Pse duhet një bazë ushtarake amerikane në Shqipëri, flet për DW, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka shpjegon për DW, pse Komisioni Europian vlerësoi Shqipërinë për politikat e saj të sigurisë dhe interesin shqiptar për një bazë ushtarake amerikane në Adriatik.

 DW: Znj.Ministre, Komisioni Europian në raportin „Shqipëria 2018” vlerëson politikat e sigurisë dhe mbrojtjes në linjë me ato të BE dhe NATO-s. Si e ka merituar Shqipëria këtë vlerësim?

Olta Xhaçka: Shqipëria nga një konsumatore e sigurisë është bërë një prodhuese e sigurisë në rajon dhe përtej tij. Ajo është një garante e sigurisë në një kohë kur gjithe zona euro-atlantike po përballet me kërcënime të reja, komplekse që lidhen pikerisht me sigurinë. Ka paqëndrueshmëri brenda dhe në kufijtë e zonës euro-atlantike, ndryshim të formave të radikalizimit, dhunës, terrorizmit; ka paqëndrueshmëri të qeverive, tensione ndër-etnike, shqetësime nga krimi i organizuar, kërcënime kibernetike. Të gjitha këto kërkojnë një përgjigje efektive dhe të koordinuar në nivel europian dhe më gjërë. Në këtë kontekst Shqipëria po jep kontributin e saj , theksoj si prodhuese e sigurisë. Ne kemi dhënë kontribut konkret dhe real për të përballuar të gjitha kërcënimet që i vijnë zonës euto-atlantike nga Lindja apo Jugu. Jemi ndër vendet e para që u rreshtua në krah të aleatëve në luftën globale kundër terrorizmit dhe tani japim një kontriburt real dhe të rëndësishëm në parandalimin e tij.
Shqipëria është e pranishme në të gjitha angazhimet e NATO-s për të parandaluar kërcënimet që vijnë nga Lindja. Kohët e fundit, në koordinim të plotë me aleatët iu bashkuam atyre duke bërë “persona non grata” dy diplomatë rusë në Shqipëri, njëri prej tyre, Atasheu Ushtarak. Në vizitën që pata kohët e fundit në Pentagon, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, vlerësoi Shqipërinë duke thënë se “madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi sesa anagzhimi i saj në Aleancë. Shqipëria godet më fort sesa pesha e saj, Shqipëria është aleatja jonë jo vetëm në uniformë por në të gjitha aspektet”

DW: Ju i ofruat Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes ngritjen e një bazë ushtarake amerikane në Shqipëri, në Detin Adriatik. Çfarë përfitimesh ka nga një mundësi e tillë Shqipëria, rajoni dhe BE?

Olta Xhaçka: Le të sqaroj së pari që ajo ?farë i kërkova Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, ishte eksplorimi i mundësive për një footprint të NATO-s apo të SHBA në Shqipëri. Kërkesa iu drejtua SHBA, një vendi mik për gjithë shqiptarët, një vendi që është kontribuesi kryesor në NATO. Ajo vinte në mënyrë të qartë pas një vlerësimi të matur përballë kërcënimeve që vijnë nga Lindja dhe Jugu. Ajo që kërkova nuk ishte as më pak dhe as më shumë se shtimi i vëmendjes ndaj rajonit tonë, një rajoni që i përket jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht Europës Perëndimore, një rajoni që kërkon vëmendje të shtuar për të përmbushur aspiratën e tij: bashkimin me familjen euro-atlantike. Pse Shqipëria? Sepse , ashtu si thashë qartë edhe në Pentagon, Shqipëria është një vend që ka luajtur dhe luan një rol ky? në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, që prej pothuajse 10 vitesh është anëtare e denjë e NATO-s, një vend ku mbështetja ndaj SHBA dhe BE është në nivelet më të larta.

DW: Atëherë…si po merr pjesë Shqipëria konkretisht në sfidat e sigurisë në nivel rajonal, europian dhe global?

Olta Xhaçka: Marrim pjesë në të gjitha angazhimet që lidhen me sigurinë: që nga strukturat e NATOs, në kontributin me trupa në misione: Afganistan, Letoni, Kosovë, Detin Egje, në misionet e BE në Mali dhe Bosnjë- Hercegovinë, ku pjesëmarrja jonë është vlerësuar nga aleatët dhe partnerët europianë. Dislokimi në Detin Egje përbën misionin e parë të Forcave Detare jashtë ujrave tona. Është një mision i vlerësuar, që parandalon emigracionin në drejtim të Europës. Në angazhimin e Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit, përve? kontributit me trupa jemi në proces për hapjen e një Qëndre Ekselence për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj. Sapo kam miratuar edhe strategjinë për mbrojtjen kibernetike 2018-2020, që së shpejti do të ketë në dispozicion një njësi ushtarake për kibernetike.

DW: Çfarë po bëhet që Forcat e Armatosura të arrijnë standartet e NATO-s?

Olta Xhaçka: Jemi fokusuar në modernizimin e kapaciteteve që i kemi prioritete kombëtare dhe detyrime ndaj NATO­s. Modernizimi i Forcave të Armatosura dhe i pajisjeve luftarake do të ngrenë dukshëm nivelin operacional dhe atë të ndër – veprueshmërisë së tyre me ato të vendeve aleate, anëtare të NATO-s. Ndër arritjet më të mëdha në këtë drejtim është kthimi në Shqipëri i gjigandit të industrisë ushtarake amerikane, Lockheed Martin, lider në botë, prej të cilit tanimë kemi kontraktuar blerjen e radarëve të sistemit të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore. Bashkëpunimi pritet të thellohet pas takimit produktiv që pata në selinë e kësaj kompanie, gjatë vizitës në SHBA./DW