Princ Vidi, ai që nuk abdikoi kurrë, por edhe kurrë më nuk u kthye në Mbretërinë që la pas

Nga Armand Plaka

Ai nuk abdikoi kurrë, por edhe kurrë më nuk u kthye në Mbretërinë që la pas. Në fakt, s’ishte i vetmi. Edhe “pasardhësi” i tij me gjak të pastër shqiptar në fron, Zogu I, nuk abdikoi kurrë, e po kështu, kurrë më nuk arriti të shkelte dot në tokën që “mbretëroi” për më shumë se një dekadë. Të gjithë e dimë tashmë se ç’ka ndodhur në kohën e Princ Vidit; se si u përfshi ai në trazirat e një vendi enigmatik e të panjohur më parë për të, u detyrua ta lërë atë në një kohë zallamahie të vërtetë, sikurse e përshkruan edhe Kadare te “Viti i mbrapshtë”.

Një raport në gjermanisht, i cili u referohet disa përmbledhjeve origjinale, e deri diku të panjohura për publikun e gjerë, na referon pika të rëndësishme të atmosferës së kohës dhe vlerësimeve rreth karakterit të atij që u mendua se do të ngrinte themelet e një mbretërie që do të duhej të formësohej e të funksiononte nën shembullin e mbretërive fqinje. Më kryesorja në të duket të jetë përmbledhja me shkrim dore e kujtimeve të vetë Princ Vidit në vitin 1917, personazhit kryesor të atyre ngjarjeve historike, me titull: “Kujtime për Shqipërinë” (Denkschrift über Albanien, Glogau-Berlin 1917). Po kështu, janë shfrytëzuar edhe kujtimet e famshme të një personazhi shumë të njohur të kohës, Ekrem Bej Vlorës.

Artikulli përshkruan vështirësitë që i është dashur të përballojë Princi gjerman, për të pranuar vendimin e Fuqive të Mëdha, por del në pah edhe karakteri e vendosmëria e tij, për ta çuar deri në fund misionin e qëllimin që i kishte vënë vetes, megjithë vështirësitë e shumta. Ky raport (artikull) është shpërndarë si një broshurë informative Nr. 1 nga rrethi i shoqatave kulturore shqiptaro-gjermane me rastin e koncertit të bamirësisë në ndihmë të fshatit të fëmijëve në Vlorë, më 2 korrik 1997, në kështjellën e Nojvidit (Neuwied) në Gjermani, pikërisht në një kohë të ngjashme me atë që Shqipëria përjetoi në vitin e mbrapshtë 1914.

*  *

“Bekimi” nën tingujt e Vagnerit

Më 21.2.1914, në një banket të madh, shoqëruar nga muzikë dhome me pjesë të Vagnerit e Çajkovskit, u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Princ Vidit. Një orë më parë, një delegacion prej 18 shqiptarësh, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princ Vidit kurorën e vendit të tyre. Princ Vidi e pranoi kurorën dhe u bë praktikisht Mbreti i Shqipërisë. Pas 180 ditësh, çdo gjë do të mbaronte. Por periudha kur ai u ngarkua të bënte një detyrë të tillë, korrespondoi me zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën në Ballkan.

Shqipëria mes përplasjeve ballkanike

Në shkurt të vitit 1912, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e Greqia u futën në luftë me Greqinë duke pretenduar pjesë të mëdha nga zotërimet turke, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ose pjesë të saj. Kjo përbënte fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Sherri pra, se kush do të shtinte më shumë territore në dorë, bëri që në vitin 1913 të shpërthente Lufta e Dytë Ballkanike dhe së bashku me të, të ravijëzoheshin më mirë synimet, pretendimet dhe aleancat. Bullgaria u vu kështu kundër Serbisë dhe Greqisë, ndërkohë që në krah kishte Turqinë e Rumaninë.

Kapiten Et’hem Bej Vlora si ushtarak në shërbim të Princ Vidit, maj 1914 (Marrë nga koleksioni fotografik i Misionit Ushtarakëve Holandez në Shqipëri, 1914)

Kapiten Et’hem Bej Vlora si ushtarak në shërbim të Princ Vidit, maj 1914 (Marrë nga koleksioni fotografik i Misionit Ushtarakëve Holandez në Shqipëri, 1914)

Serbia mbante të pushtuar Shqipërinë e Mesme, Mali i Zi pjesën veriore të vendit dhe Greqia, Jugun. Shqipëria në këtë mënyrë u nda në tre pjesë. Por tashmë në lojë hyri Austro-Hungaria, e cila ishte pro pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa Rusia dhe Serbia ishin kundër. Në një raport të vitit 1921 (113-4-10) renditen këto shifra për vitin 1919:  Shqipëria e atëhershme ka qenë me sipërfaqe pak a shumë të barabartë me Belgjikën e sotme dhe numëronte 1.2 milionë banorë, nga të cilët 700 mijë ishin muhamedanë të përqendruar kryesisht në Shqipërinë e Mesme, 300 mijë të krishterë ortodoksë në Jug të vendit dhe afro 200 mijë të tjerë katolikë romanë, në Veri. Pothuajse edhe gati një milion shqiptarë të tjerë jetonin të shpërndarë në shtetet e tjera ballkanike, më së shumti në Kosovë e Serbi.

Konferenca e Londrës

Lëvizja kombëtare shqiptare në fillim pati vetëm pak mbështetje, pasi shqiptarët prireshin nga ndasitë fetare, duke parapëlqyer në këtë drejtim që të mbeteshin nën Turqinë, pasi pjesa më e madhe e tyre ishin muhamedanë. Turqia filloi të mos i lejonte përpjekjet e tyre, që në më të shumtën e rasteve udhëhiqeshin megjithatë nga krerët lokalë me përkatësi myslimane. Shqiptarët e panë se përveç kësaj, ajo nuk do të ishte më në gjendje t’i mbronte ato nga pretendimet gjithnjë në rritje të fqinjëve ballkanas. Kështu, ata u mblodhën më 28.11.1912 në qytetin-port akoma të pushtuar asokohe nga turqit, Vlorë; fillimisht, përfaqësues nga Jugu i vendit dhe nga Shqipëria e Mesme, në një kuvend kombëtar dhe bënë thirrje për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, ata formuan një qeveri provizore. Për të penguar që, për shkak të trazirave e pretendimeve të shumanshme të palëve ndërluftuese në Ballkan, të fillonte një luftë mbarevropiane– fuqitë e Antantës: Franca, Rusia, Anglia, si dhe ato të krahut tjetër kundërshtar me to, Austro-Hungaria, Italia dhe Gjermania vendosën të mblidheshin në Londër më 3.12.1912 në një konferencë ambasadorësh nën drejtimin e ministrit të Jashtëm anglez. Kjo konferencë miratoi më 29.7.1913 pavarësinë e Shqipërisë, e cila sigurohej në këtë rast nga e drejta e popujve për vetëvendosje e shtetformim. Vendimet e Londrës miratuan edhe pikën 1, ku thuhej se: “Shqipëria bëhet (… ) një Principatë e trashëgueshme nën garancinë e gjashtë fuqive të mëdha. Princi do të zgjidhet dhe do të ketë bekimin e gjashtë fuqive të mëdha”. Për kontrollin e administratës civile dhe financave të shtetit u vendos një komision me mandat 10-vjeçar, me përfaqësues nga gjashtë fuqitë e mëdha dhe një shqiptar. Për sigurinë e brendshme do të kujdesej një xhandarmëri nën komandën e oficerëve holandezë.

Princ i huaj për Shqipërinë

Princesha Sofia e Shënburg-Valdenburgut dhe Princ Vidi, 1913-1914 (Marrë nga koleksioni fotografik i Misionit Ushtarakëve Holandez në Shqipëri, 1914)

Më pas filloi kërkimi për një Princ të përshtatshëm e të paanshëm. Christian Schmitz renditet te 19 kandidatët, ose të themi më mirë tek aplikantët për të cilët mendohej se plotësonin paraprakisht kushtet e kërkuara. Në këtë listë fillimisht nuk dukej të ishte fare Princi Wilhelm zu Wied. Austro-Hungaria dhe Italia, që kishin edhe influencën më të madhe në Shqipëri, ndikuan te Fuqitë e Mëdha dhe gjetën mirëkuptimin e tyre, duke vendosur më në fund që Princi (Mbreti) I ardhshëm i Shqipërisë, të ishte një përfaqësues nga një religjion që nuk njihej zyrtarisht në Shqipëri, pra protestant; dhe ky pra u propozua të ishte Princ Vilhelm i Vidit (në origjinal gjermanisht: Wilhelm von Wied). Mbretëresha rumune, Elisabeth, e njohur si shkrimtare nën pseudonimin Carmen Sylva, ishte një Princeshë nga dera e Vidit dhe ishte pra, edhe tezja e tij. Shtetformimi i Rumanisë nën kontributin edhe të Princit gjerman, Karl von Hohenzollern-Sigmaringen, ishte provuar si i suksesshëm për dekada të tëra deri në atë kohë. Fuqia në Adriatik, Italia dhe Austro-Hungaria u përpoqën që Princi i ardhshëm shqiptar të mos ishte në asnjë mënyrë nga fuqitë e Antantës, sidomos Rusisë e Francës. Kështu që, meqenëse nga të gjitha Fuqitë e Mëdha, Gjermania ishte më e painteresuara për Ballkanin, kandidati gjerman gjeti në këtë mënyrë pëlqimin e miratimin e të gjitha fuqive.

Ekrem bej Vlora: Vidi, më fisniku

Ekrem bej Vlora, i cili ishte ndihmësi i ngushtë i Princ Vidit në sferën e politikës së jashtme, shkruan në kujtimet tij me këtë rast (Vol. 2, fq. 44-48), se ai i njihte të tërë kandidatët për fronin e Princit dhe asnjëri prej tyre nuk ishte më i mirë sesa Princi Vilhelm fon Vid: “Ai të jepte përshtypjen e një njeriu të madh e të fisëm, një njeriu të menduar e serioz, të imponueshëm, (për Shqipërinë ndoshta nga më të ndershmit), i cili ishte i vendosur të merrte mbi vete një përgjegjësi, pa mbartur me vete shumë iluzione”. Në fakt, qëndrimi i Princ Vidit në Shqipëri zgjati ekzaktësisht nga 7.3.1914, dita e mbërritjes së tij në Durrës, deri më 3.9.1914, ditën e largimit të tij nga brigjet e vendit. Ai nuk abdikoi kurrë zyrtarisht, por ikja e tij rezultoi një ikje pa kthim. Përse?

Përse u zgjodh Princi gjerman?

Princi Vilhelm kishte profesionin e oficerit e të ushtarakut. Kishte shërbyer fillimisht në “Garde du Corps” dhe pas një periudhe trevjeçare trajnimi e formimi në Shtabin e Përgjithshëm, edhe si komandant kalorësie në regjimentin e 3-të të “Garde-Ulanen-Regiment” në Potsdam. Ai nuk kishte njohuri nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare e asaj të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk njihte gjithashtu, shumë nga lojërat diplomatike të kohës. Vendi dhe njerëzit në Shqipëri, atij i dukeshin mëse të huaja. Ai u vu nën ndikimin e fortë të këshillave të liderëve locale shqiptarë. Por nga këto, pak kishte në dispozicion dhe besueshmëria e tyre ishte relative. Fuqitë e Mëdha ia kishin propozuar atë Kuvendit mbarëshqiptar, të cilët e mbështetën atë vetëm deri në një fare pike, pasi midis tyre filluan grindjet e luftërat për pushtet e ndikim në periudhën 1.3. – 4.8.1914, ndërkohë që vendi rrezikohej seriozisht. Ndihma e premtuar financiare u bllokua. Italia filloi të shfaqej ku mundej hapur kundër Princit. Gjermania gjatë gjithë kohës ruajti neutralitetin në mënyrë strikte. Princi Vilhelm shkruante asokohe më 24.8.1913, se Kaizeri Vilhelm II i paskësh thënë atij se: “Ti nuk mund të më tërheqësh mua në humnerë me atë Shqipërinë tënde”. Më 10.11.1913: “Kancelari i Rajhut nuk i kishte thënë pothuajse asnjë fjalë diplomatëve të vendeve të tjera, se ai ishte konsultuar me mua”. Në këtë qëndrim të përmbajtur e indiferent u gjend Gjermania edhe në vitin 1914. Më në fund, në Shqipërinë e Mesme filluan kryengritjet e shqiptarëve muhamedanë, të cilët kërkonin një rikthim të Shqipërisë nën Turqi. Kryengritja, për fat të keq, pati një farë suksesi. Princi Vilhelm Vid nuk mundi dot t’i bënte ballë dhe e la vendin më 3.9.1914, një muaj pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.

Kundërshtimet për misionin e Vidit

Vëllai i tij më i madh, Princi Friedrich, do të shkruante më vonë, më 9.6.1914, gjatë kësaj krize: “Në kemi bërë e jemi këshilluar sa kemi mundur dhe e kemi ndjerë se, megjithë përpjekjet, Vili nuk kishte mundur dot t’u bënte ballë situatave të krijuara”. Një mik i Princit Viktor, diplomati Ferdinand von Stumm, shkruante më 24.8.1913 se froni i Shqipërisë ishte diçka për një të ri të krisur, i cili mund “të gjuante shumë kafshë të rrezikshme”. Edhe të afërmit e bashkëshortes së Princ Vidit, Princeshës Sofia e Shënburg-Valdenburgut, ishin të gjithë kundër shkuarjes në Shqipëri. Por Princesha Sofia vetë, mbesa e një princeshe rumune, duket se ia kishte përforcuar mendimin e tundimin Vilhelmit për të shkuar e për t’u ulur në fronin e Shqipërisë. Princi Vilhelm pati drojë për një kohë të gjatë, ta pranonte ofertën. Në letrën e tij me këtë rast, shkruar më 20.5.1913, që ai ia drejtonte vëllait të tij Viktor, thuhet se për shkak të candidatures për fronin e Shqipërisë, ai ishte futur tanimë në siklet nga të gjitha anët. Së pari, pasi ai nuk dinte asgjë rreth saj. Në kujtimet e tij të vitit 1917 ai thekson se: “Së pari, për shkak të lutjeve të përsëritura dhe ndërhyrjeve të dy fuqive të interesuara, Austro-Hungarisë e Italisë, si dhe në mirëbesimin e patundur te deklarata e dhënies së garancive dhe premtimet e të gjitha palëve të Konferencës së Londrës, duke mbetur në shpresën se do të rikthehej qetësia dhe do të ringrihej sërish shteti shqiptar, duke kontribuar me këtë rast në zgjidhjen e çështjes ballkanike, unë deklarova në fillimdhjetorin e vitit 1913, se do ta pranoja fronin nën kushte e rrethana të përcaktuara mirë”. Deri më atëherë “unë s’kisha pranuar ta merrja përsipër atë ofertë”. Në letrën e tij të datës 2.12.1913, thuhet: “Fricit (i drejtohet kështu vëllait të tij më të madh) i duhet ta shtrydhë më shumë kokën e ta bindë Paulinën (gruaja e Fricit) që është plotësisht kundër. Tashmë që vendimi është marrë, unë jam plotësisht i lehtësuar, vetëm se ndarja do të më rëndojë shumë”.

Vidi i kërkon ndihmë të vëllait

Princi Vilhelm u përpoq të merrte këshilla tek i vëllai i tij, Viktor, i cili shërbente si i dërguar i Gjermanisë në Norvegji. Ky diplomat i karrierës formuloi për të një promemorie me dhjetë pika, të cilat Princi Vilhelm Vid i paraqiti si kushte për të pranuar fronin shqiptar. Ai iu përmbajt asaj që kishte kërkuar e hartuar vëllai diplomat përgjatë periudhës që pasoi, por theksonte megjithatë se ai nuk donte kurrsesi të përpiqej të miratonte mendimet e tij refuzuese (16.7.1917). Këtë ai e shkroi në një letër shoqëruese në përmbledhjen e tij me kujtime të vitit 1917 me titull “Kujtime rreth Shqipërisë”. Në këtë pikë, kur shkroi këto kujtime, ai tashmë kishte tre vjet që ishte larguar nga vendi dhe ndodhej ndërkohë në frontin rus të ushtrisë gjermane si komandant. Vendimit për të qenë në dispozicion të shqiptarëve si Princ i tyre, ai iu përmbajt edhe gjatë gjithë kohës pasi u largua nga vendi i tyre. Bashkëkohësit e tij shpreheshin shumë kritikë pjesërisht me rolin e tij në trazirat e brendshme shqiptare. Kushtet për t’u përballur me to dhe eksperienca e tij politike e diplomatike, nuk ishin të mjaftueshme. Nga një gjykim i përgjithshëm megjithatë duhet të mbajmë parasysh të gjithë se ai nuk këmbënguli fort vetë për ta ruajtur e përmbushur një detyrë të tillë. Ai duhet të ishte treguar më këmbëngulës. Ai nuk ishte një aventurier. Një gjykim i ftohtë të shpie tek ideja se fuqitë e përfshira në këtë mesele – pra emrat e propozuar prej tyre, nuk do ta kishin mbajtur premtimin dhe do të mbanin anën e fuqive që përfaqësonin.

Vidi dhe familja

Princi Vilhelm Vid nuk abdikoi kurrë nga froni shqiptar. Më 1917, ai kërkoi me forcë rikthimin e tij në fron. Ndërkohë shërbente si oficer në Ushtrinë Gjermane. Në prill të vitit 1918, ai u tërhoq nga jeta ushtarake. Duke nisur nga viti 1925, ai jetoi në Rumani, ku dhe vdiq në vitin 1945. Nga martesa me Princeshën Sofia të Shënburg-Valdenburgut (1885-1936) në vitin 1906, ai pati tri fëmijë: Princi trashëgimtar Karl Viktor i Shqipërisë dhe Princ i Vidit (1913-1973), martuar në 1966 me Eileen Johnston (1922-1985), Marie Eleonore (lindur më 1909 dhe vdekur në burg në vitin 1956), martuar për herë të parë më 1937 me Princin Alfred të Shënburg-Valdenburgut (1905-1941), e për herë të dytë, më 1949, me Ion Octavian Bunea.

Dilema: A dështoi në të vërtetë Princ Vidi?

Letra ( e firmosur ) shoqëruese që Princ Vidi i dërgonte kryeministrit austriak më 26 korrik 1917, ndërsa i postonte atij shënimet e veta me kujtime për Shqipërinë.

Ideja se dështimi i misionit të Princ Vidit në Shqipëri duhet t’i ngjishet vetëm atij, nuk do të ishte e ndershme. Të gjitha gjykimet i japin të drejtë një mendimi se, tek e fundit, Princi Vilhelm Vid ka qenë një njeri me integritet, me një karakter prej kalorësi. Letra e tij e 22.12.1916, tregon se si e ka mbrojtur këtë qëndrim të tijin edhe para sekretarit gjerman të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Zimmermann, ku ai i citoi atij edhe një herë qëllimin e premtimin e tij për të punuar gjithnjë në të mirë të Shqipërisë dhe se do të rikthehej sërish, sa më shpejt, në vendin e lënë pas. Ai nuk donte të renditej te klasa e atyre princërve që nuk e mbanin fjalën e dhënë. Ai nuk donte të ndiqte thënien e Jagos (të ministrit të Jashtëm të mëparshëm të Gjermanisë), i cili pretendonte se “premtimet e dhëna mund të mbaheshin vetëm në letër.

http://www.gazetadita.al/princ-vidi-nen-driten-e-kujtimeve-te-veta/