do të miratojë kurrë, deri sa të ketë peshë, një gjymtim të territorit shqiptar. Por sot, besimi i pjesës më të madhe të atdhetarëve të vërtetë shqiptarë, për mbrojtjen e tërësisë tokësore, mbështetet tek Italia, edhe se nuk kanë harruar as Traktatin e Londrës të 1915-s dhe marrëveshjen Çiano – Stojadinoviç, që e bënin Shqipërinë copa-copa, as marrëveshjen Tittoni – Venizellos që kujdesej vetëm për bregdetin jugor, ku përqëndroheshin interesat strategjike italiane, duke i lënë Greqisë një hapësirë të brëndëshme të gjërë, përfshirë këtu gjithë rrethin e Korçës. Ata i gjykojnë drejtuesit e sotëm të ndryshëm nga shtetarët e diplomacisë së vjetër italiane dhe nga ata të fashizmit, venë shumë besim në ndershmërinë e Kryetarit De Gasperi dhe të kontit Sforza, ashtu si dhe në socializmin italian për të cilin është një traditë e vërtetë pavarësia e popullit shqiptar.

5. Nëse Tito, për motive të njohura, është kundërshtar i përshpagimeve greke në Shqipëri, është valëvitur, ndoshta jo pa asnjë bazë, një ndarje e plotë e të gjithë Vendit ndërmjet dy fqinjëve grek e jugosllav. Askush prej Shqiptarëve nuk dyshon se Italia do t’a kundërshtonte një mundësi të tillë të përbindëshme me të gjitha fuqitë e saj. Nuk besohet aspak që Italia e sotme do të pëlqente një rregullim të ngjajshëm me Traktatin e Londrës, duke marrë pjesë ajo vetë në plaçkën e ndarjes. Madje, vetë fqinjët ballkanikë të Shqipërisë, do të hiqnin dorë nga fitimi i tyre për të penguar Italinë të vinte këmbë një herë tjetër në gadishulline tyre. E nuk do të ishte hera e parë që Shqipëria të shpëtonte në sajë të pozitës së saj si element barazpeshues i interesave që ndesheshin me njëra tjetrën.

6. Por ekziston një rrezik i tretë, që i fshehur nën formula të padëmshme, është edhe më i frikëshmi. Bëhet fjalë për dhënien Titos të një farë dore të lirë në Shqipëri. Në të vërtetë kjo do të thoshte, as më shumë dhe as më pak, që t’i dhurohej i gjithë Vendi Jugosllavisë. Nuk duhet harruar se, në krahinën fqinje të Kosovës, jeton nën sundimin jugosllav një masë e ngjeshur prej 6 – 700.000 Shqiptarësh që mezi ç’presin çastin të bashkohen me vëllezërit e tyre të dheut mëmë, ashtu sikurse edhe këta janë në ankthin e pritjes t’a shohin bashkimin kombëtar të sendërtuar. Dora e lirë Titos do të shërbente shkëlqyeshëm për t’i dhënë mundësi diktatorit të kuq të Beogradit, të pregatiste pa vështirësi terrenin e krijimit të Shtetit të shtatë federal të Republikës Federative të Popujve jugosllavë, pra të Shtetit federal shqiptar, të përbërë nga pothuajse dy milion banorë. Ky është një kurth që, në kushtet e dëshpërura të sotme, mund të bëjë të bien në të, me një lehtësi naive, shumë prej vetë Shqiptarëve.

7. Veç vështrimeve ndërkombëtare të çështjes, në të cilën fjala e Romës nuk mund të shpërfillet, të mundohemi të hedhim pak dritë në pamjen e saj të mbrendëshme, me fjalë të tjera mbi regjimin komunist që përbën pengesën kryesore për rivendosjen e lidhjeve, së paku normale, ndërmjet dy Shteteve italian dhe shqiptar.

8. Asnjë vepër nuk jep kurrë rezultate praktikë e të dobishëm nëse nuk njihet natyra e lëndës mbi të cilën veprohet, aq më shumë nëse ajo nuk është vetëm lëndë, por edhe shpirt, siç është rasti i qënies njerëzore, individ o popull. Pra, nëse dëshërohet të bëhet diçka me popullin shqiptar, për të mirën e tij, t’Italisë e të gjithëve, duhet së pari të njihet ky popull, në masë e në drejtuesit e tij kryesorë politikë, madje, për të shmangur mëdyshjet në gjendjen e sotme, do të duhej thënë edhe në frymëzuesit e tij. Populli shqiptar, simbas dëshmive të gjithë atyre që e kanë studjuar nga pikëpamja historike, shoqërore e psikologjike, të gjithë atyre që kanë patur me të kontakte të shpeshta e të zgjatura, e, së fundi, të bijve të tij studiozë e të qetë, është pa asnjë dyshim një popull konservator dhe tradicionalist, ndoshta më shumë se cilido tjetër n’Evropë. Në të gjitha kohët ai ka dhënë prova të shumta se nuk pranon risí, qoftë edhe të dobishme. Është e qartë se ky popull është egërsisht kundër komunist. Ai është edhe krenar për lashtësinë e racës, nuk i është nënështruar asnjë sundimi të huaj, pa derdhur shumë nga gjaku i tij e pa bërë t’i derdhet, akoma më shumë, kundërshtarit të tij. Edhe kur ka qënë i detyruar t’i përkulet fuqisë nuk është nënështruar, vetëm atëherë kur fituesi ka treguar se respekton traditat dhe personalitetin e tij kombëtar i është bashkuar sundimit nga pozita të barabarta. Një sedër e tepruar dhe një dashuri e zjarrtë për lirinë vetiake janë dy karakteristika të veçanta të Shqiptarit, që, ndërsa e bëjnë thuajse një rebel ndaj një disipline të fortë, përbëjnë, nga ana tjetër, themelin e krenarisë raciale dhe kombëtare, dy arritje që i kanë përcaktuar këtij populli ngjarje epike, por edhe të dhimbëshme gjatë gjithë historisë së tij. Shqiptari pranon të mira prej të tjerëve, me të njëjtën lehtësi me të cilën është i zoti dhe i kujdesëshëm për t’u bërë të tjerëve ; por ndërsa do të jetë gjithmonë mirënjohës e i gatshëm të këmbejë të mirat e pranuara , edhe me çmimin e jetës po të jetë e nevojshme, nuk i vlerëson fare nëse kupton që fshehin qëllime të dyta, të kundërta me parimet themelore dhe ndjenjat që rregullojnë jetën e tij vetiake e të përbashkët.

9. Tashmë është e ligjëshme pyetja : por atëherë si spjegohet që ky popull duron prej gjashtë vitesh një regjim të pak rrëmbyesve kriminelë nën etiketën komuniste? Ja arsyet kryesore : mungesa e armëve, ndërsa regjimi zotëron deri edhe tankse e aeroplanë ; të qënit i rrethuar nga fqinj që, jo vetëm nuk e ndihmojnë, por kërcënojnë territorin e tij kombëtar dhe pavarësinë ; heshtja e krerëve të tij më cilësorë që ndodhen në mërgim, ose udhëzimet e kundërta me një kryengritje në masë, prej frikës së flijimit të kotë ose, akoma më keq, vënien e kombit para një rreziku të madh, në sajë të qëndrimit mëdyshës ose haptas armiqësor të fqinjëve të sipërpërmendur.

10. Ndërmjet t’arratisurvet, është figura e Mbretit Zog që shquhet mbi të gjithë të tjerët personalitete politike të shpërndarë nëpër botë. Nëse në të shkuarën karriera e tij marramendëse ka nxitur shumë zili dhe keqkuptime, nëse vepra e tij ka qenë objekt diskutimesh të gjalla e kritikash, shpesh edhe të paanëshme, tashmë ndërmjet bashkatdhetarëve të tij, me përjashtim të pak kryeneçësh të verbuar nga zilia, askush nuk i mohon faktin se ka ditur të përforcojë themelet e Shtetit të ri, kryesisht duke vendosur një disiplinë të mbrendëshme, të paqenë kurrë deri atëherë në një popull tejet individualist e të cfilitur gjatë gjithë kohëve nga hakmarrje vetiake dhe nga mungesa e një autoriteti të vërtetë publik, e duke e vënë kombin në rrugën e një jete të qytetëruar simbas kritereve të Shteteve evropiane. Çfarëdo të thuhet e të besohet jashtë, falë asaj padije fatale që ka mbretëruar gjithmonë në Perëndim mbi gjërat e veçanërisht mbi shpirtin e popujve ballkanikë, ose për llogari apo qëllim të dytë, është një fakt i pamohueshëm që sot, ndërmjet popullsive të cfilitura të së shkretës Shqipëri, emri i tij tingëllon plot shpresë e zotëron gjithë të tjerët. Asnjëherë prestigji i tij nuk ka qenë kaq i madh sa sot, ndërmjet masave popullore të Shqipërisë. Por edhe grupet, partitë e personalitetet politike jashtë në mërgim, deri edhe shumë prej tyre që, për parim, shpallen republikanë, janë të gjithë të bindur se, pa të, nuk mund të punohet frytshëm për çështjen kombëtare, natyrisht me përjashtim të një grushti individësh ambiciozë. Ai mbetet përmbi partitë e prirjet politike, pret e këshillon , jo si mbret, por vëllazërisht cilindo që i drejtohet për të diskutuar problemet kombëtare. Ndërmjet grupeve politike është një parti, që bile cilësohet lëvizje,e shpallur mbretërore. Por Mbreti Zog nuk bën asnjë ndryshim ndërmjet saj dhe grupeve të tjera, edhe kur janë të paanëshëm, pra të pavëmëndshëm ndaj çështjes institucionale, për deri sa ekziston problemi themelor i çlirimit të atdheut shqiptar, ose republikanë. Nga ana tjetër vetë Mbreti ka deklaruar publikisht se mendon t’i nënështrojë kthimin e tij në fron vullnetit të popullit, nëpërmjet një plebishiti të lirë, sapo Vendi të jetë çliruar nga kërbaçi komunist. Ai i këshillon secilit gjithmonë bashkimin e të gjitha forcave të kombit, jashtë e brënda, bashkëpunimin e të gjithë grupeve, lëvizjeve, partive ose individëve të veçantë, t’aftë për të bërë diçka për çështjen kombëtare. Fatkeqësisht kjo thirrje e tij nuk ka mundur ende të gjejë një sendërtim praktik, si për vullnetin e keq të një pjese të të arratisurve si për pengesa të nxjerra nga ndikime të huaja të interesuara. Është interesante të vihet re se Mbreti Zog nuk bën asnjë ndryshim ndërmjet elementëve të rezistencës dhe “bashkëpuntorëve”, duke deklaruar i bindur se secili prej tyre ka besuar se punonte për të mirën e atdheut të tij, simbas bindjeve dhe rrethanave në të cilat është gjendur. Ai mendon se fajet dhe meritat e individëve në krizat e mëdha të popujve, mund t’i gjykojë objektivisht vetëm historia e jo pasioni i njerëzve të njëanshëm.

11. Mbreti Zog nuk ushqen asnjë mëri ndaj kombit italian për ngjarjet që e kanë shtrënguar të merrte rrugën e mërgimit. E tregon qartë edhe miqësia e ngrohtë që ai dhe familja e tij kanë krijuar me Savojat në Egjypt. Marrëdhënie të thjeshta personale, pa asnjë ngjyrë politike.

12. Personalitetet politikë shqiptarë nuk janë aq të shumtë sa të mos jenë njohur nga afër, një për një nga zyrat kompetente italiane për prirjet dhe karakterin e tyre. Nënë fashizmin, njerëzve që kishin në dorë fatet e Italisë nuk u mjaftonte që një Shqiptar të ishte mik i atij Vendi, duhet të ishte edhe fashist, që të shpallej italian, të mohonte atdheun e tij ! Në arkivat e ndryshme politike të Romës nuk duhet të mungojnë emrat e Shqiptarvet, miq të provuar të Italisë, pranë të cilëve shkruhej i nënvizuar me të kuqe epiteti “shumë nacionalist”.

 Aleksandrí e Egjyptit, 30 gusht 1950