Prokuroria çon çështjen në gjykatë, Tom Doshin akuzohet për “fshehje të pasurisë”

Prokuroria e Përgjithshme i komunikoi Doshit akuzën pas hetimeve dy vjeçare që filluan nga një kallëzim i ILDKPI që pretendonte se ai kishte fshehur 14 milion euro. Doshi pretendon se akuza, sipas tij e ngritur tre ditë para përfundimit të afatit të hetimeve, është tendencioze dhe lidhet me zgjedhjet

Autor:Vladimir Karaj BIRN Tiranë

Deputeti Tom Doshi, duke dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Dy vjet pas kallëzimit të ILDKPI-së për fshehje të 14 milion eurove pasuri, Prokuroria e Përgjithshme i komunikoi sot akuzën për “Fshehje të pasurisë” deputetit Tom Doshi. Doshi që kandidon për një mandat të katërt si i pari në listën e Partisë Social Demokrate e lidhi kohën e komunikimit dhe akuzën me zgjedhjet e 25 qershorit. “Këtu është një tendencë që unë mos me ardh në parlament”, tha Doshi, ndërsa i “kërcënoi” kundërshtarët e tij se forca e tij do të merrte 3 mandate deputetësh në Shkodër.

Më herët, gjatë muajit Maj, Prokuroria pati kërkuar edhe përjashtimin e tij nga listat për një dënim të fillimit të viteve 90’ si i prekur nga ligji i dekriminalizimit, por KQZ që shqyrtoi kërkesën vendosi kundër akuzës.

Dy vjet më parë më 25 maj, ndërsa ai u arrestua bashkë me ish-deputetit Mark Frroku dhe Durim Bamin pas akuzës për “kallëzim të rremë”,proces për të cilin Doshi po gjykohet në gjendje të lirë, ndaj tani Presidentit të zgjedhur dhe ish-kreut të LSI Ilir Meta, ILDKPI e kallëzoi atë penalisht për fshehjen e 14 milionë eurove pasuri. Doshi akuzohej  gjithashtu për transferta të dyshimta bankare brenda dhe jashtë vendit, të cilat kapin vlerën e 9 milionë eurove.

Prokuroria njoftoi sot zyrtarisht se Doshit i ishte komunikuar akuza për “Fshehje të pasurisë” bazuar në nenin 257/A,  paragrafi i 2, i Kodit Penal.  Sipas kësaj akuze Doshi rrezikon dënim me gjobë deri me tre vjet burgim, nëse gjendet fajtorë. Prokuroria e Përgjithshme nuk ka bërë me dije detaje të tjera rreth çështjes dhe as sasinë e parave për të cilat akuzon deputetin se i ka fshehur.

Avokati i Doshit Vladimir Meçe tha në një deklaratë për mediat, pasi bashkë me deputetin u njohën me akuzat në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme se klienti i tij kishte rezultuar i pastër, por kishte “një konflikt me prokurorinë” për disa harresa që ai i quajti “krejtësisht të vogla”.  “Nga hetimet dy vjeçare, dhe ky është një lajm i gëzuar,  ka rezultuar që çdo qindarkë, nga një hetim që fillon në vitin 1992, dhe gjatë gjithë periudhës që deputeti ka qenë në tre legjislatura deputet i Shqipërisë,çdo qindarkë është e pastër, e justifikuar,çka e ka pastruar totalisht figurën e tij”, tha avokati Meçe.

Doshi vetë ndërhyri për t’u thënë gazetarëve që prisnin para hyrjes së Prokurorisë së Përgjithshme se një nga shumat për të cilën akuzohej se kishte fshehur ishte “2 milion lekët të vjetra”. “Kjo dihet që ishte tendencioze, u bënë dy vjet, në datë 10 qershor 2015 ka filluar hetimi dhe me datën 10, pas tre ditëve mbaron afati që në bazë të ligjit prokuroria do të mbyllte hetimet dhe sot u komunikua akuza. Kjo bëhet për zgjedhjet”, ndërsa tha se elektorati i tij nuk duhej të shqetësohej.

Doshi është i përfshirë edhe në një proces tjetër gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë në të cilin ai akuzohet për “kallëzim të rremë”, bashkë me ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin. Procesi nisi pasi Prokuroria tha se zbuloi se pretendimet e të akuzuarve se ish-kreu i LSI Ilir Meta kishte organizuar një atentat ndaj Doshit ishin të rreme.

Për këtë çështje Doshi u arrestua në fillim të vitit 2015, me autorizim nga Parlamenti i Shqipërisë, por më 28 prill 2015, Gjykata e Lartë i hoqi masën e arrestit shtëpiak. Aktualisht, Doshi po gjykohet në gjendje të lirë, ndërsa në gjyqin ndaj tij dhe dy personave të tjerë është kërkuar të dëshmojnë kryeministri Edi Rama, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe funksionarë të tjerë të rëndësishëm.

Hetimet ndaj Doshit dhe arrestimi i tij dhe ish-deputetit Frroku u përshëndetën dy vjet më parë nga  Ambasada e SHBA në Tiranë që e cilësoi atë si “një mundësi e rëndësishme  për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin”, ndërsa theksonte se mbështeste institucionet gjyqësore “që të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar proces ligjor të rregullt në përputhje me ligjin”.