Presidenti Trump ndryshon mënyrën e festimit të 4 korrikut

Presidenti biznesmen i Amerikës ka në plan t’i japë një ngjyrim të tij festës së 4 Korrikut, ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkaura, duke paraqitur ushtrinë amerikane dhe duke duke ndryshuar dhe zgjeruar shfaqjen e fishekzjarreve.

Presidenti Donald Trump do të mbajë një fjalim para vendit në shkallët e Memorialit të Lincoln-it në Ditën e Pavarësisë të enjten mbrëma. Në këtë zonë do të krijohet një seksion i veçantë VIP dhe biletat për këto ulëse do të shpërndahen nga Shtëpia e Bardhë.

Më 4 korrik shënohet dita e shpalljes së pavarësisë në vitin 1776 dhe krijimi i Shteteve të Bashkuara si një vend i pavarur. Presidentët në kohët moderne kanë shënuar ditëlindjen e Amerikës duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme, përveç festës kryesore në Sheshin Kombëtar të Uashingtonit.

Festimet e kaluara kanë shmangur politikën

Ndërsa Dita e Pavarësisë shënon një ngjarje të rëndësishme politike në historinë e kombit, festimet tradicionalisht nuk janë fokusuar në ndonjë parti politike ose politikan të veçantë.

Një sondazh i ri tregon se shumica e amerikanëve mbështesin mbajtjen e një fjalimi publik nga presidenti më 4 korrik. Tetëdhjetë e një përqind e republikanëve, 55 për qind e të pavarurve dhe 27 për qind e demokratëve mbështesin planet e Presidentit Trump për të mbajtur fjalim në Uashington.

Megjithatë, duke marrë parasysh fushatën presidenciale të vitit 2020, disa historianë frikësohen se presidenti po injekton politikën partiake në festimet e këtij viti.

“Ai po e kthen këtë festë, e cila duhet të jetë një festë kombëtare, në një festë të tij”, thotë Mary Beth Norton, profesoreshë e historisë historik në Universitetin Cornell dhe autore e librit, “1774: Viti i Revolucionit”, që pritet të dalë në treg së shpejti.

Pjesëmarrja aktive e një presidenti të Shteteve të Bashkuara në festimet e Ditës së Pavarësisë ndryshon karakterin e ngjarjes, thotë Jim Grossman, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Historike Amerikane.

“Dhe kjo nuk do të thotë se ndryshimi është gjithmonë i keq, por kjo do të thotë se ajo bëhet një ngjarje më pak demokratike, dhe më shumë partiake. [Katër Korriku] nuk ka të bëjë me një parti të caktuar, ose një person të caktuar. Në disa mënyra, kjo është një festë politike. Është një festë e demokracisë”.

Planet për më shumë fishekzjarre

Planet e Presidentit Trump për Katër Korrikun përfshijnë fishekzjarre shtesë, së pari, nga një zonë mbrapa Memorialit të Lincoln-it, e pasuar nga një shfaqje e dytë fishekzjarresh nga një park rreth tre kilometra më largë.

Parada Tradicionale e Ditës së Pavarësisë Kombëtare dhe koncerti “A Capitol Fourth” në lëndinën perëndimore të ndërtesës së Kongresit (Kapitolit) do të vazhdojnë si zakonisht.

Sheshi Kombëtar, një zonë me bar që shtrihet në një hapësirë prej tre kilometrash mes Memoriali të Lincoln-it dhe ndërtesës së Kongresit amerikan, është i mbushur me një mori memorialësh që nderojnë historinë e Amerikës dhe është e rrethuar nga muzetë kombëtare Smithsonian.

“Nuk ka vend më të përshtatshëm për të kremtuar përvjetorin e pavarësisë amerikane, sesa mes monumenteve të Kombit në Sheshin Kombëtar dhe përmendoret për nder të burrave dhe grave që kanë mbrojtur Shtetet e Bashkuara në 243 vitet e fundit”, tha Sekretari i Brendshëm David Bernhardt , i cili ndihmoi në planifikimin e ngjarjes.

“Për herë të parë në shumë vite, Memoriali i Luftës së Dytë Botërore dhe zonat rreth pishinës reflektuese do të jenë të hapura për publikun që të shijojë një shfaqje mahnitëse të fishekzjarreve dhe një fjalim nga Presidenti i tyre.”

Pritet të ketë protesta

Disa grupe kanë aplikuar dhe kanë marrë leje për të protestuar gjatë festimeve të këtij viti. Megjithatë, Anita McBride nga Qendra për Studime të Kongresit dhe Presidencës në Universitetin Amerikan, nuk sheh asnjë shkak për alarm.

“Nuk jam kundër çdo presidenti që ndryshon vendndodhjen apo programin për festimet e 4 korrikut”, tha McBride për Zërin e Amerikës përmes email-it. “Ka gjëra shumë të rëndësishme që kanë nevojë për më shumë vëmendje sesa ndryshimi i vendndodhjes dhe programit për festimet”.

McBride, e cila ka punuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Presidentit Reagan dhe në të dy administratat e Presidentëve Bush, thotë se është e natyrshme që të ketë ndjenja të forta për çdo president.

“Ndjenjat e larta partiake kanë ekzistuar para Presdentit Donald Trump, por nuk ka dyshim se ato janë përkeqësuar gjatë administratës së tij,” thotë McBride. “Nuk është vetëm ai përgjegjës për këtë. Megjithatë, nëse njohim vendin tonë për atë që është, plotë personalitete, qëndrime dhe opinione të ndryshme, atëherë nuk duhet të lejojmë dallimet të pakësojnë atë që përfaqëson festa”.

Nderimi i Forcave të Armatosura

Presidentit do të nderojë forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara përmes muzikës, shfaqjeve ushtarake dhe fluturimeve të avionëve ushtarakë.

“Katër korriku duhet të jetë në lidhje me nderimin e dokumenteve themeluese”, thotë Grossman. “Katër korriku nuk është një festë ushtarake, por një festë politike që nderon demokracinë. Është nderimi i krijimit të një kombi, dhe nuk meriton të militarizohet.”

“Nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë një festë për forcat e armatosura,” thotë Norton. “Kemi ditë të tjera për të nderuar forcat e armatosura. Kemi Ditën e Përkujtimit të të Rënëve, Ditën e Veteranëve, Ditën e Forcave të Armatosura. Njerëzit që festojnë Katër Korrikun janë kryesisht civilë dhe gjithnjë ka qenë kryesisht një festë civile dhe mendoj se duhet të mbetet kështu.”

Presidenti Trump i ndikuar nga festimi për Ditën e Bastijës

Presidentit Trump i lanë përshtypje të mira paradat ushtarake pasi mori pjesë në festimet për nder të Ditës së Bastijës në Paris në vitin 2017. Një plan për një paradë ushtarake për Ditën e Veteranëve në Pensilvani u anulua për shkak të kostos që vlerësohej se mund të arrinte deri në 92 milionë dollarë.

Fjalimi i Presidentit Trump mund ta zhvendosë fokusin e festës tek kreu i përkohshëm i vendit, në vend të qytetarëve të tij dhe Deklaratës së Pavarësisë, e cila i bashkon të gjithë.

“Katër Korriku më patriotik është ai që feston popullin amerikan dhe rëndësinë e dokumenteve themeluese që kanë krijuar themelin për legjitimitetin e institucioneve tona politike”, thotë Grossman.

Ende nuk është e qartë se sa do t’i kushtojnë festimet e zgjeruara qytetit të Uashingtonit dhe qeverisë federale. Zyrtarët e qytetit thonë se administrata e Presidentit Trump ende nuk ka paguar 7 milionë dollarë për shpenzimet në lidhje me ceremoninë e inaugurimit të vitit 2017.

Zeri i Amerikes