Prononcohet Behgjet Pacolli mbi arsyet që e shtynë atë të nënshkruante marrëveshjen me koalicionin PAN

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me koalicionin PAN, fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, drejtuesi i subjektit politik AKR, Behgjet Pacolli ka dalë me një deklaratë, në të cilën ka sqaruar arsyet e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Ajo që bie në sy në mesazhin që përmban deklarata e postuar prej tij në rrjetin social, Facebook nuk është marrëveshja për ti marrë PAN pesë ministri, së bashku me një dyzinë zyrtarësh, as edhe plotësimi i kushtit që në zgjedhjet e pritëshme presidenciale PAN të mos paraqesë asnjë kandidaturë për president pas Thaçit, por diçka më e lartë se kaq. Të paktën kështu kumton Pacolli, i cili e konsideron kalimin me PAN të rrjedhur nga përgjegjësia morale para qytetarëve të Kosovës.

Ja deklarata e plotë e Behgjet Pacollit:

Martin Luter King, heroi i revolucionit social në SHBA ka thënë: Mund të ndodhë se ju nuk jeni përgjegjës për situatën në të cilën gjendeni. Por do të bëheni përgjegjës, nëse nuk kryeni asgjë për ta ndryshuar.

Unë vendosa të bëja diçka. Unë nuk doja të isha përgjegjës për krizën e Kosovës, por të merrja përgjegjësi për zgjidhjen e saj.

Përballë alternativës së shkuarjes në zgjedhje të parakoshme, zinxhirit të krizave që do ta shkatërronin ekonominë e brishtë të Kosovës, imazhin ndërkombëtar të saj, unë, AKR zgjodhëm të merrnim përgjegjësi. Proceset ku ka hyrë Kosova kërkonin përgjegjësi dhe unë mora përgjegjësi.

Unë di t’i zhvilloj ato. Interesi i Kosovës, interesi kombëtar është mbi interesin partiak të gjithsecilit. Unë u këshillova me miqtë ndërkombëtarë, miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, me qytetarë të ndryshëm dhe mora vendimin e duhur. Nuk kishte alternativë tjetër.

Unë i ndoqa të gjithë skenarët e tjerë, që koalicioni ku unë garova të krijonte qeverinë, por nuk u bë dot asgjë. U sakrifikuam, nuk kërkuam asnjë post dhe partitë e blloqeve të tjera ishin larg. Në këto kushte, unë vendosa të merrja përgjegjësi. Është krejt e qartë dhe historia botërore e ka treguar se shpesh një individ, një parti e vogël mund të marrë përgjegjësi të mëdha. Më gjykoni për cilësinë, me të cilën unë do t’ i zhvilloj këto përgjegjësi.

Unë kam thënë se nuk do të hyj në një qeveri, ku nuk do të kem përgjegjësi të mëdha. Me kryeministrin Haradinaj, kam garanci se do t’i zhvilloj këto përgjegjësi, në të mirë të Kosovës: për anëtarësimin e Kosovës në OKB, për liberalizimin e vizave, për hyrjen në UNESCO, në Interpol, etj..