Pse Dritëro Agolli shpërtheu në kritika ndaj Enver Hoxhës

Nga Prof. Xhelal Gjeçovi

Kongresi i 10-të e i fundit i PPSH-së, siç dihet i zhvilloi punimet në një moment të vështirë për vendin. Ishte qershori i vitit 1991. Unë nuk isha delegat, por i ftuar dhe po qëndroja në llozhë, bashke me Estref Begën, shokun tim të vjetër. Pak më larg nesh ndodhej Ramiz Alia, që na njihte e na përshëndeti, dhe Kastriot Islami, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Nuk dinim asgjë për përgatitjet e kongresit, e sigurisht as për atë që do të ndodhte aty. I kam të gjalla në kujtesë të gjitha këto, pasi i kam vëzhguar me vëmendje si qytetar e si historian dhe përshtypjet e mia nuk dua as t’i ndryshoj e as t’i zbukuroj, siç bëjnë jo pak njerëz sot, që e paraqesin veten disidentë të hershëm, që kur kanë lindur, duke menduar se kjo u rrit vlerat, por t’i paraqes ashtu siç unë i kam përjetuar. Për ne, që ishim larg skenave e prapaskenave të politikës, sigurisht nuk ishte e lehtë, që të përtypnim gjithçka ndodhi aty.

Pas raportit, që mua m’u duke mjaft i mirë, një analizë e matur e problemeve, me frymë kritike e autokritike, të adresuara siç duhej dhe atje ku duhej, folën delegatët, njeri pas tjetrit ndër ta dhe disa emra të njohur si Qamil Buxheli, etj. Ata bashkoheshin në kritikën e ashpër ndaj shfaqjeve të diktaturës, të cilat, sipas tyre, e kishin rënduar jetën e qytetarëve dhe kishin lëkundur, besimin  e popullit. Për rrjedhojë kërkohej një ndryshim i madh që ato të kapërcehen dhe besimi i popullit të rifitohej e të rivendosej. Pashë që karriget filluan të lëvizin. Edhe në llozhë ku ishim ne, po ashtu.

Por situata do të ndizej e tensioni do të rritej në një moment, që pak kush mund  ta kishte parashikuar, pikërisht  atëherë kur fjalën e mori Dritëroi. Autoriteti i tij, por dhe kritika e rreptë, e argumentuar bënë që karriget tani jo të lëvizin, por të ngrihen nga vendi dhe të shprehin hapur, dikush mbështetjen, e të tjerë, që ishin shumica, pakënaqësinë ndaj kritikës që Dritëroi po u bënte shfaqjeve konkrete e më tipike të diktaturës dhe sidomos të figurës së Enverit. Situata u bë nervoze, e acaruar në kulm.

Madje disa nga delegatët u përpoqën që Dritëroi të pengohej të vazhdonte më tej ekspozenë e vet. Ishte një moment dramatik, që rrallë herë kishte ndodhur në aktivitetet e kësaj partie. Megjithatë Dritëroi u përpoq të ruante qetësinë dhe  i vendosur siç ishte, të vazhdoje diskutimin deri në fund. Fjala e tij krijoi në sallë një vijë ndarëse në radhët e delegatëve, në dy pamje, që dalloheshin qartazi. Njëra e  pezmatuar, për ato që po ndodhnin, e për fjalën e Dritëroit dhe tjetra, që dukej se e mirëpriste atë. Ne, lart në llozhë, disi të mërzitur nga kjo pamje, shkëmbenim më shumë shikime, se sa komente, pasi e ndjenim se duhej kohë që të arrinim aty ku thoshte Dritëroi. Unë nuk e duartrokita Dritëroin atë ditë, pavarësisht se zemra ma thoshte se ai kishte të drejtë.

Pavarësisht se nuk  pajtohesha me reagimet emocionale të sallës dhe mendoja se, ndaj fenomeneve që u ekspozuan, duhej mbajtur qëndrim e duhej distancuar, por mënyra e paraqitjes e sidomos momenti kur po thuheshin ato, mendoja se nuk ishin dhe aq të gjetura. Në ato momente mendoja se ato ndoshta duheshin zgjedhur e menduar më mirë, me qellim që, siç thotë populli, edhe mishi të piqej dhe helli të mos digjej. Gjithsesi  gjykoja se ndoshta ishte shpejt që, krejt pa pritur e papërgatitur më parë opinioni, gjërat të shtroheshin e të diskutoheshin në një mënyrë të tillë e në një kohë që në vend kishte shpërthyer reaksioni ballisto-zogist, i grumbulluar dhe atëherë në “çadrën” e partisë demokratike, nga ku orkestroheshin sulme e shpifje pa mbarim ndaj së kaluarës e ndaj partisë që po krijohej, duke e etiketuar si vazhduese e PPSH dhe Diktaturës. Në rrethana të tilla, mendoja se shtrimi e diskutimi në këtë frymë i problemeve të tilla të mprehta dhe përgjithësisht marrja me vetveten, kur kundërshtarët po merreshin me ne, duke na goditur brinjë më brinjë, ishin të parakohshme.

U bë pushim dhe ashtu të shushatur siç ishim, zbritëm poshtë në kafe. Nuk flisnim, por mendonim e meditonim, mbi ato që pamë e dëgjuam në mbledhje. Kur, pa pritur erdhi Dritëroi më duket i shoqëruar nga Moikomi dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U përshëndetëm. Te dy tavolinat ndonëse afër, nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Ishim duke përjetuar secili në mënyrën e vet, atë që ndodhi në seancën e parë të kongresit.

Në të dytën, ne nuk u futëm në sallë. U larguam nga Pallati i Kongreseve, duke ia lënë kohës gjykimin mbi gjithçka ndodhi aty. Koha do të tregonte e do të sqaronte gjithçka. Shpejt do të kuptonim se koha ishte me Dritëroin, ai shikonte larg. Problemet e akumuluara duheshin diskutuar e prej tyre duhej distancuar, që të hapej kështu një kapitull i ri për partinë e sapo krijuar, e përgjithësisht për të majtën shqiptare, përndryshe rrezikonin të mbeteshin mbrapa, me mundësi të pakta për të zënë trenin që po ecte me shpejtësi drejt të ardhmes europiane Kësisoj, Dritëroi nuk erdhi tek ne, por ne shkuam tek ai. Mirëpo kjo është veçoria e njerëzve të mëdhenj dhe largpamës. Dritëroi padyshim ishte një i tillë. Ajo ditë e qershorit të vitit 1991 përcaktoi edhe principialitetin e Dritëroit si njeri politik, shumë më i avancuar se të gjithë të tjerët.

Në këtë mënyrë, partia e sapo formuar socialiste, eci përpara dhe u bë një forcë vërtet e re,e tipit social demokrat,qe do te fitoje besimin dhe mbështetjen e gjere te popullit dhe te partive si motra europiane, duke u pranuar shu-me shpejt dhe ne Internacionalen Socialiste. Në përputhje me këtë, u rrit dhe figura e Dritëroit si politikan i moderuar e largpamës, kritik i ashpër i diktaturës, i çfarëdo diktature, i papajtueshëm dhe me shfaqjet që nisën të dukeshin në demokracinë tonë të brishtë.

***

Dritëroi kishte një respekt të madh për patriotët e mëdhenj, ata që kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij vendi që nga Skënderbeu deri tek Enver Hoxha. Ai i adhuronte heronjtë e luftës si Mehmet Shehun, Myslym Pezën, Haxhi Lleshin, Mustafa Xhanin, Shefqet Peçin, Spiro Moisiun etj. Për Mehmet Shehun sidomos, kishte dhe një fotografi të rrallë me ish-Kruyeministrin, që nuk e grisi, kur Enveri e shpalli armik Mehmetin. Ishin këta patriotë që bënë aleancë  me  komunistët në një moment kritik për vendin, që së bashku të ngriheshin në luftë për çlirimin e tij.

Duke qenë figura të njohura e me autoritet në zona të caktuara e në të gjithë vendin, ata luajtën një rol të jashtëzakonshëm në bashkimin dhe mobilizimin e popullit pa dallim në luftë për çlirimin e atdheut dhe çuarjen e saj në fitoren historike të 29 nëntorit 1944. Vlerësimin për ta, ai e shfaqi, siç dinte ai, në 90 vjetorin e lindjes së Haxhi Lleshit, duke krijuar në sallë emocione të rralla.

Komiteti Veteranëve kishte kohë që po përgatitej për të nderuar këtë patriot e antifashist të orëve të para. Në këtë kuadër qe planifikuar dhe organizimi i një mbledhjeje. Komiteti kishte menduar që fjalën e rastit  ta mbaja unë. Situata në vend ishte shumë e nderë. Partia socialiste dhe anëtarët e saj ishin vënë nën terror. Ajo fajësohej për gjithçka negative që, sipas tyre vendi  kishte përjetuar para viteve ‘90. E ky qëndrim nuk po kryhej e  nuk po kërkohej nga ish të persekutuarit, siç mund të mendohej e deri në një farë shkalle të justifikohej por nga ish komunistët ekstremistë, që i ndiqte nga pas e s`i linte të qetë e hija e së kaluarës, për shkaqe që i dinin ata. Mesa duket me qëndrime të tilla ata kërkonin të jepnin prova besimi për padronët brenda e jashtë, duke provuar edhe në rastin tonë karakterizimin proverbial që ish presidenti çek V.Havel, i kishte bërë kësaj kategorie komunistësh.

Kjo valë regresive e paparë dhe e padëgjuar nuk do të linte paprekur dhe heronjtë e lavdishëm të LANÇ-it, siç ishin Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi etj. Edhe pse kishin kapur të nëntëdhjetat, ata qenë vënë në qendër të sulmeve të reaksionit ballisto-zogist. Hakmarrja e “demokratëve” nuk njihte as moshë e as shërbime ndaj vendit. Ata ishin vënë nën terror e izolim të plotë e më pas dhe nën arrest. Qëndrimi i tyre burrëror, i papërkulur ishte një frymëzim, veçanërisht brezin e ri, që shihnin tek ata patriotët e vërtetë, që edhe në ato kushte mbronin me vendosmëri idealet e LANÇ-it, idealet e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Salla e Muzeut Historik Kombëtar, ku u zhvillua mbledhja për të  nderuar Haxhi Lleshin, ishte mbushur plotë e përplotë, madje mjaft të ftuar qëndronin në këmbë, tek dera dhe jashtë saj, pasi ajo nuk i zinte të gjithë.

Nder pjesëmarrësit dalloheshin në radhe të parë bashkëluftëtarët e Haxhi Lleshit në vitet e Luftës, që vinin të nderonin luftëtarin e paepur kundër fashizmit e reaksionit, komandantin e çetës e më pas të batalionit të Dibrës, ndër formacionet e para partizane të krijuar në vend. E, krahas tyre shokë e miq të shumte nga Dibra, nga Kosova, nga e gjithë Shqipëria. Ishte ky shpërblimi e nderimi, një nderim i merituar, që populli i bënte Haxhi Lleshit, këtij luftëtari të paepur kundër fashizmit e reaksionit, që gjithë jetën e shkriu për vendin e për popullin e vet.

Në presidiumin e mbledhjes isha bashkë me Dritëroin dhe kryetarin  e Komitetit të Veteranëve, Adnan Qatipin, i cili e hapi mbledhjen  dhe ma dha fjalën për të mbajtur referatin që kisha përgatitur me shkrim e me kujdes, duke patur parasysh, veç të tjerave dhe sallën, pjesëmarrësit në këtë veprimtari, që ishte me të vërtetë pluraliste, jo vetëm se ata vinin nga krahina e profesione të ndryshme, por dhe me bindje e pikëpamje gjithashtu të ndryshme për zhvillimet në vend gjatë luftës e pas saj, e në këtë kuadër dhe me vlerësime të ndryshme për udhëheqësit e luftës, përfshi dhe Enver Hoxhën. Pavarësisht këtyre, ata kishin ardhur të nderonin  Haxhi Lleshin.

Biles, siç më tha njëri nga veteranët, në sallë kishte dhe nga ata që gjatë luftës kishin qenë në anën tjetër të barrikadës, kur HaxhiLleshi luftonte për çlirimin e atdheut. Ishte ky një reflektim apo një adhurim për Haxhi Lleshin, apo të dyja së bashku, këtë s`kishe mundësi ta verifikoja. Por kjo përbënte një rrethanë që të bëja kujdes në trajtimin e gjërave që kisha menduar, me qëllim që të mos lëndoja asnjërin nga pjesëmarrësit, pavarësisht nga pozicionet gjatë luftës apo në ditët tona. Kjo ishte dhe porosia që m’u dha nga organizatorët e mbledhjes, që të bëja kujdes, sidomos me figurën e Enver Hoxhës, që në atë kohë po sulmohej nga i gjithë reaksioni.

Në fjalën time trajtoja me së pari kontributin e jashtëzakonshëm të Haxhi Lleshit në luftë, e pas çlirimit, por dhe qëndrimin që kishte mbajtur ndaj tij regjimi i ashtuquajtur demokratik në vitet e fundit të jetës. Ne ketë kuadër theksoja nder te tjera se ishin idealet dhe preokupimi për fatet e vendit,motivi qe e shtyu Haxhi Lleshin drejt komunisteve, qe te njihej e te lidhej ngushtë me udhëheqësit e PK, si Hoxha, Dishnica, Maleshova, Gjinishi etj., qe ishin  vene ne balle te rezistencës antifashiste. Pa mbaruar mire fjalinë, erdhi një zë nga salla: “Enver Hoxha  e jo Hoxha”!. Në sallë ra heshtje, pasi edhe unë ndalova për pak sekonda dhe drejtova shikimi tek ai që foli. Me shikimin tim doja t`i thoja që t`i ke të drejtë, por edhe unë gjithashtu.

Në thelb, ne  nuk kishin kurrfarë diskornance, pasi edhe unë kisha te njëjtën vlerësim e mendim për komandantin e luftës, por në sallë nuk ishim vetëm ne. Për të nderuar Haxhi Lleshin kishin dhe të tjerë që  nuk kishin të njëjtin mendim e vlerësim për të. Shikimet e mia nga ai që reagoi, për fare pak sekonda, pikërisht këtë shprehnin. Me të doja t`i thoja se ne vlerësimin tim për Luftën e udhëheqësin e saj, ishim në unison, por populli ka një fjalë të urtë, si të jetë vendi bëhet dhe kuvendi. Pas kësaj ndalese, në disa sekonda, vazhdova fjalën time deri në fund dhe ajo u dëgjua me vëmendje nga  pjesëmarrësit, pasi jeta e Haxhi Lleshit ishte me të vërtetë interesante. Urimet e vlerësimet e para i pata pikërisht nga Dritëroi.

Sipas tij referati ishte i plotë e njëherësh dhe i kujdesshëm. Ty të takonte të ishe i kujdesshëm, më i kujdesshëm se cilido prej nesh, pasi kallaballëku është sot me mendje te ndryshme në këtë çështje.

Në fund të aktivitetit e mori fjalën Dritëroi. Jo pa qëllim ai theksoi ndër të tjera se kur ishim të rinj, ëndërronim që t`u ngjanim figurave të mëdha historike, si Skënderbeut, Ismail Qemalit, Enver Hoxhes, Haxhi Lleshit etj. Fjala e tij e ndryshoi krejtësisht atmosferën dhe elektrizoi sallën. Duartrokitjet ishin të fuqishme. Pasi mbaroi mbledhja, biseda me Dritëroin vazhdoi, po për historinë e për luftën.

Ndër të tjera Dritëroi theksoi se i priste e i lexonte me vëmendje shkrimet për luftën dhe me bëhet qejfi që një historian nga Shkodra i është përkushtuar kësaj periudhe të historisë. Mbrojtja  e luftës, vazhdoi Dritëroi ishte e domosdoshme, siç ishte e domosdoshme dhe vetë lufta për çlirimin e atdheut, pavarësisht sakrificave që kërkoheshin atëherë e që kërkohen dhe sot. E kemi obligim nga ai brez i shkëlqyer që beri luftën, që çliroi vendin, që të mbrojmë luftën, që të nderojmë e të përkujtojmë protogonistët, të gjithë pjesëmarrësit, e në mënyrë të veçantë heronjtë dhe dëshmorët e atdheut, siç bëmë sot me Haxhi Lleshin. Ti e pe interesimin e nderimin që ka populli për Luftën, për pjesëmarrësit në luftë. Aktivitete të tilla kanë ndikim të madh,sidomos ne brezin i ri,qe e shikon se vepra e atyre qe luftojnë e sakrifikojnë për mëmëdheun, nuk vdes kurrë, por nderohet e përkujtohet brez pas brezi. Kështu transmetohet e pasuro-het tradita,qe ushqen dhe edukon brezat dhe vendi bën përpara, rron e përparon pafundësisht.

Në fund bëmë një fotografi së bashku dhe me bashkëshortet tona, Sadijen dhe Dritën. Këtë foto e që po botoj me këtë rast, e ruaj si një nga kujtimet e rralla, më të çmuarat e jetës sime, një privilegj e kujtim që do të dëshironte shumëkush ta kishte, nga i madhi Dritëro, nga poeti, mendimtari e shkrimtari ynë i dashur e i paharruar.