Procesi i kanonizimit të disa martirëve si edhe dy fjalë për Patër Anton Harapin, Martirin e Madh të harruar

Sapo e lexova nismën e Kishës Katolike Shqiptare lidhur me fillimin e procesit kishtar për kanonizimin e disa prej martirëve kishtarë si edhe laikë, një gëzim tejet i madh ma pushtoi zemrën time. Kjo qe domosdo ndjenja e parë, ajo e menjëherëshmja. Por shpejtë ajo ia la vëndin një ndjenje të dytë, tejet e fuqishme edhe kjo, por shumë shumë më tronditëse. Tek fillova të lexoj emrat e atyre martirëve, si pakuptuar u fshinë nga kujtesa ime 55 vite jete të cilët, kush më pak e kush më thellë, i kanë lënë gjurmët e tyre në vetëdijen time dhe rrëmbyeshëm mu shfaqën para syve egërsija e viteve të para të marrjes së pushtetit nga ana e partisë komuniste që mes dhune e gjaku e filloi t’ashtuquajturin marshim fitimtar duke prer’e kositur jetë intelektualësh nga më të shquarit si edhe patriotësh nga më të përkushtuarit, djathtas edhe majtas ! Edhe sot mëndja ime shikon nëpërmjet flakësh si të ferrit ecjen e kollonës së të burgosurve nga konvikti – burg për në kinema Rozafat ku do të zhvillohej gjygji. At Gjon Shllaku, At Daniel Dajani si edhe At Gjon Fausti, të lidhur me pranga i prinin kollonës së fatzinjëve. Mbas tyre seminaristi Mark Çuni me shokë si edhe Qerim Sadiku. Dy anëve të rrugës e intoksikuar dhe n’ekstazë rinia komuniste ulërinte hakmarrje, hakmarrje ! E ky kor t’ekzaltuarish, i mbështetur edhe më fuqishëm akoma nga kategoria e servilëve, (shum fytyra dhe emra të cilësh jo vetëm që i mbaj mënd qartë edhe sot por edhe dij se si u katandisën më vonë gjatë viteve), e përcillnin atë kortezh për tek salla ku i priste ajo pjell’e mbrapsht’e natyrës që më të përçudnuar ajo s’kish se si ta kish rravijëzuar, prokurori Aranit Çela ! Sa e skajëshme diferenca ndërmjet gjykatësve dhe të gjykuarve. Prokurori-bishë ulërinte për gjak mbi t’ashtuquaj-tur fakte që as ekzistonin. Kryetari trupit gjykues Mustafa Iljazi vuloste dënimet me vdekje duke i lexuar me ngulç, rrokje pas rrokjesh, fjalët e tekstit leximi i të cilave për të dukeshin shkencë e madhe. Ndërsa At Gjon Fausti të cilin në seancën e nëntëmbëdhjetë e sollën për krahësh se shkatërruar e kishin në tortura, i drejtohet trupit gjykues në fjalën e fundit dhe u thotë :

“ Ju nuk do të ma besoni, se nuk arrini as ta kuptoni, por mbrëmë tërë natën i jam lutur Zotit për shpirtrat e juaj mëkatarë. Zoti ju faltë juve që nuk dini se ç’bëni “.

Dhe në analizë të fundit, kujt i shërbenin dhunuesit e kujt viktimat ? Të parët, të ndezur për gjak, të nxitur e për t’i shërbyer sa më besnikërisht jugosllavëve, padronëve të tyre ! Ndërsa të dytët, pa përjashtim, vdiqën me thirrjen : “Rroftë Krishti Mbret”.

Duke dalë në sipërfaqe aq rrëmbyeshëm nga thellësit’e vetëdijes sime ato kujtime thuajse të harruara, nuk më lanë të përqëndrohesha menjëherë në leximin e emrave një për një. E pikërisht tashti fillon edhe dhimbja e madhe tek unë. U dizintegrua vërtet më në fund ai sistem dhune, rrugën e zbatimit praktik të të cilit e dha ai manjaku mjekër cjap e sy mongoloid (Vladimir Iliçi), që siç e thosh vetë, se me premtimin e lirisë do ta tund botën. Dhe e tundi nga themelet një pjesë të saj. Për këtë nuk ka as më të voglin dyshim ! Por e trishtë është se edhe sot, kur të vërtetat duhet të dalin në dritën e diellit, ndikimi i së kaluarës diktatoriale vazhdon dhe e dhunon të vërtetën ! Fatkeqësisht ajo tundje themelesh akoma i lëshon hijet e saja që ta errësojnë historinë ! E kjo deri kur ? Deri kur do të vazhdojë e të kujtohet nëpër tekstet historike Patër Anton Harapi si kuizling ? Deri kur do të jenë në gjëndje kjo kategori tekstesh me ndikim të fortë mashtrues t’a ushtrojnë trysnínë e tyre aq ndjeshëm sa që Kisha Katolike të stepet që emrin e Patër Antonit ta verë në krye të listës së martirëve të kishës për t’u kanonizuar ?

Unë nuk e ngre zërin tim i prirur nga paragjykim fetar, përkundrazi. Formacioni im besimtar është musliman. Unë do të doja që Kisha Katolike një herë e për gjithmonë ta shtronte haptas problemin e gjykimit të figurave si e Patër Anton Harapit në bazë faktesh edhe dokumentash. Nuk kam asnjë pretendim t’a marr në mbrojtje Patër Antonin. Ai nuk ka nevojë t’a mbrojë njeri. E vetmja gjë që Ai ka nevojë është të nxirren në dritën e diellit dokumentat, faktet, të vërtetat. Ngelën duke e gjykuar Patër Antonin se ka dalë në një fotografi duke pritur në takim gjeneralin gjerman Fitstum. E pastaj ? Kjo fotografi vërtetoka tradhëtin’e tij ? Po teksti se ç’i ka thënë atij gjeneralit në atë takim Patër Antoni, pse nuk shkruhet ? Ai qe takimi ku Patër Antoni i kujtoi gjeneralit Fitstum se marrëveshja me Reichun ishte që trupat gjermane do t’a kishin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa i cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet e brëndëshme shqiptare ! Vetëm tridhjetë fjalë janë këto. Për gjysëm shekulli rrjesht këto tridhjetë fjalë kurrë nuk u zunë në gojë. Por këto tridhjetë fjalë sanksjonuan, veç të tjerave, paprekshmërinë e qytetarëve izraelitë në territorin shqiptar ! Vetëm në Shqipëri edhe në Danimarkë, falë këmbënguljes së Këshillit të Lartë të Regjencës Shqiptare dhe Mbretërisë së Danimarkës, u vendos kjo marrëveshje midis Gjermanisë dhe këtyre dy shteteve sovrane. E ne mburremi si komb, dhe me plot të drejtë, për fatin e izraelitëve në Shqipëri ku asnjë prej tyre nuk u cënua. Por një pjesë të kësaj merite e ka edhe Patër Anton Harapi, si pjestar i Regjencës, së bashku me tre kolegët e tjerë anëtarë të saj.

Përgjatë kësaj hullie dua të ndalem edhe në një detaj kuptimplotë. Drejtoresha e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave, zonja Ana Lalaj, në një intervistë të sajën dhënë gazetës Illyria në New York, njoftonte se po punohej për tu botuar historia e vërtetë e Shqipërisë, e ripunuar sipas fakteve të reja si edhe dokumentave të zbuluara së fundi. Me atë rast ajo sillte si shëmbull figurën e të ndjerit, ish anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës Lef Nosit, për të cilin shprehej se … vërtet ai kish qenë bashkëpunëtor me okupatorin, por figura e tij do të vlerësohej edhe mbështetur në disa fakte të reja të zbuluara që vërtetojnë se ai kish edhe merita … ! Unë dua të ve në dukje dy gjëra. Së pari, se ato që drejtoresha quan fakte të reja, nuk janë aspak të tilla. Ato janë fakte e dokumenta që mbase kanë qenë bashkëshoqëruese të Lef Nosit si edhe Patër Anton Harapit me shokë përgjatë veprimtarisë së tyre e madje edhe të keqruajtura. Ato mund të jenë dokumentat që mbetën kur Fadil Kapisyzrat, Nesti Kopalrat e Thoma Karamellot me shokë shkatërronin arkivat e i hidhnin në erë ato e kur u thuhej … mosni se ato janë dokumenta me vlera të pallogaritëshme historike, ata thonin me mburrje … historinë do ta shkruajmë vetë tani e tutje …!

Po ato dokumenta si edhe një morí të tjerash kanë qenë të sistemuara në arkivat tona, e ato tanimë janë zverdhur nga koha. Zonja Lala i quan dokumenta të reja. Ato zonjë e nderuar nuk janë hiç të reja. Por ato dokumenta pedagogët e juaj konformistë nuk ju kanë lënë t’i lexonit kurrë. Ato kanë qenë fond i ndaluar. Këtë pranoje, zonja Lala. Edhe vetë fakti se ju nuk i keni parë kurrë ato më parë e ju duken fakte të reja, flet për mangësí tuajën e jo për fajësí të personave që u dënuan padrejtësisht atëherë e që edhe tashti moralisht vazhdojnë e dënohen nga ju !

Nga ana tjetër, ndërmjet historianëve që zinte në gojë zonja Lala, ka nga ata që e shkruan historinë e Shqipërisë sipas mësimeve edhe udhëzimeve të ish Institutit të Marksizëm – Leninizmit. Ndonjeri mund të jetë po ai që i doli dëshmitar akuze Lef Nosit dhe e ëma e diskreditoi në sy të trupit gjykues si bukëshkelës dhe gënjeshtar. E ndonjë i ri, që si emër mban aliteracionin e emrave të Marksit, Engelsit edhe Leninit, (ndonëse ai vetë nuk mbart faj për emrin që ka), nuk ka të ngjarë t’i studjojë dokumentat historike, i mëkuar nga prindët që i vunë emrin, me syrin e studjuesit të ftohtë dhe me drejtësí të paanëshme.

Në këtë kontekst, jam skajshmërisht i dëshpruar që kjo trysní psikologjike, vazhdë e politikës mashtruese të diktaturës, arrin e ndikon edhe në Kryesinë e Kishës Katolike Shqiptare e cila, për hir të mosndeshjes, stepet dhe pranon t’a sakrifikojë ndonjë kokë të shquar martiri të madh veç mos të bëhet zhurmë ! Jo të nderuar klerikë, kjo nuk është e drejtë. Unë e kuptoj fare mirë pozitën tuaj. Ju jeni mes dy zjarresh. Por kijeni parasysh se as diplomacija e Selisë së Shënjtë e as opinioni komunist nuk janë asgjë para zjarreve me të cilët u ndeshën Patër Anton Harapi me shokë dhe të vetëdijshëm për atë që bënin, zgjodhën vetëflijimin e tyre ! Selia e Shënjtë është po ajo që ka qenë edhe në vitin 1944. Njerëzit drejtues të saj janë ndërruar, por principet që ata mbrojnë presupozohet të jenë të njajta ! Ajo Selí ishte që ndaj Padre Pios mbajti qëndrim nga më të rreptit duke i ndaluar Atij meshën publike si edhe rrëfimin. E tashti, po ajo Selí, po e shënjtëron Padre Pion ! Dhe shumë mirë bën që më në fund e nxori në dritë të vërtetën ndaj Tij ! E pra kësaj Selie i duhet thënë se Patër Anton Harapi nuk e pranoi detyrën e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës pa lejen e Selisë Shënjtë. Kur asaj iu shpjegua se si anëtarët potencialë të Këshillit të Lartë të Regjencës e kishin vendosur që Gjermanisë ti vinin disa kushte të forta pro-kombëtare, atëhere Ajo u konformua me situatën dhe e lejoi Patër Antonin të flijohej, (siç e konsideronte Ai vetë), dhe vetëm kur erdhi miratimi zyrtar me nënëshkrimin e Papës nga Vatikani, pasuesi i bindur dhe i përvuajtur i Shën Françeskut, mbajti atë fjalim vërtet shëmbullor dhe udhërrëfyes prej të cilit sa për ta rikujtuar lexuesin po transkriboj ndonjë kalim nga më kuptimplotët :

“ E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkijet … nuk dojshem të krijohej nji Babiloní shqyptare me luftë vllavrasëse qi të zhgatrrote katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet … ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypní … Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’ême e të ruejshem prestigjin personal në vênd qi t’a rrezikojshem jetën t’ême për çashtjen e përbashkët ? Le të ndollë ajo qi ka me ndollë, thashë me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnija ! … E fillueme me nji poezi e po e përfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujtdo … e vetmja gjâ m’u bâmun âsht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë fajtorët të mos bâjnë mâ dame … Nuk duhet të egzistojnë filogjerman, anglofila apo italianofila. Duhet të jena veç shqyptarë …”

Këto duhet t’ia paraqesë Selisë Shënjtë Kisha Katolike Shqiptare sot e t’i thotë se diktatura e vrau Patër Antonin me akuzën si bashkëpunëtor i okupatorit, se ishte mënyra më e thjeshtë që armiqve tanë shekullorë jugosllavë t’u servirej koka e Tij në tabaká. Dhe është më se e qartë se po të mos vritej Patër Antoni si kolaboracionist, atëhere do t’ish vrarë si Provinciali i Shkodrës që kishte qenë, me At Gjon Shllakun e At Gjon Faustin me shokë. Nuk kishte rrugë tjetër, motra jonë e madhe Jugosllavija titiste i kërkonte ata kurbanë !

Nga ana tjetër Selia e Shënjtë duhet ta mësojë edhe dëshminë e kryetarit të skuadrës së pushkatimit të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Regjencës, ish partizanit Pjetër Sinishta, i cili ua ka pohuar shumë vetëve, ndërmjet të cilëve edhe Dom Prenk Ndrevashajt se :

I rreshtuem Patër Anton Harapin, Lef Nosin edhe Maliq Bushatin para gropave të çiluna mâ parë dhe gjuejtëm n’ta me breshní. Rane të tre. Shkova me u dhânë edhe ka nji plum kresë, veç kur gropa ku duhej të kishte rá Patër Antoni u mlue prej nji rêje të dêndun qi shtrihej prej gropet e nalt. N’at fillim nuk i dhashë rândësí e shkova u rashë kresë dy të tjerëve e kur u ktheva mandej kah gropa e Patër Antonit, pashë se rêja vazhdote e mbante pështjellë e s’lênte m’e pamun. U deshtne disa minuta derisa u zhdavarit rêja e veç njatherë e kreva detyrën partizane.

Ta dijë edhe këtë dëshmí Selia e Shënjtë, e ta katalogojë ku të mendojë se i takon, por ta mësojë edhe këtë.

E tashti që u erdhi fundi edhe këtyre radhëve, do të rikthehem edhe një herë tek ai vit i largët 1946, tek ai shkurt gjithë shi e murlan i Shkodrës, e do të kujtoj fjalët e Provincialit i cili përkohësisht e zëvëndësoi Patër Antonin në postin e tij e pastaj e ndoqi edhe në dënimin kapital që i dhanë. Nuk kam se si të mos ia kujtoj lexuesit se si e vlerësoi At Matí Prendushi dënimin e At Gjon Shllakut me shokë: Të lumtë o serbian se sot ia dole me ia paraqitë të tânë botës se shqyptari, me bisht ose pa bisht, âsht nji egërsínë e vërtetë !

Mërgim Korça