Presidenti Trump nuk jep shenja se do të tërhiqet nga kërkesa për murin

Presidenti amerikan Donald Trump nuk dha shenja të dielën se do tërhiqej nga kërkesa për një mur përgjatë kufirit jugor me Meksikën, duke thënë se “nuk do të ketë asnjë përkulje” nga ana e tij.

“Duhet të ndërtojmë një mur, një barrierë. Mund të jetë edhe prej çeliku”, u tha gazetarëve Presidenti Trump gazetarëve, para se të nisej në rezidencën presidenciale Camp David në Merilend, për diskutime me zyrtarë të lartë të administratës për sigurinë kufitare dhe politikat që kanë në plan të ndjekin këtë vit.

Ndërkohë, zoti Trump është në një mosmarrëveshje me ligjvënësit demokratë të opozitës lidhur me kërkesën e tij për fonde prej mbi 5 miliardë dollarë për barrierën, një bllokim që ka mbyllur rreth një të katërtën e operacioneve qeveritare për 16 ditë, ndër mbylljet më të gjata të qeverisë në historinë amerikane.

“Kjo mbyllje mund të përfundojë nesër, ose mund të vazhdojë për një kohë të gjatë”, tha zoti Trump said, duke vënë në dukje se demokratët që po refuzojnë kërkesën e tij për murin, kanë votuar pro barrierave në kufirin SHBA-Meksikë në të kaluarën.

Zoti Trump tha se ai nuk pret ndonjë rezultat në ditën e dytë të negociatave mes zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë nënpresidentin Mike Pence, dhe këshilltarëve të lartë të Kongresit, rreth mënyrës se si t’i japin fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, e cila po ndikon tek mijëra punonjës federalë dhe po shkakton vonesa dhe vështirësi për qytetarët amerikanë. Mbyllja e qeverisë amerikane është tashmë në javën e tretë.

Trump thotë se ende po mendon të shpallë një emergjencë kombëtare duke u përpjekur të anashkalojë Kongresin dhe të ndërtojë barrierën në kufirin me Meksikën.

Ai thotë se kjo është një “betejë shumë e rëndësishme që duhet fituar”.

Demokratët e Kongresit janë zotuar të mos miratojnë fonde për ndërtimin e murit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ka quajtur murin “të pamoralshëm”.

Presidenti Trump njoftoi përmes Twitter-it se do të shkonte në Camp David për të diskutuar me stafin çështjet e sigurisë kufitare. Në vazhdim botoi një poster ku ai shfaqet pas sfondit të një gardhi të hekurt kufitar dhe me mbishkrimin me gërma kapitale “MURI PO VJEN”.

Bisedimet që u zhvilluan të shtunën u mbyllën pas disa orësh pa arritur progres.

Këshilltari i Lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndër i Presidentit, Jared Kushner, si dhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, ishin gjithashtu të përfshirë në takime. Demokratët kërkuan të dhëna të detajuara për nevojat buxhetore të kësaj agjensie, për të cilat Shtëpia e Bardhë premtoi se do t’i përgatisë.

Nënpresidenti Mike Pence, i cili gjithashtu mori pjesë në takimin e së shtunës, i përshkroi diskutimet si “produktive”.

Por, vetëm pak më vonë, Presidenti Trump reagoi duke shkruar në Twitter se “nuk pati progres sot” dhe duke njoftuar se do të vazhdonte të dielën takimi i dytë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u shpreh përmes një deklarate se “pasiguria e pakuptimtë dhe kaosi i mbylljes së qeverisë nga Presidenti Trump duhet të mbarojë, tani”. Ajo informoi se demokratët do të fillojnë miratimin e ligjeve individuale për financimin e agjensive federale, duke filluar me financimin e Agjensisë së Taksave, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin rimbursimin nga taksat që kanë paguar gjatë vitit.

Presidenti Trump ka kërcënuar se do të anashkalojë Kongresin dhe do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për të ndërtuar murin kufitar. Deri më tani, rreth 800 mijë punonjës federalë janë të pezulluar nga puna, ose janë të detyruar të punojnë pa pagesë.

VOA