Prof. Afrim Hoti: Ibrahim Rugova shembull e frymëzim për politikën e Kosovës

Dr. Ibrahim Rugova, në 14-të vjetorin e kalimit në amshim, Presidenti që shkriu jetën për vlerat demokratike, mbrojti qëndresën qytetare, kultivoi paqen, vuri themelet e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, bashkëbisedues dhe mik i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan.

R.SH. – Vatikan

Sot bie 14-të vjetori i vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Pra, si sot, me 21 janar 2006, Kosova dhe shqiptarët përjetuan me hidhërim vdekjen e parakohshme të liderit e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Ai qe prijës i vlerave demokratike, i qëndresës qytetare, misionar i paqes, vizionar e arkitekt i pavarësisë së Shtetit të Kosovës, mik e bashkëbisedues i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan.

Ibrahim Rugova pati një frymëzimi të veçantë në jetën personale, në fushën e veprimtarisë kulturore, më vonë në atë politike e shoqërore. Zoti e populli i tij qe gurra nga e cila nxirrte dhe kultivonte vlerat njerëzore e kombëtare, kulturore e shpirtërore, politike e shoqërore, duke qëndruar heroikisht para së keqes, duke ndjekur palëkundje rrugën e paqes e të lirisë, duke punuar e kërkuar pareshtur Pavarësinë e vendit.

Dr. Ibrahim Rugove, diti si askush tjetër, të paraqes gjendjen e rëndë të të drejtave njerëzore që shkeleshin haptazi ndaj popullit në Kosovë, duke e ndërkombëtarizuar çështjen e qytetarëve të vendit, duke ngritur  zërin e butë e të vendosur për respektimin e dinjitetit të çdo njeriu dhe të një populli të tërë. I frymëzuar nga personalitete të mëdha të së kaluarës e të kohës, si ipeshkvi i madh shqiptar, imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, V. Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe  Shёn Nënë Tereza – Ganxhe Bojaxhiu, dr. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.

Ja fjalët e Presidentit Ibrahim Rugova, në njërën nga intervistat që realizuam me të më 1999, mbi figurën e kryeipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdani dhe mbi personalitetin e Shenjtës shqiptare Nënë Terezën.  Presidenti Rugova rrëfen se pati një takim të vetëm me Nënë Terezën, në vitin 1995 në aeroportin e Romës, dhe kujton mbresat e pashlyeshme nga biseda prekëse me bijën, motrën e Nënën e popullit shqiptar, Ganxhe Bojaxhiun.

Mbi figurën, trashëgiminë kombëtare, politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe aktualitetin e vizionit të tij për Kosovës sot,  ta dëgjojmë mendimin e ProfAsoc. DrAfrim Hoti, Profesor pranë Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofisë.