Presidenti turk Erdogan si dëshmitar në martesën e yllit të futbollit gjerman, Mesut Özil

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan shërbeu si dëshmitar në dasmën e futbollistit të Arsenalit Mesut Özil me ish-Miss Turqinë Amine Gülşe në Stamboll. Özil ka qenë një mesfushor i klubit të Premier Ligës që nga transferimi i tij nga gjigantët spanjoll të Real Madridit në vitin 2013. Kjo nuk është hera e parë që futbollisti është paraqitur pranë presidentit të Turqisë. Özil ka lindur në Gjermani por është me origjinë turke. Grupi më i madh i pakicave etnike në Gjermani është turke, sipas Factbook-ut të CIA.

Ylli i futbollit gjerman la futbollin ndërkombëtar vitin e kaluar pasi u përball me kritika dhe nxiti polemika në Gjermani pasi u fotografua në shoqërinë e presidentit turk në maj 2018 përpara Kupës Botërore në Rusi. Futbollisti u qortua publikisht nga Shoqata Gjermane e Futbollit (DFB) për foton.

“DFB, natyrisht, respekton situatën speciale për lojtarët tanë me prejardhje të huaj, por futbolli dhe DFB mbështesin vlera që Erdogan nuk i respekton aspak”, tha presidenti i federatës gjermane të futbollit Reinhard Grindel në një deklaratë në maj 2018. “Prandaj, nuk është një gjë e mirë që ndërkombëtarët tanë të lejohen të shfrytëzohen për marifete të fushatës së tij zgjedhore.” Pas Kupës Botërore, Özil tha se Grindel e kishte keqtrajtuar atë për shkak të ngjarjes. “Unë jam gjerman kur fitojmë, por unë jam një emigrant kur humbim”, shkruante Özil në një deklaratë të postuar në Twitter në korrik 2018. Ai tha se njerëzit e kritikuan dhe e keqtrajtuan për shkak të prejardhjes së familjes së tij.

Shfaqja e tij në martesë vjen përpara një rizgjedhjeje në Stamboll. Kjo për arsye sepse partia e Erdoganit humbi kryetarin e bashkisë së qytetit më të madh të Turqisë në një fitore shokuese për opozitën në prill. Vendimi për të mbajtur sondazhin përsëri ndezi kritikat ndërkombëtare.

Burimi: Euronews

Edel Strazimiri / SCAN