Prokurori amerikan i vettingut, John Leonardo: Të korruptuarit e drejtësisë i largojmë brenda vitit

John Leonardo, një prokuror i njohur amerikan është pjesë e trupës këshillimore të Vettingut në Shqipëri. Ai ka dhënë një intervistë për portalin amerikan, Tucson.com.

Prokurori Leonardo gjatë intervistës tregon për rëndësinë që ka procesi i Vettingut ndaj 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Që në fillim të intervistës ai deklaron se në Shqipëri ka një korrupsion galopant në shumë fusha: Polici, gjykata dhe prokurori. “Është hera e parë që provohet një metodë e tillë e veçantë. Nuk ka asnjë model të mëparshëm. Pritshmëritë janë shumë të larta në një vend ku shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të humbasin vendin e punës”, thotë Leonardo.

I pyetur se cili është roli i tij, ai thotë: “Jemi tetë nga ne, në një dhomë të madhe. Të gjithë kemi të paktën 15 vite si gjykatës ose prokurorë në vendet tona. Është një grup me goxha eksperiencë- shumë prej nesh kanë punuar në vende të tjera më parë. Ne duhet të japim këshilla ndaj institucioneve të Vettingut për çështjet ligjore dhe teknikat investiguese, strukturat organizative dhe interpretimet e ligjit të Vettingut”.

Por sa do të zgjasë procesi?
“Seancat e para dëgjimore do të nisin në shkurt. Mendojmë se procesi do të zgjasë katër deri në pesë vjet. Është vështirë të imagjinosh se si do jetë procesi kur të nisin seancat dëgjimore, pasi do jetë intensiv. Dhomat e seancave janë shumë të vogla. Ato zënë deri në shtatë njerëz. Po flitet se mund të ketë transmetim me video”.

I pyetur se si e kanë pritur, Leonardo thotë: “Është qetësuese të shohësh që shqiptarët në tërësi presin kaq shumë nga Amerika. E ndjej se unë kam më shumë besueshmëri tek komuniteti ligjor dhe personat e Vettingut sesa evropiano-perëndimorët”.

Prokurori John Leonardo gjatë intervistës flet edhe për mbështetjen e ambasadorit amerikan Donald Lu në këtë process. “Ambasadori amerikan këtu ka qenë një përkrahës i madh i këtij procesi. Shqiptarët kanë shumë vlerësim dhe besim tek ne”.

Në fund të intervistës prokurori amerikan deklaron se  me shumë gjasë të korruptuarit ë drejtësisë shqiptare nuk do jenë vërdallë vitin që vjen. “Ambasadori Donald Lu u tha në një takim me gjyqtarët se nëse shohin kyçet e tyre dhe aty gjendet një orë që kushton më shumë se një makinë mesatare,  me shumë gjasë nuk do jenë vërdallë vitin që vjen”.

INTERVISTA

Cili është problemi me sistemin gjyqësor në Shqipëri?

John Leonardo: Ekziston korrupsion i shfrenuar në shumë fusha, në polici, prokurori, gjyqësor. Ballkani në përgjithësi e ka këtë problem.

Si do të funksionojë procesi?

John Leonardo: Shqiptarët ndryshuan Kushtetutën vitin e kaluar në mënyrë që gjithë gjyqtarët dhe prokurorët t’i nënshtrohen procesit të vetingut për të mbajtur vendin e punës. Nga ligji i ri u krijuar një komision verifikimi i përbërë nga 12 juristë shqiptarë të zgjedhur nga Parlamenti, të ndarë në komisione me nga tre persona dhe që do të hetojnë për çdo gjyqtar dhe prokuror pasuritë e pajustifikueshme të tyre, shoqërimin me kontigjentë kriminalë dhe aftësitë profesionale.

Cili është roli juaj si vëzhgues ndërkombëtar?

John Leonardo: Ne jemi 8 persona. Të gjithë kemi të paktën 15 vite pune si gjyqtarë dhe prokurorë nëpër vendet tona. Është grup me shumë përvojë. Ne këshillojmë organet e vetingut për çështjet ligjore dhe hetimore.

Nga cilat vende janë këshilltarët e tjerë ndërkombëtarë?

John Leonardo: Dy janë nga Holanda, një nga Italia, Belgjika, Kroacia, Suedia dhe Bullgaria.

Si e keni zgjidhur problemin e gjuhës, pasi ju nuk flisni shqip?

John Leonardo: Kemi një staf përkthyesish. Gjuha zyrtare e këtij procesi është shqipja dhe anglishtja. Fatmirësisht për mua, unë jam i vetmi që anglishtja është gjuha e shtetit tim. Kështu që rishikoj dokumentet zyrtare përpara se të publikohen apo përdoren.

Sa do të zgjasë akoma ky proces?

John Leonardo: Dëgjesat e para me prokurorë dhe gjyqtarë pritet të bëhen në fund të Shkurtit. Supozohet se i gjithë ky proces do të zgjasë 4-5 vjet. Është e vështirë të imagjinohet se si do të jetë kur të fillojnë dëgjesat, pasi do të jetë shumë proces intensiv. Dhomat e dëgjimit janë shumë të vogla, të përshtatura për gjashtë ose shtatë persona.

Çfarë problemesh po shikoni deri tani?

John Leonardo: Nga ajo që shikojmë përgjithësisht në hetimet tona janë gjyqtarët që marrin ryshfet për të hequr akuzat ndaj të tjerëve, lirojnë ta pandehurit që duhet të ekstradohen, shikojmë gjyqtarë që kanë pasuri 5 apo 6 herë më të madhe se sa rroga që fitojnë. Gjyqtarët në këtë vend për 10 vitet e fundit apo më shumë kanë bërë deklarata pasurie të aseteve të tyre, por ne shikojmë se ata pretendojnë që jetojnë në vende modeste, kur në fakt jetojnë vende shumë më luksoze.

Ju kanë mbështetur në punën tuaj?

John Leonardo: Ambasadori amerikan këtu është një përkrahës i madh i këtij procesi. Shqiptarët kanë shumë lidhje me ne dhe besojnë tek ne. Ambasadori Donald Lu tha gjatë një takimi me gjyqtarët që nëse ata kanë në dorë një orë më të shtrenjtë se sa një makinë normale, ndoshta ata nuk do të jenë në detyrë vitin tjetër.

Burimi/ tucson.com