Protestat dhe pretendimet e autoriteteve nuk ndalojnë që Faraoni i Egjiptit, Tutankhamun të shitet në Londër për 5.97 milionë dollarë

Nga Albert Vataj

Qytetërimi i huajtur, bota e parasë dhe pushteti i të fortit, vijojnë të sfidojnë historinë dhe kulturën, të tjetërsojnë nacionalitetin e artefakteve dhe të përvetësojnë pasuritë e një kombi të lashtë dhe një traditë vezulluese, siç është ajo e Egjiptit. Busti i Tutankhamunit, një prej sunduesve më të diskutuar dhe më të lakmuar nga studiues hulumtues, shitet në një ankand në Londër për një vlerë prej 4.7 milionë sterlina, ose 5,97 milionë dollarë, pavarësisht protestave për riatdhesimin e veprës, e cila pretendohet se është vjedhur.

Skulptura, një kokë ngjyrë kafe në të kuqërremtë e mbretit të ri Tutankhamun, me moshë 3,000-vjeçare, e rrallë dhe shumë e bukur, sfidon kundërshtinë popullore duke i’u bindur çekiçit të ankandit për një vlerë të majme, njofton, Reuters.

Ndërkohë që ankandi zhvillohej jashtë godinës një grumbull protestuesish qëndronin në heshtje dhe mbanin tabela ku shkruhej, “Historia egjiptiane nuk është për shitje”.

Egjipti prej kohësh ka parashtruar pranë autoriteteve kërkesën për kthimin e artefakteve të marra nga arkeologët dhe aventurierët perandorakë, duke përfshirë edhe gurin e Rosetta-s, të mbajtur në Muzeun Britanik. Fushata të këtilla janë edhe nga Greqia, e cila kërkon skulpturat e Partenonit, Nigeria gjithashtu për Bronzin Benin dhe Etiopia për thesaret e Magdala.

“Ne jemi kundër shitjes si perime dhe fruta, të trashëgimisë sonë dhe sendeve të vlefshme” ka thënë për Reuters, 69-vjeçari, Ibrahim Radi, një grafist egjiptian, që ishte pjesë e protestuesve jashtë shtëpisë së ankandeve në Londër, Christie’s.

Statuja me një lartësi prej 28.5cm me dëmtime vetëm në veshët dhe hundë, u shit nga koleksioni privat i artit egjiptian, Resandres.

Christie’s tha për mediat se statuja ishte blerë nga Mynihut Heinz Herzer, tregtar, në vitin 1985. Para kësaj, tregtari austriak, Joseph Messina, bleu atë në vitet 1973-1974 dhe Princi Wilhelm Von Thurn und Taxis i Gjermanisë, e kishte atë në koleksionin e tij në vitet 1960.

Duke vlerësuar statujën si një vepër “e rrallë” dhe “e bukur”, në deklaratën e saj, Christie pranoi polemika, duke shtuar se: “Ne e pranojmë se objektet historike mund të ngrenë diskutime komplekse për të kaluarën, por roli ynë sot është të punojmë që të vazhdojmë të sigurojmë një treg transparent dhe legjitim, duke respektuar standardet më të larta për transferimin e objekteve”.

Para ankandit, Mostafa Waziri, sekretari i përgjithshëm i këshillit suprem të antikiteteve të Egjiptit, ka shtuar se ishte i zhgënjyer, që shitja po konsiderohet, pavarësisht kërkesave zyrtare të përfaqësisë së saj në Londër dhe protestave ndaluese të këtij akti të papranueshëm.

“Unë besoj se është marrë ilegalisht nga Egjipti … Ata nuk kanë paraqitur asnjë dokument për të provuar të kundërtën,” tha ai, duke shtuar se Egjipti do të vazhdojë të kërkojë kthimin e kësaj vepre. Ish-ministri i antikiteteve, Zahi Hawass ka pohuar se busti mund të ishte marrë nga tempulli në Karnak gjatë viteve 1970.

Stafi në Christie tha se kishin ndërmarrë hapat e nevojshëm për të provuar prejardhjen e saj dhe shitja ishte e ligjshme. “Është një vepër shumë e njohur … dhe nuk ka qenë kurrë objekt i një kërkese,” tha shefi i departamentit të antikiteteve, Laetitia Delaloye.

***

Siç dihet Tutankhamon ishte një ndër 10 fëmijët e Akenatonit. Erdhi në pushtet pas vdekjes së të Atit në moshën 10 vjeçare. Djaloshi mbret qëndroi në pushtet për 9 vite. Pas ardhjes në fron, Faraoni shkatërroi çdo gjë monoteiste që kishte ndërtuari i ati i tij. Ai mendonte që përmes politeizmit të mbajë të bashkuar popullin e tij. Ai u martua me vajzën Anksenamon (që mendohet të jetë edhe motra e tij). Mirëpo, qëndrimi i tij në pushtet zgjati pak kohë. Pasi vdiq në moshën 19-vjeçare. Misteri i vdekjes së tij në moshë të hershme zgjoi interesimin e shumë studiuesve, shkencëtarëve dhe egjiptologëve. Ndër studiuesit që u morën me vdekjen e hershme të faraonit në fjalë ishin: Mjeku Gray mendon që djaloshi mbret vdiq si pasojë e thyerjes së kockave në kokë gjatë balsamimit të tij, mjeku Arizon konstatoi që Tutankhamon vdiç nga Tuberkuloza, ndërsa Hoëard Merkel në një studim të bërë në vitin 2005, theksoi që faraoni i ri vdiq si pasojë e Incesit që kishin prindërit e tij (që rezultojnë të jenë vëlla dhe motër.  Vdekja e tij erdhi nga komplikimet prej këmbës së thyer – së bashku me një zbulim të ri: nga malaria e rëndë. Ekipi hulumtues ka shtuar se gjeti një ADN të parazitit të malaries në disa prej mumieve, disa nga më të vjetrit të izoluar ndonjëherë. “Një thyerje e papritur e këmbës ndoshta nga një e rrëzuar, mund të ketë rezultuar me përhapjen e një gjendjeje kërcënuese për jetën, kur ai ishte i infektuar me malarie,” thuhet në një artikullin të botuar në revistën JAMA- po ashtu, në një artikull tjetër të botuar në këtë revistë shkencore thuhet: “Tutankhamon ka çrregullime të shumëfishta. Ai mund të paramendohet si një mbret i ri, por i dobët, i cili ec me bastun. Gjithashtu, testet gjithashtu përgënjeshtrojnë spekulimet se Tutankhamun-i dhe anëtarët e familjes së tij vuanin nga çrregullime të rralla që i dha atyre atribute femërore dhe kocka të shtrembra, duke përfshirë sindromin Marfan, një çrregullim i indeve lidhës që mund të rezultojë me gjymtyrë të zgjatur. Ndërsa sot, me zhvillimin e teknikës dhe teknologjisë, jemi afruar më shumë rreth gjërave misterioze që nuk i kemi njohur deri më tash për Botën Antike dhe Egjiptin e Lashtë.