Prof. Dr. Nasho Jorgaqi tregon për rolin e Fan Nolit nё marrёdhёniet shqiptaro-amerikane

Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane kanë prehistorinë dhe historinë e tyre, në të cilat një rol parësor padyshim ka luajtur Fan Noli. Në këtë rol e kanë zanafillën përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës për të hedhur që herët urën e njohjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes vendit të tyre të vogël dhe njërës prej fuqive më të mëdha të botës. Në qoftë se pranojmë se Federata “Vatra” në vitet 1915-1920 u bë si të thuash një qeveri e shqiptarëve në mërgim, atëherë nuk mund të lëmë në harresë tërë atë veprimtari të dendur e të frytshme që ajo zhvilloi për t’u hapur rrugën marrëdhënieve diplomatike të mëvonshme. Puna e përkushtuar e Nolit në udhëheqje të saj i shërbeu jo vetëm afrimitetit dhe konsolidimit të pozitës së komunitetit shqiptar në SHBA, por dhe rolit aktiv që ajo duhet të luante në një akt historik të pritur, siç ishte vendosja  e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Në këtë drejtim Noli bëri një punë të madhe, gati të pazëvendësueshme, nga një anë, për njohjen dhe propagandimin e Shqipërisë dhe të vlerave të saj etno-historike para opinionit amerikan dhe, nga ana tjetër, për legjitimitetin e të drejtave të popullit të tij në qarqet zyrtare amerikane. Prapa kësaj prehistorie qëndron një veprimtari e gjithanshme me synime të qarta politike e me një strategji patriotike, me vështirësi të jashtëzakonshme, po të marrim parasysh terrenin e një vendi të madh multinacional dhe në një kohë kur, siç thotë F. Konica, “fati i Shqipërisë ishte në balancë”.

Përpjekjet e “Vatrës” me në krye F. Nolin për të mbjellë farën e bashkëpunimit e kanë fillesën menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në 1913 ishte puna e Nolit me shokë që siguroi mbështetjen e një personaliteti si Ç. Krane, i cili do të ndikonte në Konferencën e ambasadorëve të Londrës me anë të E. Greit për një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare. Më pas, më 21 gusht 1915, ishte Noli ai që hodhi hapin e parë zyrtar, duke i drejtuar Sekretarit të Departamentit të Shtetit R. Lansing një telegram, me anën e të cilit denonconte traktatin e fshehtë të Londrës dhe kërkonte nga Presidenti Uillson “të parandalonte ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha”. Brenda një kohe të shkurtër u arrit që të krijohet Komiteti i miqve të Shqipërisë me figura të njohura filoshqiptare, si Ç. Krane, S. Uilliams, R. Uds, T. Erikson etj. Puna e këtij komiteti bëri që t’i çelet rruga vargut të kontributeve që ata do të jepnin për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, nga të cilat mund të përmendim hapjen e konsullatës së parë shqiptare në SHBA.

Prof. Dr. Nasho Jorgaqi

Në vitet 1917-1918, që mbahen mend dhe si kohë e artë e “Vatrës”, Noli, si kryetar i saj, zhvilloi një veprimtari të dendur politike, me peshë disa herë vendimtare. Krahas një takimi zyrtar në Departamentin e Shtetit, ai arrin të bisedojë personalisht me ish presidentin e SHBA, T. Ruzvelt dhe të marrë prej tij mesazhin se “Shqiptarët i dua dhe i admiroj se janë një racë e vjetër dhe trima dhe se independenca e Shqipërisë duhet restauruar dhe garantuar nga fuqitë aleate.” Pas një viti, më 4 korrik 1918, Noli, duke përfituar nga pjesëmarrja si delegat në Kongresin e Kombeve të Shtypura në Uashington, takohet dhe bisedon me presidentin e atëhershëm të SHBA Uillsonin. Kanë mbetur të skalitura në kujtesën shqiptaro-amerikane fjalët gjeneroze të burrështetit idealist që i shqiptoi ai Nolit: “Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Versajë dhe këtë zë do ta përdor në interes të Shqipërisë.” Në këto fjalë historike zë fill ai qëndrim dashamirës i politikës amerikane ndaj Shqipërisë dhe jo më kot mendimi i ri historiografik shqiptar e cilëson atë si gur themeli të politikës së SHBA ndaj vendit tonë. Akti i parë i këtij miku të madh të shqiptarëve është denoncimi i traktatit famëkeq të Londrës, për t’u pasuar me përkrahjen që i dha Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Versajës.

Aksionet politike e kulturore që Noli ndërmori në vitet 1917-1918 janë të gjithanshme dhe nga më të ndryshmet, të papraktikuara deri atëherë në atë shkallë nga qarqet shqiptare për të njohur e propaganduar kauzën e atdheut të tyre në Amerikë. Kanë hyrë në analet e historisë së bashkësisë shqiptare konferencat e tij përpara auditorëve amerikane, duke filluar nga Universiteti i Harvardit, nëpër klube e shoqata, e deri nëpër kisha të sekteve të ndryshme. Janë këto mbledhje që bëhen shkas që të shtohen radhët e shoqatës “Miqt’ e Pavarësisë së Shqipërisë” me dhjetëra anëtarë të rinj. Noli shkon e flet dhe në Kemp Deivis para ushtarëve amerikanë me origjinë shqiptare që stërviteshin për luftë. “Shqipëria, – u drejtohet ai bashkëkombësve të tij, – i është borxhli Amerikës. Borxhin do ta shlyejmë vetëm duke luftuar në front për fitoren. Është një shans për t’ia shpërblyer”.

Shtypi amerikan u bë tribunë dhe mjet i efektshëm i Nolit për të ndriçuar të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Janë me dhjetëra artikujt që ai boton në gazetat e njohura, si “Nju Jork Herald”, “Nju Jork Taims” apo “Boston Herald”, “Boston Glob” etj. Por për Nolin dhe shokët e tij nuk mjafton vetëm kjo. Nga shtatori i 1918, ai fillon botimin dygjuhësh të revistës “The Adriatic Review” me qëllim që, siç del nga kryeartikulli i parë, “të bëjë të njohur çështjen tonë para amerikanëve, për miliona njerëz” dhe të tërheqë në këtë kauzë bashkëpunimin e intelektualëve amerikanë. Në faqet e kësaj reviste, Noli realizon një nga dëshirat e tij krijuese, duke përkthyer në shqip faqe nga më të bukurat të poezisë amerikane. Përkthen jo vetëm vjersha të E. Poes, po edhe poemën “Skënderbeu” të Longfellout, që zgjon krenarinë e shqiptarëve.

Me rimëkëmbjen e shtetit shqiptar në vitet 20 është përsëri F. Noli, i dërguar i “Vatrës”, ai që kryeson delegacionin shqiptar dhe falë aftësisë dhe meritave të tij Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve. Hyrja e saj në këtë forum të lartë ndërkombëtar krijoi premisat dhe bazën ligjore për njohjen zyrtare të Shqipërisë, në fillim nga Fuqitë e Mëdha evropiane dhe pastaj nga SHBA. Dhe është një koincidencë fatlume që përsëri do t’i takojë nderi Nolit që, duke qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, të nënshkruajë në janar të vitit 1922 notën zyrtare të qeverisë shqiptare që kërkon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në ngjarjet që erdhën më vonë, ku Noli u bë i njohur si një nga protagonistët e tyre, mund të përmendim dy momente që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në shkurt të vitit 1924 vdiq, siç dihet, presidenti i Amerikës Uillsoni dhe me këtë rast Noli mbajti para parlamentit shqiptar një fjalim panegjirik, nga më të fuqishmit e oratorisë së tij. Ai e quan Uillsonin “amerikani i madh, idealist bujar, diell i vegjëlisë, mbrojtës i Shqipërisë” dhe kjo i jep shkas të shpallë të vërtetën e pakundërshtueshme se Amerika u bë për shqiptarët fushë pune, se një e katërta e Shqipërisë së jugut ushqeheshin me kurbetin e Amerikës, po dhe shkollë, ku mësuan të respektojnë ligjet, disiplinën, vlerën e organizimit, detyrat ndaj atdheut. Ishte mirënjohje ndaj këtij vendi bujar, por dhe nderimi i thellë për gjithçka sa kish bërë presidenti Uillson për Shqipërinë që, me propozimin e Vatrës, qeveria e kryesuar prej Nolit, më 21 gusht 1924, i dha portit të Shëngjinit emrin e tij.

Koha e qeverisjes së Nolit pas Revolucionit të Qershorit, nga sa dëshmojnë dokumentet, nuk u pa me sy të keq nga shteti amerikan, sidomos në fillimet  veta, por më vonë, kur erdhi puna për ta njohur zyrtarisht, nuk e hodhi këtë hap. Kjo ndodhi si për shkak të ndikimit negativ të Anglisë dhe të politikës izolacioniste që ndiqte SHBA asaj kohe, ashtu dhe për radikalizmin e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të vetë Nolit. Pra, ishin, siç pohon historiani A. Puto, më shumë shkaqe politike se sa juridike. Megjithatë, Noli do t’i qëndrojë besnik atdheut të tij të dytë dhe gjithë sa ndodhën në jetën e tij të trazuar deri në fillim të viteve 30 nuk do ta lëkundin pozitën e shqiptaro-amerikanit të madh.

Pas largimit disa vjeçar nga jeta politike, Noli u shfaq rishtazi në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe përsëri në krye të “Vatrës” për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në arenën e politikës amerikane. Në këto vite ai mban lidhje ose bashkëpunon me Departamentin e Shtetit, me Zyrën Informative të Luftës (OWI – Office of War Information), me Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS – Office of Strategic Services), me radion “Zëri i Amerikës” etj. Gjithë përkushtimi i Nolit në rrethanat e luftës botërore e të rreziqeve të mëdha ishte të siguronte njohjen e ekzistencës politike të Shqipërisë, pavarësinë dhe integritetin e saj të pasluftës.

Duke jetuar në një nga metropolet e mëdha të politikës botërore, ai do të qëndronte gjithnjë syçelët dhe do të ndërmerrte me guxim e vendosmëri aksione të ndryshme politike. Që në mesin e vitit 1942 i dërgon qeverisë amerikane një memorandum për të njohur rezistencën antifashiste të popullit shqiptar, siç përshëndet e falënderon  nga fundi i këtij viti deklaratën e Sekretarit të Departamentit të Shtetit C. Hull për një Shqipëri të pavarur pas fitores mbi fashizmin. Nga ana tjetër, Noli, gjatë viteve të luftës, ndjek taktikën e bashkimit të shqiptarëve të Amerikës nën flamurin e interesave kombëtare dhe ndërmerr hapa konkrete duke mbështetur idenë e krijimit të një qeverie shqiptare në mërgim, qoftë dhe nën drejtimin e Zogut. Liberalin vizionar demokrat nuk e pengoi republikanizmi i tij që të përkrahte monarkun Zog, për deri sa në këtë kohë luhej fati i Shqipërisë. Kjo ishte çështja kryesore në raportet e tij me Departamentin e Shtetit dhe organizmat e tjera qeveritare dhe joqeveritare në vitet 1941-1945. Noli u përpoq që të njihet nga SHBA një qeveri shqiptare në mërgim, por qeveria amerikane deri në fund nuk e miratoi, sepse ajo i njihte e i çmonte forcat e vërteta që luftonin brenda në Shqipëri. Gjithsesi një gjë e tillë nuk e zmbrapsi udhëheqësin e shqiptarëve të Amerikës që ta mbante ngritur problemin shqiptar në qarqet zyrtare të vendit. Kjo do të zgjasë deri në qershor të viti 1944, kur Noli do të vihet në dijeni realisht nga Departamenti i Shtetit për gjendjen në Shqipëri. Pas kësaj ai do të ndahet përfundimisht nga Zogu dhe do të unifikojë qëndrimin e tij me politikën zyrtare të SHBA. Në nëntor 1944 Noli i drejton një telegram Presidentit Ruzvelt, me anë të të cilit i kërkon angazhimin e shtetit amerikan për pranimin e Shqipërisë në OKB. “Presidenti Ruzvelt, – do t’i përgjigjej Nolit sekretari i tij Uilliam Hasset, – është prekur shumë nga mesazhi juaj dhe është posaçërisht mirënjohës për dëshirat tuaja fisnike.”

Në vitet e para të pasluftës, Noli u vu në ballë të përpjekjeve për rivendosjen dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Në këtë kohë u shfaqën probleme të ndërlikuara dhe mjaft delikate, zgjidhja e drejtë e të cilave lypte dhe urtësinë, përvojën dhe diplomacinë e Nolit. Aq e vërtetë është kjo sa Noli u gjend mes dy zjarreve: të kushteve të Departamentit të Shtetit dhe qëndrimit të ngurtë të qeverisë së Tiranës. Ishte fjala që njohja dhe normalizimi i marrëdhënieve  diplomatike nga SHBA të mos kondicionohej nga vendimi i Kongresit të Përmetit, sipas të cilit nuk njiheshin traktatet dhe marrëveshjet e qeverive të mëparshme. Noli që në fillim, duke e vështruar më larg e më thellë problemin, u kërkon qeveritarëve të Tiranës që “të pranohen menjëherë traktatet në fjalë” dhe për këtë sjell si shembull rastin e Jugosllavisë, që ka bërë të njëjtën gjë. Siç del nga korrespondenca me Enver Hoxhën dhe nga ditari i bashkëpunëtorit të tij Q. Panariti, Noli në këtë kohë ka zhvilluar takime të shumta dhe të vështira zyrtare të të gjitha rangjeve në Uashington dhe në Nju Jork. Ndërkaq, problemi ndërlikohet e rëndohet jo vetëm për shkak të kushteve që vënë palët e ndërsjella, por dhe  nga përndjekja që pëson misioni amerikan në Shqipëri. Mendja realiste dhe përvoja politike e Nolit këshillonin tolerancë e modesti ndaj këmbënguljes së paarsyeshme dhe ideologjizimit të çështjes nga Tirana zyrtare.

Në verë të vitit 1946, kur në SHBA shkoi një delegacion i kryesuar nga Tuk Jakova, Noli e shoqëroi atë deri në Departamentin e Shtetit, e mbështeti dhe e ndihmoi pa rezerva. Por për fat të keq delegacioni nuk diti të përfitojë nga ndihma e tij e kualifikuar. Noli mbeti shumë i pakënaqur nga misioni i dështuar i delegacionit, aq sa përjetoi një dramë të vërtetë shpirtërore. “U lodha, – shkruante në një letër dërguar Enver Hoxhës, – duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo është çështje formale pa rëndësi praktike.” Ishte e qartë se nga abrogimi i këtyre traktateve do t’i hapej rruga jo vetëm rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, po dhe pranimit të Shqipërisë në OKB, ndihmave të UNRRAS, të Kryqit të Kuq amerikan etj. Por fjala e tij nuk u dëgjua. Historia tregoi si ai kishte të drejtë dhe këshillat e tij qenë plotësisht me vend.

Ndërkaq, në këtë kohë doli në rend të ditës rreziku i pretendimeve greke për aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Kësaj here problemi i këtyre rivendikimeve absurde nuk kish vetëm përkrahjen e Anglisë qysh gjatë luftës, por dhe të disa qarqeve të caktuara në SHBA. Në shkurt 1946 senatorët Claud Peper, Sallonstall e Uells paraqitën në Komisionin e punëve të jashtme të Senatit Amerikan një rezolutë në mbështetje të pretendimeve greke. Noli, që e kishte merakun më të madh ruajtjen e integritetit tokësor të Shqipërisë, do të ngrinte “Vatrën” në këmbë dhe do të ndërmerrte veprime energjike. Jo vetëm shkoi në Uashington dhe bisedoi me senatorin Peper, i cili bëhej interpret i interesave të lobit grek të Floridës e të shoqërisë epirotase AHEPA, por ndërhyri deri në Departamentin e Shtetit dhe sensibilizoi e qartësoi opinionin amerikan për legjitimitetin e të drejtave të shqiptarëve mbi tokat e tyre. Në këtë kuadër, Noli boton në gazetën “Nju Jork Herald Tribun” artikullin e gjatë “Shqipëria nga viti 1939”, ku do ta shpaloste dhe kësaj here besimin e thellë që kish te Amerika si vend i demokracisë, te autoriteti i saj i palëkundur si një fuqi e madhe, por dhe për faktin se ajo nuk kish interesa politike si Anglia (të cilën Noli e quante imperialiste) dhe çmonte komunitetin shqiptar si një urë miqësie mes dy vendeve. Falë këtyre përpjekjeve u bë e mundur të shmanget rreziku. Qeveria amerikane nuk e miratoi dhe s’kish si ta miratonte një dokument që binte në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar.

Për herë të fundit, në marrëdhëniet zyrtare shqiptaro-amerikane, Noli shfaqet në shkurt të vitit 1955, kur Presidenti i atëhershëm i SHBA, D. Ajzenhauer, desh të ndihmojë popullin shqiptar me anë të Lidhjes së Shoqatave të Kryqit të Kuq, duke dërguar nja sasi gruri. Kjo ishte, siç shkruante presidenti Ajzenhauer në telegramin e tij, “një shprehje e miqësisë së vjetër që ekziston mes popullit të SHBA dhe popullit shqiptar.” Qeveria shqiptare jo vetëm e refuzoi në mënyrë kategorike, por bëri dhe një zhurmë të madhe propagandistike. Noli pati kurajën të ngrihet në mbrojtje të gjestit fisnik të qeverisë amerikane. Në telegramin dërguar kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu ai, duke shprehur keqardhjen e thellë për refuzimin e qeverisë shqiptare që u bën ndihmave të qeverisë amerikane, pohon se “kjo dhuratë ka kuptimin e plotë të një gjesti të vullnetit të mirë, si një dëshirë serioze për të përmirësuar marrëdhëniet midis SHBA dhe Shqipërisë dhe si një hap jo pak i rëndësishëm drejt vendosjes së paqes në Ballkan.” Ai i kërkon që të pranohet oferta amerikane, sepse “hedhja poshtë do të përdoret nga armiqtë e Shqipërisë.” Noli dhe kësaj here do të tregohet kurajoz e vizionar, por, ç’është më e rëndësishme, mbrojtës i palëkundur e konsekuent i miqësisë mes dy vendeve tona.

S’ka dyshim se Noli është figura qendrore e bashkësisë shqiptare të Amerikës, shtylla e saj. Duke qenë i tillë, ai është njohur dhe çmuar jo vetëm nga qarqet intelektuale e klerikale, por dhe nga ato zyrtare, si përfaqësuesi më i shquar i shqiptaro-amerikanëve. Prandaj nuk duhet të na habisë fakti që në qershor 1964, me rastin e 400 vjetorit të lindjes së Shekspirit, ai u ftua në Shtëpinë e Bardhë, mes shekspirologëve më të shquar, nga Presidenti L. Xhonson. Në ceremoninë presidenciale, Noli shqiptoi si klerik një lutje fetare “për këtë vend të madh … që po e udhëheq njerëzimin drejt një të ardhme më të mirë dhe paqes universale, drejtësisë, lirisë dhe demokracisë”, por Noli përkthyes i Shekspirit evokoi me këtë rast dhe kujtimet e veta për dramaturgun gjenial.

Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që Fan Noli ngjiste shkallët e Shtëpisë së Bardhë, por nuk ishte hera e parë që ai takonte presidentë të SHBA. Ai ishte takuar ose kish pasur lidhje me T. Ruzveltin, U. Uillsonin, F. Ruzveltin, H. Trumanin, D. Ajzenhauerin e Xh. Kenedin. Një fakt i tillë, me domethënie sa historike aq edhe emocionale, është tregues i rrugës nëpër të cilën kanë ecur marrëdhëniet shqiptare amerikane, ku Fan Noli ka luajtur një rol parësor.

Dita

http://www.gazetadita.al/fan-noli-n%d1%91-marr%d1%91dh%d1%91niet-shqiptaro-amerikane/