Protesta e opozitës-“Ju mbani peng Shqipërinë!” PD shpalos sloganet me fytyrat e Ramës, Xhafaj dhe Tahirit

Opozita e bashkuar ashtu siç dhe kishte paralajmëruar protestoi dje kundër qeverisë në orën 11:00 në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Por ndonëse kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në zyrën e tij gjatë ditës së djeshme, por në qarkun e Beratit, në kuadër të turit të llogaridhënies, policia kishte marrë masat për mbulimin e godinës së Kryeministrisë. Ndërkaq, organizatorët nisën përgatitjet për ngritjen e një podiumi të vogël para Kryeministrisë, nga ku do të përcillte mesazhin e tij të protestës kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Ndërkohë, gjatë protestës do këtë mesazhe simbolike kundër qeverisë në disa pika të ndryshme të Bulevardit si dhe tek Ministria e Brendshme. Me protestën e djeshme, opozita kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe të Kryeministrit Edi Rama.

Drejtësia e Ramës

Në sheshin “Skënderbej” pak para nisjes së protestës, opozita do të shfaqte statujën e improvizuar të Drejtësisë me portretin e Edi Ramës, që simbolizon kapjen politike të drejtësisë për t’i shërbyer krimit dhe korrupsionit. Statujën e drejtësisë 3 metra të lartë e mbanin 10 të rinj të maskuar si Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, Moisiu Habilaj për të treguar qëndrimin e opozitës, se drejtësia është vënë në shërbim të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe qeverisë së lidhur me të. PD e cilëson, një simbol tjetër të shpërfytyrimit të drejtësisë nga pushteti është portreti i Ramës që ka zëvendësuar sytë e mbyllur të drejtësisë së barabartë për të gjithë me syrin që ai i shkel krimit për ta favorizuar dhe mbrojtur atë. Në statujë shihet se, peshorja e drejtësisë, që duhet të ishte e barabartë, peshon nga mbrojtja e Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt dhe parave të drogës, ndërsa Kushtetuta, që mbron të drejtat e qytetarëve të zakonshëm, është zhvlerësuar nga drejtësia politike e Edi Ramës, shprehet PD.

“Pashallarët”

Pak minuta pasi shpalosë statujën e drejtësisë së Ramës, organizatorët do të shpalosnin një tjetër simbol të protestës së mesditës së djeshme dhe më konkretisht banderolën me sloganin “Poshtë pashallarët e krimit”. Duke dhënë shpjegimin përkatës, opozita thotë se ky slogan, risjell në vëmendje skandalin “Xhafaj” për shkak të episodit kur gjatë pazarit për drogën, Agron Xhafajn e quajnë “Pasha”. Banderola mban portretet e Edi Ramës dhe dy ministrave të tij të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri me nga një kryq të kuq mbi secilin portret. “Ju e mbani peng Shqipërinë”, shkruhet në slogan. Banderola është një nga simbolet kryesore të protestës së Partisë Demokratike, duke dhënë mesazhin e opozitës së shqiptarëve nuk u duhet një qeveri dhe një kryeministër në shërbim të krimit, i cili është kthyer në pengesën kryesore për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të vendit ne Bashkimin Europian. Me protestën e sotme opozita kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe të Kryeministrit Edi Rama. Prej kohësh opozita e akuzon qeverinë si të lidhur me krimin, dhe pas publikimit të audio-përgjimit, ku Agron Xhafaj shfaqet në bisedë për trafik droge, këto akuza janë shtuar.

Harta e drogës

Të rinjtë e PD-së do të çonin pranë Ministrisë së Brendshme edhe një hartë të improvizuar prej tyre të familjeve politiko-mafioze. Harta e Shqipërisë këtë herë e ngjyrosur jeshile dhe me kanabis nis në veri me Frrokun dhe përfundon në jug me Balilin. Nuk mungojnë ndarje të tjera në hartë si “Bushi”, “Ndoka”,“Rroshi”, “Ruçi”, “Braho”, “Tahiri” etj. harta mbahet nga të rinj që kanë vendosur në fytyra maska si Fatmir Xhafaj me vëllain dhe si kryeministri me vëllain. “Harta e familjeve politiko mafioze është një instalacion për të simbolizuar qeverinë e Edi Ramës në 5 vitet e fundit. Për herë të parë, gjatë qeverisë së Ramës Shqipëria mori kudo në Perëndim imazhin e një vendi që, me mbështetjen e qeverisë, prodhon dhe trafikon vetëm kanabis dhe krim, duke u cilësuar gjerësisht në botë si Kanabistan. Harta është rreth 2 metra e gjysmë e lartë dhe mban emrat e personave të akuzuar publikisht ose që janë dënuar vetë për krime të rënda, ose që kanë lidhje të forta me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar me vend. Në hartë janë emrat e Mark Frrokut, Arben Ndokës, Armando Prengës, deputetët e qeverisë të përjashtuar për vrasje, prostitucion, trafik droge. Janë emrat e Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Rroshit, kryebashkiakëve të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, si dhe të njerëzve të afërt politikë të Edi Ramës, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Gramoz Ruçi e Taulant Balla. Bashkë me Balilin, Eskobarin e Ballkanit që kontrollon Sarandën dhe nuk kapet nga policia, harta e drogës dhe e familjeve mafioze me mbështetje qeveritare, është dëshmia se Edi Rama bashkëqeveris me krimin e organizuar”, deklaruan organizatorët e PD-së.

Rama në protestë

Partia Demokratike kishte zgjedhur edhe një formë tjetër proteste për ditën e djeshme. Një i ri është vendosur në rolin e kryeministrit Edi Rama teksa i ulur në një tavolinë përpara kryeministrisë improvizon intervista në panairin e punës. I futur nën lëkurën e kryeministrit, personazhi bënte intervista punë për postin e Ministrit të Brendshëm.

Pakot e zeza

Të rinjtë e Partisë Demokratike kanë shpërndarë disa pako përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pak minuta para protestës. Pakot ishin të ngjashme si ato që jemi mësuar rëndom të shohim në operacionet e policisë për kapjen e drogës. Me veshje të zezë dhe pluhur të bardhë, pakot janë vendosur përtokë para Kryeministrisë, ndërsa mbi to shkruhen emrat e shënjestruar nga opozita prej ditësh.

Protestuesi humb ndjenjat dhe e ndihmon deputeti doktor

Edhe pse jo problematike, protesta e djeshme e opozitës është shoqëruar me tensione, në momentin kur  pikërisht disa prej protestuesve tentuan të çajnë kordonin e policisë tek Ministria e Brendshme. Një protestues ka humbur ndjenjat dhe është shtrirë përtokë. Ndërkohë që protestues të tjerë i kanë kërkuar qytetarëve të krijojnë hapësirë. Pranë tij është ndodhur edhe deputeti i PD-së, Bardh Spahia, me profesion mjek që i ka dhënë ndihmën e ndihmën e parë. Pas disa minutave i shtrirë në tokë qytetari në vështirësi shëndetësore është ngritur në këmbë. Në vendngjarje ka mbërritur edhe ambulanca, e cila e ka transportuar në spital.