Pse ishte Adolf Hitleri, kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia në Prillin e vitit 1939?

Në Prillin e 1939, trupat ushtarake italiane pushtuan Shqipërinë, e cila pas një rezistence të shkurtër i dorëzoi armët dhe pranoi fatin e një vendi të vogël në prag të një lufte të madhe. Është folur mjaft mbi këto ditë, jo vetëm në kujtimet e një sërë protagonistësh të kohës, por edhe nga një numër historianësh që janë marrë me këtë çështje.

Agresioni italian dhe indiferenca europiane ndaj këtij pushtimi të një vendi të vogël dhe të pambrojtur nga aleancat e fuqive të mëdha, ka qenë pikë debati në shumë shkrime apo analiza historike. Në përgjithësi, të gjithë kanë rënë dakord me faktin se askush në Europë nuk ishte i interesuar të prishte balancat e vendosura në Europën e dominuar nga ngjitja marramendëse e Gjermanisë naziste dhe ëndrrat e Italisë fashiste për ndërtimin e një Perandorie të re romake.

Por me sa duket, nga botimi i disa dokumenteve që vijnë nga Arkivi i Zbulimit Ushtarak Amerikan, duket se jo të gjithë kanë qenë indiferentë ndaj pushtimit italian të Shqipërisë.

Sipas dëshmive të dhëna gjatë marrjes në pyetje nga Shërbimi i Zbulimit Ushtarak Amerikan të Gjeneral-Kolonel, Alfred Jodl, ish-Shefi i Oberkomando Wehrmacht Gjermane (Stafi Operacional i Komandës së Lartë i Forcave Ushtarake Gjermane), del se personi i cili kundërshton me forcë pushtimin e Shqipërisë nuk është askush tjetër, përveçse Hitleri.

Nga deponimet e gjata të Gjeneralit Jodl, por edhe të oficerëve të tjerë që shërbenin në Komandën e Lartë gjermane, del se Hitleri është përpjekur të ndalojë invazionin italian kundër Shqipërisë në Prill të 1939-ës.

Është mjaft interesant fakti se Hitleri është vënë përpara faktit të kryer nga Duçja, i cili sipas dëshmive historike të botuara, ishte mjaft xheloz ndaj fitoreve të ushtrisë gjermane dhe për këtë arsye pushtoi një vend të vogël që nuk mund të ofronte rezistencë efektive.

Dëshmia e Gjeneralit Jodl e marrë nga dokumentet origjinale të Zbulimit Ushtarak Amerikan, përforcon mendimin se Duçja ka vepruar në momente impulsive dhe jo sipas një plani të studiuar mirë nga ekspertë ushtarakë.

Nëse pushtimi italian do të ishte planifikuar nga Shtabi i Përgjithshëm italian, sigurisht që aleati më i ngushtë i Italisë do të kishte dijeni paraprake dhe do të përpiqej që të koordinonte këto veprime në një plan më të gjerë për Ballkanin dhe Mesdheun.

Gjenerali Jodl shprehet qartë se Hitleri ishte kundër veprimeve italiane në Ballkan, pasi në këtë mënyrë ushtria gjermane e cila po përqëndronte vëmendjen maksimale ndaj Bashkimit Sovjetik, do të shpërqëndrohej në prapavijat e saj duke e komplikuar situatën ushtarake dhe politike në një rajon, i cili nuk ishte armiqësor ndaj Gjermanisë.

Gjenerali Jodl thotë se Hitleri u mundua shumë që të ndalonte pushtimin e Shqipërisë, duke ofruar në shkëmbim një pushtim të Kretës si një ishull shumë strategjik për veprime operacionale në Mesdhe.

Po kështu, me sa duket nga këto deponime, Hitleri ka qenë kundër pushtimit të Greqisë, pasi në këtë mënyrë do të tërhiqte Britaninë në Ballkan duke e komplikuar shumë Operacionin «Barbarosa» (pushtimin e Bashkimit Sovjetik) dhe do ta vononte atë në synimet e tij për ekspansionin në Lindje.

Humbjet e turpshme të Italisë në frontin italo-grek, me sa kuptohet kanë qenë arsyet përse Gjermania u detyrua të hynte në Ballkan dhe të pushtonte në mënyrë të rrufeshme Jugosllavinë dhe Greqinë.

Gjenerali Jodl, i cili ishte në një pozicion shumë të privilegjuar për të njohur të gjitha operacionet e ushtrisë gjermane, deponon se Gjermania nuk ka pasur asnjë synim për të pushtuar Ballkanin dhe aq më tepër Shqipërinë.

Dërgimi i një divizioni këmbësorie gjermane në Shqipëri është marrë në konsideratë nga Oberkomanda e Wehrmatit për të ndihmuar frontin italian në Jug të Shqipërisë dhe Gjenerali Jodl ka dërguar vëllain e tij për të shikuar mundësinë e ndërhyrjes gjermane.

Nga raporti i Gjeneralit gjerman, kuptohet se Shqipëria nuk ishte një vend që ofronte mundësi për të dërguar një divizion gjerman dhe për këtë arsye u krye pushtimi i Greqisë nga kufiri bullgar.

Mosinteresimi i Gjermanisë ndaj një pushtimi eventual të Shqipërisë duhej të ketë qenë i vërtetë nëse marrim në konsideratë dëshminë e Gjeneralit Jodl dhe kjo e mbështet idenë e një numri nacionalistësh shqiptarë pro gjermanë, të cilët gjatë luftës pretendonin se Gjermania ishte vetëm kalimtare dhe jo pushtuese.

Megjithatë, në momentin kur trupat gjermane hynë në Shqipëri për të ruajtur rrugëkalimet dhe bregun e Adriatikut, gjërat kishin shkuar shumë larg dhe rezistenca antifashiste kishte fituar një terren mjaft të gjerë.

Megjithëse pushtimi i Shqipërisë në 1939-ën kishte hasur në rezistencën e Hitlerit, tashmë në 1943, e detyruar nga rrethanat politike dhe kapitullimi italian, ushtria gjermane hyri më në fund në një vend, për të cilin jo më shumë se katër vite më parë ishte përpjekur që ta mbante larg nga ambiciet romantike të Duçes për krijimin e një Perandorie të re romane.

-1-

Dëshmia e Albert Jodle

E marrë më 30 gusht 1945 në Nuremberg, Gjermani

Nga Ora 14.30 deri më 16.45 nga Nënkolonel Thomas H.Hinkel IGD, OUSSC

Përkthyesi zyrtar Bernard Reyman

Pyetje: Çfarë e shtyu pushtimin gjerman në Ballkan?

Përgjigje: Gjermania ndërhynte për ta mbajtur Jugosllavinë sa më neutrale. Jo detyrimisht të rreshtohej me forcat e Boshtit, por të paktën të ruante neutralitetin. Me sa duket ne ishim të suksesshëm në Traktatin e Vjenës. Tashmë është i njohur fakti se disa javë pas këtij Traktati, në Beograd u rrëzua qeveria në mënyrë të dhunshme. Ky ndryshim solli në fuqi një parti, e cila ishte tërësisht antigjermane, e cila e anuloi Traktatin e Vjenës.

Pyetje: Kjo qeveri, a institucionalizoi veprime kundër Gjermanisë?

Përgjigje: Jo, ata nuk ndërmorën veprime ushtarake kundër nesh, por ata u përgatitën që të ndërmerrnin veprime antigjermane. Rrëzimi i qeverisë u bë në mars dhe veprimet ushtarake u ndërmorën midis 6 dhe 8 prillit. Po kështu, duhet të marrim në konsideratë se në tetor 1940, Italia kishte sulmuar Greqinë kundër dëshirës sonë.

Pyetje: Çfarë nënkuptoni “kundër dëshirës sonë”?

Përgjigje: Ashtu si ju thashë më parë, ky sulm nuk ishte në konceptin e Fuhrerit dhe Fuhreri kishte fluturuar në Itali për ta ndaluar këtë sulm kundër Greqisë. Ai arriti në Itali në momentin kur Duçja i tha atij se “sot në mëngjes kemi sulmuar Greqinë”.

Pyetje: Përse duhej ndërhyrja gjermane kur sulmi kundër Greqisë ishte kundër planeve të luftës gjermane?

Përgjigje: Për disa arsye. E para, ne nuk kishim asnjë qëllim armiqësor kundër Greqisë. E dyta, humanizmi dhe kultura antike greke nuk ka qenë vlerësuar askund më shumë se në Gjermani. E treta, ne mendonim se në momentin që Greqia do të ishte në luftë, ajo do të thërriste në ndihmë Anglinë, e cila do të përfshihej në Luftën Ballkanike, diçka që ne nuk e donim.

Pyetje: Përse atëherë Gjermania ndërhyri në Luftën italo-greke?

Përgjigje: Kundër dëshirës sonë, Italia e sulmoi Greqinë dhe si zakonisht italianët në vend që t’i mundnin grekët, u thyen rëndë. Në këtë moment Italia filloi të kërkojë ndihmën e Gjermanisë. Unë dërgova në Shqipëri një oficer të Vermahtit, i cili ishte vëllai im, për të parë se si dhe deri ku mund të përdoreshin trupat gjermane në avantazh kundër grekëve. Me sa u kuptua nga Raporti, e gjithë Shqipëria ishte një vend i vështirë për trupat tona këmbësore dhe ne nuk përdornim dot tanket dhe mjetet e motorizuara në malet shqiptare. Në këto momente ne nuk kishim në dispozicion asnjë Divizion Malor që mund ta përdornim atje. Ndërkohë, ndërhyrja britanike u rrit shumë dhe u kthye në rrezik. Për këtë arsye ne pyetëm Bullgarinë që të na lejonte të kalonim nga territori i tyre për të dalë në prapavijën greke.

-2-

KONFIDENCIALE – Ref. No. SAIC / FIR / 11

24 Korrik 1945 – BALLKANI

Vendimi për të marrë pjesë në fushatën ballkanike u mor vetëm pasi italianët demonstruan inkompetencën e tyre të plotë në Greqi. Ky operacion i italianëve nuk ishte parashikuar në asnjë prej planeve të luftës gjermane dhe italianët në asnjë rast nuk e kishin treguar qëllimin e tyre për fushatën kundër Greqisë.

Komanda e Lartë Italiane e mohoi të kishte një plan kundër Greqisë në takimin që u bë midis Mareshalit francez PETAIN dhe Hitlerit në Gusht të 1940-ës. Në këtë kohë Hitleri urdhëroi devijimin e planit të trenit të tij special, duke shkuar vetë në Firence për t›i mësuar planet e italianëve nga vetë Musolini. Ai arriti në Firence në pasditen e vonë të ditës së invazionit. Italianët e kishin sulmuar Greqinë atë mëngjes prej Shqipërisë. Vendosja përpara faktit të kryer ishte një përsëritje e sjelljes së italianëve të demonstruar në pushtimin e Shqipërisë në pranverën e 1939-ës.

Në atë kohë, delegacioni ushtarak italian i kryesuar nga Gjeneral Pariani i ndërpreu bisedimet e para ushtarake italo-gjermane në Insbruk pa dhënë asnjë shpjegim. Kur Field Mareshali Kaitel, kryetar i delegacionit gjerman mbërriti në Berlin, Gjeneralin Maras, Atasheu ushtarak italian i tha atij se Italia do të pushtonte Shqipërinë mëngjesin e ardhshëm. Hitleri menjëherë u përpoq që t›i mbushte mendjen italianëve për ta braktisur këtë operacion të pavarur dhe të planifikonin një operacion për pushtimin e ishullit të Kretës, por këto përpjekje dështuan. Disa muaj më vonë, diku rreth Krishtlindjes, doli ideja e përdorimit të trupave gjermanë në këto operacione.

Ky konkluzion doli si rezultat i vëzhgimit ushtarak të ndërmarrë nga Gjenerali gjerman ZEITZLER mbi performancën shumë të dobët të trupave italiane në kufirin shqiptaro-grek, si dhe në vëzhgimet që ai bëri në rrugëkalimet e Ballkanit dhe në malet Rodope. Sipas burimit të pyetur, Hitleri «ishte penduar shumë» për ndërhyrjen që ai bëri në Greqi, pasi ai «kishte një dashuri të madhe për kulturën greke!».

MS / T-101

Komanda e FUHRERIT

-3-

17 Maj 1942

OKW / WFst / Abt. L (I OP)

Numri 8 i 25 kopjeve

Nr.44.717 / 41gk / Shefat

TOP-SEKRET

DIREKTIVA Nr.29

  1. Objektivat e operacioneve gjermane në Europën Juglindore: të zmbrapsi britanikët nga Ballkani, si dhe të krijojë kushtet për operacione ajrore në Lindjen e Mesdheut, si dhe të avancojë më tej nën operacionet e koduara «Merkur». Me përjashtime të shënuara më poshtë, do të jetë detyra e Italisë për të garantuar sigurinë e territoreve greke në të ardhmen. Në veçanti autoritetet gjermane duhet të jenë të kujdesshme për të mos vepruar si ndërmjetës nëse grekët e kërkojnë këtë gjë. Për shpërndarjen e materialeve, një Marrëveshje me Forcat Ushtarake italiane do të arrihet për të siguruar rrugët e shpërndarjes së tyre.
  1. Si më poshtë janë detyrat e Forcave Ushtarake gjermane / Ushtria: Forcat e mëposhtme do të qëndrojnë në Greqi.
  1. Ato forca që janë të nevojshme për të garantuar sigurimin e bazave të furnizimeve të Operacionit «Merkuri». Ato duhet të përqëndrohen lokalisht.
  1. Një Divizion afër Selanikut. Ky Divizion duhet të mbikëqyrë Ishullin Lemnos si dhe të gjitha ishujt nën okupacionin gjerman. Megjithatë, zona dhe ishujt që do të përdoren si vende nga ku operacioni «Merkuri» do të startojë, duhen ruajtur deri sa ky operacion të mbarojë. Të gjitha forcat gjermane që nuk janë të nevojshme, sipas këtij dokumenti duhet të tërhiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Komanda e Lartë e Forcave ushtarake italiane do të jetë në dijeni të operacionit për marrjen e Greqisë dhe duhet të komunikojë me Gjeneralin e Komandës së Divizionit të 12 për të gjitha detajet. Si Gjeneral i Komandës së Trupave në Ballkan, ai duhet ta lëvizë Komandën e tij në Selanik sapo situata e operacionit «Merkuri» ta lejojë këtë gjë. Pres që shefat e Komandave përkatëse të më raportojnë mua mbi masat e marra në lidhje me këtë Direktivë si dhe me marrëveshjet e bëra me italianët.

Firmosur

Adolf Hitler

Auron Tare / Dita