Presidenti Vladimir Putin shpreson se marrëdhëniet SHBA – Rusi do të normalizohen

Presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë akuzat për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara dhe tha se kundërshtarët e Presidentit Trump i kishin përhapur ato me synimin për të minuar legjitimitetin e tij.

Këto komente Presidenti rus i bëri sot në konferencën e tij vjetore të shtypit në Moskë. Ai shprehu shpresë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të normalizohen.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se zoti Putin ka urdhëruar një fushatë, e cila synonte të ndikonte tek zgjedhjet amerikane, me preferencën që zoti Trump të fitonte garën me rivalen e tij, ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton. Presidenti Trump ka thënë se ekipi i fushatës së tij nuk ka bashkëpunuar me rusët.

Vladimir Putin u tha gazetarëve se Rusia është e shqetësuar për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshjet për kontrollin e armëve, ndërsa vendi i tij do të vazhdojë t’i respektojë ato. Ai tha se ushtria e Rusisë do të zhvillohet sipas nevojës që ka vendi, pa hyrë në një garë armatimesh me Shtetet e Bashkuara.

Lidhur me Korenë e Veriut, zoti Putin tha se përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara do të kishte “pasoja katastrofike”. Ai tha se Rusia nuk e pranon një Kore të Veriut me armë bërthamore dhe fajësoi Shtetet e Bashkuara për provikimin e Phenianit që të zhvillojë armë bërthamore.

Një javë pasi Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Olimpike vendosi që atletët rusë nuk mund të konkurrojnë si pjesë e ekipit rus në Olimpiket Dimërore në Korenë e Jugut, zoti Putin tha se ky vendim ishte marrë me motive politike.

Udhëheqësi rus tha se vendi duhet të ketë një sistem politik më kompetitiv dhe se në zgjedhjet e vitit të ardhëm ai ka për të kandiduar për rizgjedhen e tij jo më si kandidat i Partisë Rusia e Bashkuar, por si kandidat i pavarur.

Që nga viti 1999, Putin ka qenë herë kryeministër dhe herë president i Rusisë. Javën e kaluar ai njoftoi planin e tij për të kandiduar për një mandat tjetër, që do ta mnbante atë në pushtet deri në vitin 2024. Pritet që ai t’i fitojë zgjedhjet. Putin tha se qeveria duhet të përqëndrohet tek shërbimi shëndetësor, arsimi dhe zhvillimi i infrastruktuës dhe se partitë e opozitës nuk kanë një kandidat të fortë që të konkurojë me të në zgjedhje. Kundërshtarët politikë e kanë akuzar zotin Putin për shfrytëzimin e organeve të zbatimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë për të penguar rivalët e tij politikë. VOA