Pyetja therës e albanologut, Maximilian Lambertz: Tru apo shkarpa për shqiptarët?

Zoti, kur krijoi njeriun, kishte për të gjithë njerëzit së bashku, duke filluar nga babai Adam deri tek njeriu i fundit, për të gjithë brezat, vetëm 300 gram apo drihem tru. Nuk kishte më shumë se kaq për t’ua shpërndarë të gjithëve. Po si mund të mbusheshin me kaq pak tru kokat e gjithë njerëzve të botës? Ndoshta s’ishte e mundur! Se ka ca kokëgdhe që as gjashtë okë tru nuk do t’u dilnin. Pa le pastaj të mendosh 300 drihem që duhej t’u shpërndaheshin të gjithë njerëzve duke i takuar secilit vetëm një grimcë aq e vogël sa s’mund të mbushje as një gorricë. Prandaj njerëzit edhe kur plaken e kanë kokën bosh si kungull pa fara. Të gjithë e dinë se ne, të gjithë njerëzit në tokë, kemi nga një dërrasë mangët. Kjo do të thotë se të gjithë jemi pak të metë sipas mënyrës tonë. E po ky është problemi i çdonjërit!

Po kjo punë erdhi duke u keqësuar sepse sa më shumë shtoheshin njerëzit në tokë aq më pak tru kishin. Po Zoti, i Plotfuqishmë, i cili, nga froni ku mbretëron, sheh dhe ndjek fatin e gjithsecilit, vendosi ta ndryshojë varfërinë shpirtërore të fëmijëve të Adamit që kishin kaq pak tru. Ndaj një ditë iu drejtua Shën Kollit:

– Duke parë botën këtej nga lart çuditem që njerëzit ende s’e kanë nxënë se janë vëllezër të një toke dhe se nuk është mirë t’i çajnë kokën njeri-tjetrit. Dhe me sa kuptoj unë shkak për këtë është se u kam dhënë shumë pak tru. Ndaj ngarko një anije me tru. zbrit poshtë në tokë dhe shitua atyre që duan të blejnë. Vetëm bëj kujdes që t’ua shesësh aq shtrenjtë saç shet i biri të ëmën në pazar se mendja është më e shtrenjtë se bagëtia!

Shën Kolli, bekuar qoftë, s’ priti dhe s’nguroi gjatë, po ngarkoi një anije me tru, shkoi gjithandej dhe te të gjithë kombet për të shitur tru dhe mendje. Shiti sa shiti dhe më në fund rruga i ra nga Shëngjini. S’kishte hedhur ende mirë spirancën, kur sheh një anije tjetër që po vinte nga Franca. Ishte djalli që kishte zbritur në tokë për të shitur këpucë.

U hap lajmi si rrufeja në të gjithë Shqipërinë se në Shëngjin kishin zbarkuar dy anije: një me këpucë të vjetra dhe një tjetër me tru. Na u mblodhën shqiptarët në kuvend për t’u këshilluar. E morën fjalën të gjithë njëri pas tjetrit dhe më në fund vendosën: Shqipëria kishte nevojë për këpucë dhe jo për tru. Ndaj thanë se kush do blinte tru nga Shën Kolli jo vetëm që do mallkohej, por do të gjobitej duke i marrë dash e lopë.

Pastaj dërguan haber në Shëngjin për të pyetur djallin sa bënte barra e tij me këpucë. Djalli, kjo kuçedër e vjetër, që s’donte gjë tjetër veç të linte mallin e tij në Shqipëri, ua shiti shqiptarëve të gjithë barrën me këpucë me kredi. Dhe për t’u treguar edhe më bujar u tha se nuk donte që t’ia paguanin mallin po atë ditë dhe se nuk u vinte ndonjë afat të caktuar kur t’ ia kthenin borxhin. U tha se do ta paguanin njëherë, po kush e di se kur. Kështu çdo shqiptar ra në borxh tek djalli.

Dhe që nga ajo ditë të parët tanë ecnin me këpucët e djallit në këmbë. Po nuk iu doli keq, aspak keq, për at Zot në qiell! Se s’ka thënë kot një plak i moçëm njëherë: “Kush s’ka kokë, ka këmbë!”

Shqiptarët nuk e çmojnë mendjen dhe trutë sepse janë betuar të mos blejnë kurrë!

(Marrë nga libri i “Midis Drinit e Vjosës”)